Sulmi po funksionon, Hoxha: Jemi gati për garën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 19:34

Sulmi po funksionon, Hoxha: Jemi gati për garën

Me barazimin 4-4 kundër Bylisit, Besa i dha fund minifazës dhe ciklit të miqësoreve. Kavajasit luajtën ndaj Vorës, Tiranës, Lushnjës e Bylisit. Përtej rezultateve teknike, ajo që bie në sy është fakti se verdhezinjtë kanë shënuar në çdo ndeshje.

2265d538-2ee8-4561-ad81-f98ce5b34b2b

Autor i dy golave kundër ballshiotëve ishte Edmond Hoxha, që po kalon një formë të mirë. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën “Panorama Sport” ai analizon gjendjen e grupit.

“Zhvilluam jo pak, por 4 miqësore. Këtë e bëmë jo vetëm si nevojë për të qenë në tonus me garën, por çdo ekip ka nevojë të korrigjohet në pikat ku mendon se duhet. Mendoj se bëmë mirë. Kishte angazhim, dëshirë, disiplinë dhe rritje. Trajneri është shprehur i kënaqur para nesh, por kuptohet se vërejtjet mbeten brenda grupit (qesh). Ajo me Bylisin ishte ndoshta ndeshja jonë më e mirë. Të gjitha repartet luajtën mjaft mirë. Jo se unë shënova dy golat, pasi atë punë kam, por ekipi luajti lirshëm dhe ishte i qartë taktikisht. Nuk është e lehtë t’i shënosh Bylisit 4 gola. Po jo vetëm ndaj ballshiotëve, ne shënuam edhe ndaj Vorës, Tiranës e Lushnjës. Nuk e fsheh se mungesa e përvojës, bën të pësojmë gola plotësisht të evitueshëm. Sidoqoftë, gjykoj se jemi plotësisht të gatshëm për të rinisur garën dhe marrë më të mirën 270 minutave të fundit të këtij viti kalendarik. Atë që bëmë në lojën ofensive ndaj Bylisit, ta bëjmë në çdo ndeshje. Vetëm kujdes në mbrojtje, duhet të minimizojmë gabimet. Ashtu si merita është e të gjithëve kur shënojmë, po aq përgjegjësi kemi të gjithë edhe kur pësojmë. Me këtë përgjegjësi kolektive duke riparuar dobësitë do të vijojmë të mbetemi aty ku e meritojmë”, përfundoi ai

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"