Stadium i ri prej 5 mijë vendesh për Besën, nis puna për prishjen e impiantit ekzistues. Fondet vijnë nga Katari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 14:44

Stadium i ri prej 5 mijë vendesh për Besën, nis puna për prishjen e impiantit ekzistues. Fondet vijnë nga Katari

Pas fitores ndaj Burrelit, që u pasua edhe nga ajo me Kastriotin, kryetari i Bashkisë, Fisnik Qosja, vizitoi ekipin e Besës, ku shpërndau edhe një premio simbolike për futbollistët. Në atë takim të shkurtër, Qosja përsëriti premtimin se Bashkia e ka dhe do ta ketë prioritet Besën dhe infrastrukturën në shërbim të saj.

stadiumi besa

Nuk ka vonuar dhe dy ditë më parë kanë nisur edhe punimet në shkatërrimin e stadiumit ekzistues të Besës, nëse mund të quhet i tillë. Rreth 3 muaj më parë, Këshilli Bashkiak akordoi një shumë prej 1 milion euro për ndërtimin e stadiumit të ri, që pritet të ketë një kapacitet prej 5 mijë vendesh. Kujtojmë, se stadium ekzistues kishte një kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe kulmin e mbushjes së tij e pati në një takim dekada më parë ndaj Naftëtarit, 10 mijë tifozë, kur Besa rikthehej në Superiore.

besa stadium

Gjatë ditëve të fundit kanë vijuar vizitat e përfaqësuesve të Ambasadës së Katarit në Bashkinë Kavajë, çfarë dëshmon pikërisht se Katari do të mund të jetë njëri nga donatorët për ndërtimin e stadiumit të ri të Besës. Fillimi i punimeve ka ngjallur besim e optimizëm te tifozëria kavajase, se më në fund Besa, të paktën sezonin e ardhshëm do i ketë të gjitha mundësitë e shanset të ndërtojë një ekip për t’u rikthyer në elitë. Kjo, pasi këtë kampionat si kurrë më parë kavajasit kanë bërë paraqitjet e tyre më të dobëta dhe i kanë zhgënjyer të gjithë. Vetëm në 4 javët e fundit, ekipi u kthye te fitoret, por jo për ndonjë trofe, por thjesht për të shpëtuar nderin e fanellës.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"