Spektakël i Vorës , tre gola Besës për vendin e tretë. Arbri: S’na ndalën as arbitrat. Qardaku: Më mohuan dy penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 16:33

Spektakël i Vorës , tre gola Besës për vendin e tretë. Arbri: S’na ndalën as arbitrat. Qardaku: Më mohuan dy penallti

Vora ka marrë fitoren e tretë sezonale ndaj Besës, ku në prani të rreth 1000 shikuesve dje ka mposhtur në shtëpi kavajasit në shifrat 3-0. Skuadra e drejtuar nga trajneri Klodian Arbëri ka qenë e papërmbajtur kundër Besës. Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, nëse do të shënoheshin edhe ndonjë nga 13 rastet e tjera të humbura.

VORA BESA

Në tre prej këtyre rasteve është pretenduar për penallti, dy herë Qardaku në pjesën e parë dhe në fund Ismaili. Ndërsa kavajasit luajtën mirë në pjesën e parë, por u shthurën në 4 minuta sapo nisi e dyta.

Ndeshja –Ka qenë një ndeshje pa kompromis dhe e luftuar kryesisht në pjesën e parë. Në minutën e 14-të, aksion mjaft i bukur nga e djathta, Qardaku shpërthen, por gjuajtja e tij përfundon në traversë. Në të 16-ën Qardaku futet në zonë e pretendon për një 11-metërsh, por gjyqtari vazhdon lojën. E njëjta situatë përsëritet në minutën e 30-të, kur Qardaku pritet nga mbrojtësit kavajas brenda zonës, por sërish nuk ka penallti. Besa pati dy-tre mundësi, por Dabo dhe Perja shpërdoruan.

Me nisjen e fraksionit të dytë, Vora lëshon gjithë “dufin” e 45 minutave të para, ku brenda 4 minutash shënon dy gola. Në të dyja rastet, mbrojtja kavajase u paraqit dobët. Në të 47-ën Prengaj del i lirë vetëm me portierin dhe shënon. Dy minuta më pas, Raboshta del i vetëm teksa shënon golin e dytë. Në të 64-ën vjen goli i tretë pas këmbënguljes së Raboshtës, që gjuan fillimisht me këmbë, por largon portieri.

Më pas, ai pason saktë te Qardaku, që vetëm sa e shtynë në rrjetë topin dhe 3-0. Vora i kishte të gjitha mundësitë të shënonte golin e katërt, nëse gjuajtja e Prengës nuk do të ndalej nga traversa. Disa përpjekje të kavajasve, por që nuk sjellin dot golin. Edhe në rastin kur Mehmeti del i vetëm me Jatën, ky i fundit pret gjuajtjen e tij. Kështu Vora merr fitoren e radhës duke kryer më së miri detyrat dhe tani është vetme në vend të tretë me 45 pikë, ndërsa Besa vazhdon të “notojë” në zonën e rrezikut.

Qardaku: Më mohuan dy penallti

Eridon Qardaku ka qenë ndër më të mirët për Vorën në fitoren ndaj Besës. Pas ndeshjes Qardaku u shpreh: “Ishte një fitore që mund ta mbyllnim me goleadë. Më mohuan 2 penallti të sigurta, jam plotësisht i bindur për to. Më vjen mirë që arrita të shënoj, pasi jam rikthyer në formë pas operacionit. Golin ia dedikoj familjes, që më ka ndihmuar e përkrahur gjithnjë, edhe në momentet më të vështira që kam kaluar”.

Arbri: S’na ndalën as arbitrat

Klodian Arbëri, trajneri i Vorës, pas ndeshjes deklaroi: “Vora ishte super. Superioritetin nuk e ndalën as arbitrat që na mohuan tri penallti të sigurta. Një falënderim për të gjithë çunat që luajtën me shpirt dhe zhvilluan një ndeshje të bukur. Treshja sulmuese funksionoi më së miri. Derisa matematika na lejon ngjitjen direkte, ne do të bëjmë punën tonë deri në fund. Tani na pret një ndeshje e fortë në Burrel”.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"