Sulmi më i frikshëm në Europë, Tuhel i kënaqur me Bajernin: Mbyllëm javë perfekte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 13:16

Sulmi më i frikshëm në Europë, Tuhel i kënaqur me Bajernin: Mbyllëm javë perfekte

Bajern Mynih dhuroi paraqitje fenomenale në fushën e vështirë të Union Berlin, duke i dhënë “shuplakë” me shifrat 5-1. Ndonëse suksesi në fjalë nuk vlen për objektivat sezonal, pasi lufta për titullin kampion ka marrë fund, ata mbyllën një javë perfekte. Kualifikimi në gjysmëfinalen e Champions-it dhe golat kanë kthyer besimin te tifozët se bavarezët mund t’i shkojnë deri në fund kompeticionit më elitar në rang klubesh.

tuhel

Të njëjtën qasje ka mbajtur edhe trajneri Tomas Tuhel në prononcimin pas ndeshjes. Në goleadën karshi Unionit, Tomas Myler veshi “kostumin e heroit” me dopietë, ku nuk kishte se si të mungonte Kejn, për të vijuar finalizimet e Goreckës dhe talentin francez Matis Til.

TRAJNERI – “Përfunduam një javë perfekte. Të jem realist nuk e prisja ta dominonim kundërshtarin në të tilla përmasa. Komplimente ekipit. Mos të harrojmë impenjimin dhe shpenzimin e energjive kolosale kundër Arsenalit në mesjavë. Grupi po i përgjigjet në mënyrën më të mirë të mundshme taktikave të aplikuara në stërvitje. I bindur se ndeshjet e mbetura në Bundesligë do të na bëjnë mirë për Ligën e Kampionëve, të cilat do shërbejnë në formën e përgatitjes. Nuk mund të lë pa përmendur Tomas Myler dhe Çupo-Moting. Është e vërtetë se ata nuk kanë pasur minutazh të mjaftueshëm në takimet e fundit, megjithatë skemat na kanë kushtëzuar. Ata janë lojtarë shumë punëtorë dhe të përulur, sa herë që ekipi ka nevojë. Myler e dëshmoi qartë se çfarë është i aftë të realizojë para portës, madje edhe në raste të limituara. Pres që tempi të vijoj edhe në duelet pasardhëse. Shpresoj se Sane dhe Gnabri do të ia dalin në kohë. Kontributi i secilit futbollist merr vlerë në këtë pikë ku ndodhemi, sikurse mos të kemi dëmtime të reja”, e mbylli Tuhel.

GOLEADORËT – Rekordmenët e Bajernit grumbullojnë kuotën më të lartë të golave në bazë të top 5-ligave kryesore në kontinentin e vjetër. Ata numërojnë në harkun e 30 javëve 87 finalizime, e përkthyer me mesataren 2.9 gola për ndeshje. Më pas pozicionohet Arsenali i talenteve të Mikel Artetës. “Topçinjtë” janë 10 konkretizime më pak sesa Bajerni, ndërsa qëndrojnë në të njëjtën kuotë me Interin, për t’i lënë radhë Mançester Sitit dhe Bajer Leverkusen. Nëse i referohemi rekordit të Levandovskit në Bundesligë, Herri Kejn është larg, i nevojiten edhe 8 gola për të barazuar polakun, ndërsa në lojë rezultojnë edhe 4 raunde.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"