Statistikat/ Tirana, në 15 vitet e fundit u dorëzohet Partizanit e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2023 | 13:13

Statistikat/ Tirana, në 15 vitet e fundit u dorëzohet Partizanit e Kukësit

Partizani dhe Kukësi janë dy skuadrat që kanë shkatërruar me rezultate Tiranën në 15 vitet e fundit. Dy ekipet jo vetëm që kanë mundur më shumë herë Tiranën, por gjithashtu kanë edhe përqindjen më të lartë të fitoreve ndaj bardhebluve.

fg

Në krye të skuadrave më të hidhura 15 vitet e fundit për 26 herë kampionët është Partizani. Bardheblutë, me të kuqtë kanë vetëm 19.40% të ndeshjeve të fituara. Ose, nga 36 sfida të luajtura kanë fituar vetëm shtatë herë. Kjo është statistika më e ulët e Tiranës në këto 15 vite në kampionatin shqiptar. Në vendin e dytë Kukësi me 30.2% në 43 ndeshje dhe në vendin e tretë Besa me 30.8% me 13 takime gjithsej. Me katër skuadra të tjera, Tirana ka marrë 100 për qind fitore. Ato janë KF Tërbuni, FK Tomori, KF Iliria dhe KF Pogradeci. Ekipe që prej kohësh që kanë milituar në zonat e ulëta të Superiores apo në Kategorinë e Parë.

FITORET – Tirana ka marrë më shumë fitore ndaj Laçit ku në 50 ndeshja ka triumfuar 23 herë. Bardheblutë kanë mundur 21 herë Kastriotin në 35 ndeshje dhe Vllazninë 20 herë në 35 takime. Me këto skuadra, 26 herë kampionët kanë bilancin më të mirë në 15 vitet e fundit.

HUMBJET – Kukësi është skuadra që i ka shkaktuar më shumë humbje Tiranës në 15 vite, plot 20 të tilla nga 43 takime të luajtura. Në vendin e dytë Partizani e Laçi me nga 16 humbje në 36 dhe 50 takime.

BARAZIMET – Në 15 vite kampionat, Tirana ka luajtur më shumë ndeshje me Teutën, plot 51 takime. Në vendin e dytë Laçi, më pas Skënderbeu dhe Vllaznia. Bardheblutë po me durrsakët kanë më shumë barazime, më pas me Vllazninë dhe Skënderbeun.

GOLAT – Në periudhën e marrë në analizë, Tirana ka shënuar më shumë gola ndaj skuadrës së Kastriotit, plot 61 herë dhe ka pësuar 24 gola. Ka edhe skuadra të tjera që u ka shënuar shumë gola si Skënderbeut, Teutës dhe Laçit me 56 rrjeta të shënuara. Golavavazhin më të keq e ka me Partizanin -8 dhe me Kukësin -7. Dy skuadra që këto 15 vitet e fundit kanë qenë makthi i bardhebluve.

PIKËT – Nëse fitoret dhe barazimet do të llogariteshin me pikë, bardheblutë i kanë marrë më shumë pikë, Laçit, 80, Teutës 76 dhe Vllaznisë 74. Një situatë që tregon se Tirana dominon me ekipet e mesit, por ndaj Partizanit dhe Kukësit gjithmonë e ka pasur të vështirë të marrë pikë. Siç shihet, të kuqtë dhe verilindorët në këto 15 vite kanë qenë problemi kryesor i Tiranës dhe realisht në momente të vështira, Tirana e ka pësuar nga dy skuadrat.1

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"