Studimi në Serinë A/ COVID-19, si e shtoi riskun për dëmtimet e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 17:49

Studimi në Serinë A/ COVID-19, si e shtoi riskun për dëmtimet e lojtarëve

COVID-19, nëse manifestohet me shenja klinike (jo rastet asimptomatike), rrit rrezikun e dëmtimeve të mëvonshme të muskujve, që rezultojnë më pas në zgjatjen e kohës së rikuperimit.

covidseriea

Ky është përfundimi i studimit të detajuar të kryer nga 15 prej 20 mjekëve të klubeve të Serisë A, të cilët analizuan të dhënat në lidhje me sezonin 2020-2021, i pari që filloi dhe përfundoi gjatë periudhës së pandemisë. Hipoteza e një lidhjeje të mundshme midis shkallës së infeksionit me këtë virus dhe dëmtimeve muskulo-skeletore të atletëve është provuar tani edhe nga të dhënat: sa më i lartë ka qenë niveli i infeksionit me Coronavirus, aq më i lartë ishte risku për një ndalesë të lidhur me lëndimet muskulore.

REZULTATET- Studimi, aktualisht me bazën më të madhe të të dhënave në literaturën shkencore botërore në lidhje me këtë temë, është aprovuar nga Federata Italiane e Mjekësisë Sportive (FMSI) dhe u realizua nga Dr. Alesandro Korsini falë bashkëpunimit dhe të dhënave të ofruara në fund të sezonit 2020-2021 nga tre të katërtat e klubeve të Serisë A, që morën pjesë në atë sezon. Kampioni i marrë në studim është shumë i gjerë duke marrë parasysh që janë ekzaminuar 433 lojtarë, te të cilët janë regjistruar 173 raste të infektuar me COVID-19, të klasifikuara më tej sipas ashpërsisë së veprimit të virusit. Ajo që bie në sy është që pas rënies në kontakt me virusin, rreziku i dëmtimeve u rrit ndjeshëm, më saktë me 36%. Më tej akoma, virusi ka pasur efekt edhe në kohëzgjatjen e rikuperimit. Lojtarët që rezultuan COVID-pozitiv dhe që patën nevojë për trajtim me medikamente (garda e 2-të dhe e 3-të), pothuajse e dyfishuan(+86%) kohën e rikuperimit për problemet e mëvonshme të muskujve në krahasim me ata që nuk kishin qenë të infektuar me COVID-19. Të infektuarit më seriozë, ata të gradës së 2-të dhe të 3-të kanë pasur gjithashtu një frekuencë më të madhe të dëmtimeve, veçanërisht në zonën muskul-tendin (+13.5%), zona më delikate për lojtarët duke pasur parasysh kohën e gjatë të shërimit që ka nevojë. Nga ana tjetër ata që nuk janë infektuar, apo që kanë pasur forma asimptomatike të sëmundjes, nuk kanë pasur rrezik të madh për probleme muskulore.

KRITERET DHE NUMRAT – Mbledhja e të dhënave është bërë në periudhën 22 gusht 2020 – 23 maj 2021 në formë rreptësisht anonime, pra me identitetin e lojtarëve (të cilët kishin dhënë pëlqimin me shkrim) dhe mjekëve të koduar. Klasifikimi i të dhënave mori parasysh si kohëzgjatjen dhe gradën e COVID-it, por edhe shkallën e dëmtimeve të muskujve, cilët muskuj ishin përfshirë, nëse dëmtimi erdhi gjatë stërvitje apo në ndeshje, nëse ishte një dëmtim i parë apo i përsëritur dhe sa ditë u deshën për një rikthim të plotë në aktivitet. Siç u përmend, 173 lojtarë (39.9%) nga 433 lojtarët e monitoruar u infektuan me COVID-19: 11 prej tyre (6.4%) në gradën e 3-të, 84 (48.6%) në gradën e 2-të dhe 78 (45.1%) në gradën e 1. Nga ana tjetër, ka pasur 332 lëndime muskulore (104 kanë pasuar një infeksion COVID, 228 pa provuar lidhje me virusin) që janë konstatuar te 204 lojtarë. Edhe pse COVID-i prek kryesisht sistemin kardio-respirator, infeksioni mund të ndikojë edhe në funksionin e muskujve. Hipoteza e paraqitur në studim është se ajo ndryshon përthithjen dhe përdorimin e oksigjenit nga muskujt, duke rritur acidozën muskulore dhe duke shkaktuar brishtësi më të madhe të fibrave muskulore. Po ashtu, inflamacioni që vjen si pasojë e virusit duket se luan një rol të rëndësishëm në ndikimin që ka në rezistencën muskulore.

IZOLIMI-Një faktor risku shtesë që duket se ka luajtur një rol në rritjen e lëndimeve ishte periudha e izolimit pas infeksionit COVID. 14 ditët e kaluara në shtëpi, në izolim, të vendosura nga ligji italian për pozitivët mund të kenë përfaqësuar një tjetër faktor rreziku të rëndësishëm për dëmtimet e muskujve. Kjo hipotezë është në përputhje me studimet e tjera që tregojnë se mosstrëvitja e muskujve mund të shkaktojë me shpejtësi disa ndryshime të rëndësishme. Disa autorë kanë treguar se pas një pezullimi të aktivitetit muskulor midis 14 dhe 23 ditësh, muskujt dhe tendinët e gjurit mund të pësojnë dëmtime funksionale, duke pasur nevojë më vonë për një periudhë ristërvitjeje. Gjithsesi, fakti që për nevojat e skuadrës lojtarët janë kthyer menjëherë në grup pas shërimit nga COVID, ndoshta edhe pa përgatitjen e duhur atletike, i ka ekspozuar ndaj një rreziku edhe më të madh dëmtimesh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"