Stoli i Tomorit në ajër, skuadrën e stërvit zv. trajneri që ka dhënë dorëheqjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 10:40

Stoli i Tomorit në ajër, skuadrën e stërvit zv. trajneri që ka dhënë dorëheqjen

Tomori rikthehet në fushë. Pas së hënës pushim, skuadra dje ka nisur përgatitjet për javën e 9-të. Të dielën i pret “malorja”, pasi luajnë me Elbasanin në transfertë. Vështirësia dihet, por në Berat nuk duan të shkojnë të dorëzuar. Situatën nuk e kanë aspak në favor dhe nuk flasim vetëm për rezultate dhe renditjen, por edhe çështjen e stolit. Ata kanë mbetur edhe pa trajner.

klodian arberi polizoi arberi

Zyrtarisht Klodian Arbëri dha dorëheqjen dhe në klub ende nuk e kanë gjetur pasuesin. E megjithatë, dje skuadra u dirigjua nga një tjetër anëtar i familjes Arbëri. Ishte Polizoi që e zhvilloi seancën e së martës. Ndonëse edhe ai ka dhënë dorëheqjen nga posti i zv.trajnerit, nuk ka dashur që ta lërë ekipin në baltë, deri në zgjedhjen e teknikut të ri.

Për “Panorama Sport”, 35-vjeçari shpjegon: “Ashtu si Klodian Arbëri, edhe unë kam dhënë dorëheqjen nga posti i zv.trajnerit. Vendimi është i përbashkët dhe kemi kërkuar mirëkuptimin e presidentit dhe tifozërisë. Por për të penalizuar procesin e punës dhe respektuar skuadrën, prania ime në seancat stërvitore ka vetëm një motiv. Derisa kryebashkiaku Ervin Demo të vendosë zyrtarisht për teknikun të ri, do t’i shërbejë vullnetarisht skuadrës.

Kam besim se në Elbasan, Tomori do të bëjë një paraqitje të mirë, pasi i ka të gjitha cilësitë dhe mundësitë për të performuar në nivel të lartë. Ky ekip do të guxojë të marrë rezultat pozitiv edhe në një transfertë delikate në dukje, por aspak të pamundur, për cilësitë që ka skuadra”.

Për sa i përket situatës për trajnerin e ri, gazeta ka mësuar se në skenë kanë dalë disa emra të njohur të fushës së trajningut, midis tyre edhe disa njohje të vjetra të beratasve.

Këta janë vetofruar për të marrë stolin, ndërsa kandidaturat kanë nisur kontaktet direkt dhe indirekt me kryebashkiakun e Beratit. Ervin Demo është duke i studiuar me kujdes dhe më pas do të vendosë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"