“Stadiumi i Kamzës më motivon”, Xhuljo Mehmeti: Askush s’na dominon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2022 | 21:39

“Stadiumi i Kamzës më motivon”, Xhuljo Mehmeti: Askush s’na dominon

Një prej afrimeve të rëndësishme që Kastrioti bëri në merkaton e verës ishte mesfushori Xhuljo Mehmeti. I rikthyer te krutanët, lojtari menjëherë tregoi cilësi, madje i dha fitoren ekipit në transfertën ndaj Kukësit. Pas barazimit me Tiranën, Mehmeti foli për momentin e mirë që po kalon skuadra, si dhe aspektin personal.

Xhuljo-Mehmeti-

“Normalisht Tirana është kampionia në fuqi dhe kur luan përballë tyre është shumë e vështirë. Pjesa e dytë ishte më e mirë për ne, patëm disa raste që mund të shënonim. Ishte ndeshje pozitive, e dinim që do të vuanim, pasi ata kanë lojtarë me kualitet në çdo pjesë të fushës. Vrapuam shumë, u lodhëm. Shpresonim që mund të shënonim në pjesën e dytë, sepse ndeshja u hap, por edhe një pikë ndaj Tiranës është pozitive”, theksoi mesfushori, i cili është rritur te Kamza, pikërisht në stadiumin ku Kastrioti luan si pritës.

“Po, normalisht luaj në shtëpinë time. Kam që 17 vjeç në këtë fushë, kështu që më motivon”, theksoi Mehmeti gjatë një prononcimi për “Oversport”. I ngacmuar për konkurrencën në ekip dhe vazhdimësinë e kampionatit, mesfushori deklaroi: “Konkurrenca është rritur. Në ndeshjen e parë nuk luajta as unë, por ajo ndaj Bylisit ishte për t’u harruar. Nuk ishte fillimi i sezonit që ne prisnim.

Gjithsesi, punojmë shumë, kemi atmosferë, jemi të lidhur me njëri-tjetrin. Jemi ekip që duhet të vuajmë për të marrë pikët, por edhe skuadrat e tjera duhet të derdhin gjak që të na mundin. Është një kampionat shumë i vështirë, sepse të gjitha skuadrat po marrin pikë. Nuk besoj se është ndarë gara se kush është për pjesën lart të renditjes dhe kush për pjesën poshtë. Ne e dimë dhe jemi shumë koshientë që duhet të mbledhim sa më shumë pikë që të jemi të qetë”.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"