Strukturë e re/ FSHF, ndryshime pa transparencë dhe asnjë studim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2022 | 23:10

Strukturë e re/ FSHF, ndryshime pa transparencë dhe asnjë studim

Eliminimi i skuadrave shqiptare, shu më shpejt dhe gati në mënyrë dramatike nga Europa, zbritja e kampionatit shqiptar në vendin e 49-të në renditjen e UEFA-s do të duhet të ishte një kambanë alarmi dhe një sinjal për reflektim të menjëhershëm nga aktorët e drejtimit të futbollit në Shqipëri, federata dhe klubet.

MOSHAT

Mirëpo, çfarë ndodhi në të vërtetë, jo vetëm që u anashkaluan dhe nuk pati asnjë analizë apo reflektimi, por menjëherë pati një ndryshim te kampionati i moshave, te struktura e saj, që dhe kjo përbën një diskutim më vete, sepse është në errësirë totale mënyra se si u bë ky ndryshim.

NDRYSHIMI PA TRANSPARENCË

Për ta bërë pak më të thjeshtë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të ndryshojë pak javë para fillimit të sezonit të ri, kampionatin e moshave, pa publikuar zyrtarisht asnjë kriter, pa thënë se cilat janë kushtet që duhet të plotësonin klubet për t’u licencuar, pa respektuar afatet që janë minimalisht një sezon përpara dhe pa dalë dhe pa sqaruar se çfarë studimi është bërë dhe çfarë të mirash do t’i sjellë kjo skemë dhe ky format i ri futbollit të moshave dhe futbollit shqiptar, pra çfarë do të prodhojë më shumë.

SHKELJA E RREGULLORES

Një federatë do të duhej të alarmohej për faktin që nuk reflekton mbi skemën e saj me 10 skuadra te futbolli i të rriturve, që na ka çuar sot të kemi pothuajse 60% të klubeve tradicionale jashtë elitës të futbollit. Një federatë që nuk respekton asnjë standard për ekipet dhe kushtet që ka vënë vetë për licencim, mjafton të shikosh javën e pare të Superiores, kur Erzeni që sapo është ngjitur luan në Durrës sepse nuk ka fushë, Partizani luan në Elbasan dhe Kastrioti do të vazhdojë të luajë në Kamzë.

Një federatë që mbyll një sy kur vjen puna te licencimi në Superiore për klube që nuk kanë ekipe zinxhir dhe nuk e njohin prej vitesh këtë term, që sipas rregullores nuk duhet të merrnin pjesë në garë. Pra, përse vlen kjo rregullore atëherë, pse mbahet Superiorja me 10 skuadra kur ka ekipe brenda që nuk i plotësojnë kriteret minimale, për të mos përmendur ato që duhen për ecurinë në Kupat e Europës, pse duhet kjo rregullore kur federata nuk respekton minimalisht rregullat e veta.

ASNJË STUDIM

Federatës sonë nuk i pëlqen që herë pas here të shikojë se në çfarë gjendjeje është futbolli në Shqipëri. Deri tani nuk është publikuar asnjëlloj studimi për benefitet që kanë klubet dhe sa janë rritur të ardhurat e tyre vit pas viti. Nuk ka një studim se sa është rritur numri i tifozëve, sa lojtarë nga ekipet e moshave u janë bashkuar ekipeve të para, sa prej tyre nuk vazhdojnë më karrierën.

Pra, nuk ka një bilanc të tillë, po thjesht bëhen disa veprime të kësaj natyre që më shumë ngjanë si tentativa për të mbajtur gjithçka në kontroll sesa si tentativa për të dhënë një hov zhvillimi. Nëse ka pasur zhvillim dhe progres, një federatë normale del dhe bën bilancet: Klubet tona kanë pasur këtë ecuri në Europë. Është promovuar ky numër të rinjsh nga moshat. Kemi pasur këtë shumë të ardhurash nga tifozët. Kemi pasur këto të ardhura nga marketingu dhe shumë çështje të tjera.

KLUBET DHE AKADEMITË QË PENALIZOHEN PAS VENDIMIT

SHKËNDIJA E TIRANËS

FOOTBALL REPUBLIC

FLAMURTARI

ELBASANI

LUSHNJA

BESA

BYLISI

POGRADECI

KUKËSI

BUTRINTI

SHËNKOLLI

KF SHKODRA

BRIANS

ERZENI

SH.F PEPA

DURRËSI 04

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"