Sulmuesi “100 milionësh” i kavajasve, Ba del garant me golat e tij për mbijetesën e Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 22:49

Sulmuesi “100 milionësh” i kavajasve, Ba del garant me golat e tij për mbijetesën e Besës

Nisur nga loja e Luzit në 3 takimet e fundit, ndaj Besës luznjakët u shfaqën larg pritshmërive. Ishte një Luz në ditë të keqe apo një Besë që bëri aq mirë? Për këtë, sulmuesi “100 milionësh” i verdhezinjve Mustafa Ba, për “Panorama Sport” u shpreh se e gjitha ishte meritë e Besës.

besa, Ba duke festuar

Ai nuk e fshehu gëzimin që u rikthye te goli. “Ndaj Luzit ishte një ndeshja që kishte vlerën e parakohshme të rënies nga kategoria. Çdo rezultat tjetër përpos fitores do i jepte Besës drejtimin për poshtë. Mendoj se ishte meritë e gjithë ekipit. Trajneri Bubeqi na  porositi se ishte ndeshja e mbijetesës dhe kishim detyrimin ta mbronim fanellën verdhezi. Dominuam në çdo aspekt të lojës në mbi 80 minuta, por shpërdoruam edhe raste për të ardhur keq.

Nuk ishte Luzi në ditë të keqe, por ishim ne që ia bëmë të keqe ditën. Ndihem mirë që fituam, por dua të vlerësoj frymën që ka futur në ekip trajneri Bubeqi. Ai arrin të na motivojë pa ushtruar presion, por thjesht duke na udhëzuar që secili prej nesh duhet të bëjë atë për të cilën stërvitet çdo ditë. E di se të gjithë presin gola nga këmbët e mija. Për këtë isha nën presion. Ndaj Luzit e kërkova aq shumë golin sa në dy raste të tjera nga dëshira ekstreme për të shënuar gabova raste që zakonisht nuk i fal.

Uroj që tersi të më jetë larguar e të shënoj gola të tjerë, pasi ekipi ka shumë nevojë tani”, u shpreh sulmuesi Ba. Përtej fitores, Besa përsëri është e rrezikuar pasi e ndan vetëm 1 pikë nga Luzi që pret Burrelin në shtëpi, ndërsa Besa udhëton në Berat.

Për këtë, Musatafa Ba shprehet se u fitua vetëm një betejë. “Kemi fituar vetëm një ndeshje që na lejon të luftojmë e besojmë të mos jemi ndër dy vendet e fundit në klasifikim. Për Besën do të vijojnë finale të gjitha ndeshjet, tani e ka radhën Tomori”, përfundoi Mustafa Ba.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"