Suksesi i fundit vinte më 3 mars, por “Zonja” ka 5 vite pa fituar në Napoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2024 | 23:55

Suksesi i fundit vinte më 3 mars, por “Zonja” ka 5 vite pa fituar në Napoli

Juventusi ka rrëshqitur 12 pikë poshtë Interit, ndërsa Napoli është edhe më thellë, jo pak por 17 pikë nga bardhezinjtë dhe 29 të tilla nga kreu renditjes. Një sezon më të shëmtuar sesa ky për Napolin nuk mund të kishte, vetëm pak muaj pasi ata kurorëzoheshin kampionë të Italisë dhe dukeshin një skuadër e ndërtuar për të pasur sukses për disa sezone me radhë.

napoli-juve

Por nëse magjia e të qenit protagonist për titullin kampion është shuar shumë shpejt, ajo që reziston është magjia përballë Juventusit. Kjo, sepse “Zonja e Vjetër” sa herë që i bën vizitë të kaltërve dridhet dhe në katër ndeshjet e fundit ka shijuar vetëm humbje me një golavarazh të përgjithshëm 10- 3, ku shkatërrues ishte suksesi 5-1 i sezonit të kaluar.

Hera e fundit që torinezët kanë dalë me tri pikë nga Napoli, impianti i të kaltërve quhej ende “San Paolo” dhe jo “Diego Armando Maradona”, por ka edhe një rastësi të veçantë. Edhe në 2019-ën, dueli Napoli-Juventus luhej më 3 mars dhe nëse në këtë datë përkon edhe fitorja e fundit e “Zonjës së Vjetër” në transfertën napolitane, ky duket një ogur i mirë për bandën e Masimiliano Alegrit, ndonëse ky i fundit duhet të përballet me një mori mungesash të rëndësishme.

Më 3 mars 2019 ata që i dhuronin suksesin e fundit Juventusit ishin golat e Miralem Pjanjiçit dhe Emre xhanit, ndërkohë që Napoli më kot tentonte të hynte në lojë me golin e 2-1 të Kajehon, pasi kishte mbetur edhe me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të portierit Meret, në minutën e 25-të.

5 sfidat

Dhe tani, të gjithë te Juventusi shpresojnë në një tjetër 3 mars të lumtur, ose Napoli mund të arrijë 5 fitore radhazi për herë të parë në shtëpi, në histori, ndaj Juventusit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"