Stadiumi si në kohët e vjetra, korçarët festojnë me… “ujkun”! Njihuni me pikantet e Skënderbeu-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 18:37

Stadiumi si në kohët e vjetra, korçarët festojnë me… “ujkun”! Njihuni me pikantet e Skënderbeu-Partizani

“Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit, e luajtur në Korçë dhe e fituar nga skuadra e Gvozdenoviçit, në një ambient mjaft të bukur.Collage Maker-02-Oct-2023-06-17-PM-1355

* Sfida nis pak minuta me vonesë për shkak të një probleminë portën e Alban Hoxhës. Anësori Rejdi Avdo vëren një tëçarë në pjesën e rrjetës dhe kërkon korrigjimin e problemit, para nisjes së sfidës. Me shpejtësi gjithçka i kthehet normalitetit.

* Ndeshja ndaj Partizanit rikthen atmosferën e kohëve të vjetra në Korçë. Interesim i madh i tifozëve vendës, që në fund është shpërblyer me një rezultat të rëndësishëm ndaj kampionëve në fuqi. Fitorja ndaj Partizanit ka ngrohur ambientin bardhekuq që në fund të takimit ka shpërthyer në festë, jo vetëm në tribuna, por edhe në dhomat e zhveshjes. Në stadiumin e Korçës pasditen e djeshme ishin rreth 3200 tëpranishëm.

* Ndeshja ka nisur me një banderolë të hapur në tribunën e tifozëve korçarë, që kanë shprehur mbështetje për situatën e krijuar në Kosovë. “Kosova është Shqipëri” (Kosovo is Albania) lexohej në banderolat e tifozëve bardhekuq, që ka marrë duartrokitje edhe nga tifozët e Partizanit. Ky ka qenë momenti i vetëm kur dy tifozëritë janë bërë bashkë, më pas ka pasur ofendime në distancë mes tyre që kanë vijuar gjatë gjithë takimit.

* Në një moment kur mesfushori po shkaktonte faulle të njëpasnjëshme, gjyqtari Florjan Lata ndal Dean Liçon dhe e paralajmëron të mos luajë më me duar të hapura.

* Tribuna VIP në stadiumin “Skënderbeu” ka pasur plot figura ditën e djeshme. Veç Ardian Takajt, që këtë herë e ndoqi ndeshjen përkrah djalit të tij të vogël dhe presidentit të Partizanit Gazment Demi, në krahun tjetër, i pranishëm ka qenë edhe Olsi Rama, që ka përjetuar çdo moment të takimit. Skënder Gega dhe Edi Martini ishin figurat e shtuara në tribunën qendrore të stadiumit. Trajneri i Teutës me siguri i ka marrë disa masa për ndeshjen me “demat”.

* Zoran Zekiç ka shfaqur sinjale shqetësimi thuajse gjatë gjithë takimit në Korçë për faktin se ekipi në momente të caktuara nuk po i përgjigjej ashtu siç ai kërkonte. Trajneri i të kuqve hera-herës ka pasur këshilla për Atanaskoskin gjatë pjesës së parë, si dhe për kapitenin Hoxha. Mbrojtësit shpesh ka kërkuar më shumë thellësi në pozicionet e lira të prapavijës korçare, ndërsa për Hoxhën kërkesat e trajnerit kroat kanë qenë te shpërndarja e lojës, kryesisht me topin e gjatë.

* Nga ana tjetër, më i qetë, ashtu siç ndodh zakonisht, ka qenë trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç. Serbi i pankinës korçare ndiqte me kujdes çdo lëvizje të të tijve, duke shoqëruar me gjeste gabimet në vendosje. Gjatë pjesës së dytë, trajneri i bardhekuqve është nxehur me kartonin e verdhë të marrë nga Shaqe, teksa ka këshilluar për qetësi lojtarët që rrezikojnë mungesën në rast të ndëshkimit me karton.

* Dilema më e madhe në këtë takim ka qenë se kush do të ishte ekzekutuesi i penalltisë, duke parë që Liço humbi dy penallti në ndeshjen e fundit. Edhe pse e fitoi vetë 11-metërshin, korçari nuk ka këmbëngulur që ta godasë, teksa është pajtuar me zgjedhjen e trajnerit për t’ia lënë Rashicës.

* Në momentin e rrëzimit pas ndërhyrjes së Koçijan, Hoxha i afrohet menjëherë Liços dhe me fjalë dhe gjeste, por nerva, i bën thirrje të çohet. Dy lojtarët kanë qenë shokë skuadre te Partizani, por kapiteni duket se nuk ka preferuar ta “kursejë” mesfushorin. Në fund rezultoi se ky i fundit kishte të drejtë.

* Gjatë ndeshjes Da Silva “gërricet” me tifozët, që nuk i kursejnë të sharat, por edhe lëshojnë shishe uji dhe stola në drejtim të brazilianit.

* Pas fundit të sfidës, lojtarët e Skënderbeut shkojnë të festojnë me tifozët. “Protagonist” kryesor i festës bëhet një ujk i balsamosur, i vendosur në pjesën e pistës së stadiumit, simbolika kryesore e tifozërisë së ultrasve të qytetit, “Ujqërit e Dëborës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"