STATISTIKA/ U kritikua për zëvendësimet, por shifrat i japin të drejtë Kolelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 15:17

STATISTIKA/ U kritikua për zëvendësimet, por shifrat i japin të drejtë Kolelës

Xhovani Kolela është trajneri që bën më së shumti zëvendësime në Kategorinë Superiore. Italiani, në 34 javë të luajtura, ka kryer plot 158 zëvendësime me një mesatare prej plot 4.6 për ndeshje.

KOLELA

Thuajse gjatë gjithë sezonit italiani është kritikuar shpesh se zëvendësimet e tij nuk kanë pasur efektin e duhur. Kjo mund të jetë e vërtetë, por vetëm pjesërisht, pasi lojtarët e aktivizuar nga stoli nga Xhovani Kolela janë më efikasët sa u përket golave dhe asisteve. Pavarësisht kritikave, plani B i Kolelës ka funksionuar në 10 raste, duke përfshirë golat dhe asistet. Duhet theksuar se lojtarët e ardhur nga stoli i kuq kanë shënuar 7 gola, më shumë se askush tjetër. Vetëm 4 prej rrjetave i ka shënuar Engjëll Hoti.

Në vendin e dytë për sa u përket “goditjeve” nga stoli është trajneri i Kukësit, Rraman Hallaci. Lojtarët e aktivizuar nga ai gjatë ndeshjeve kanë shënuar 5 gola dhe kanë dhuruar po aq asiste. Shumë poshtë renditet Orges Shehi, lojtarët e të cilit kanë shënuar 3 gola dhe kanë dhuruar 3 asiste. Duhet theksuar se trajnerit bardheblu, veçanërisht në pjesën e dytë të sezonit, i kanë munguar alternativat në stol. Ndërkohë, Gentian Mezani gjithashtu meriton elozhe për sa i përket kësaj statistike, sepse me vetëm 41 zëvendësime ka arritur të koleksionojë 4 gola dhe 2 asiste.

SHIFRAT (2)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"