Spektakël në Fier, goli i Repajt shpëtoi Apoloninë në kohën shtesë. Trajneri i Korabit: Gabuam në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2024 | 20:03

Spektakël në Fier, goli i Repajt shpëtoi Apoloninë në kohën shtesë. Trajneri i Korabit: Gabuam në fund

Përballja e javës së 25-të të Kategorisë së Parë mes Apolonisë dhe Korabit u mbyll në shifrat 1-1. Në “Loni Papuçiu”, fierakët dhe dibranët kanë ndarë pikët, por kanë dhuruar një lojë shumë të luftuar deri në sekondën e fundit, e denjë për dy rivalë “play off”-i.

apolonia korabi

Ndeshja u bë shumë emocionuese në pjesën e dytë, pasi portieri Harizaj u ndëshkua me karton të kuq duke lënë fierakët me 10 lojtarë që në minutën e 69-të. Miqtë shfrytëzuan më së miri epërsinë numerike dhe një gabim të portierit Bushi gjetën avantazhin në minutën e 84-t me sulmuesin Taulant Markun. Kur dukej se miqtë do të merrnin tri pikët, qendërmbrojtësi Repaj gjeti golin e barazimit për vendasit në shtesë, duke bërë që dy ekipet të mos ndryshojnë pozitat në renditje, me 36 pikë, por Apolonia ka golavarazh më të mirë.

Ndeshja – Sfida nisi e qetë, ku ekipet qarkulluan dendur topin në zonat e tyre. Por pas 10 minutash fierakët bëhen më të rrezikshëm dhe krijojnë më shumë se miqtë. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Dibranët duken më të organizuar në pjesën e dytë, ku protagonistë janë sulmuesit Kasalla dhe Marku.

Miqtë vijojnë të jenë dominues, ndonëse gjithçka bëhet edhe më e lehtë për ta në minutën e 69-të, kur portieri Harizaj del në mënyrë të gabuar dhe në rënie e sipër prek topin me dorë jashtë zonës. Kryesori Alla është afër, nuk mendohet dy herë dhe nxjerr kartonin e kuq. Nga momenti i mirë dhe nga superioriteti numerik, si dhe nga një gabim i portierit Bushi, dibranët gjejnë golin në minutën e 84-t me Taulant Markun.

Kur gjithçka dukej e mbyllur, Apolonia barazoi me qendërmbrojtësin Repaj. Mbrojtësi Topi shërben në zonë ku gjen sulmuesin Maksuti, i cili e ul mjaft bukur “sferën” me kokë për Repajn. Ky i fundit ka thuajse një penallti në lëvizje, gjuan fort me të djathtën dhe mposht Qyranin. Gjithçka mbyllet në barazim 1-1.

Repaj: Pikë e vyer, por…

Serjan Repaj, autori i golit të barazimit të Apolonisë, në përfundim të sfidës tha: “Për mënyrën dhe situatat e vështira në lojë, sidomos inferioriteti numerik, pika është e vyer dhe shërben më së shumti për moralin e skuadrës. Ishim përgatitur për ta fituar, por situata nuk shkoi mirë. Me rëndësi është vazhdimësia, të korrigjojmë gabimet dhe ta kthejmë këtë rezultat në një mësim. Më gëzoi goli, pasi shënova në shtesë kur humbja dukej shumë pranë”.

Kumbarçe: Gabuam në fund

Shpend Kumbarçe, trajneri i Korabit, pas ndeshjes u shpreh: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi Apolonia ka ekip cilësor dhe është shumë e fortë në fushën e saj. Në pjesën e parë bëmë një takim relativisht të mirë, kurse në të dytën morëm lojën në kontroll. Gjetëm golin nga gabimi i portierit kundërshtar, por edhe ne gabuam në fund nga një vendosjeje jo e mirë në prapavijë. Më vjen keq vetëm për mënyrën e lojës, pasi kishim në dorë ndeshjen dhe rezultatin”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"