40 vite nga titulli historik, si Labinoti u bë krenaria e Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 22:31

40 vite nga titulli historik, si Labinoti u bë krenaria e Elbasanit

Nga UVIL ZAJMI

Nga ai maj i vitit 1984, kanë kaluar plot 40 vite. Pikërisht në atë muaj dhe atë vit, Labinoti i Elbasanit do të shpallej kampion për herë të parë në futbollin shqiptar. Një befasi e madhe për kohën. Asnjëherë një titull më parë, por vetëm një Kupë Republike të fituar në vitin 1975. Pas Vllaznisë, Labinoti do të ishte klubi i dytë që do të ndërpriste hegjemoninë e tri skuadrave kryeqytetase, Partizani, Dinamo, 17 Nëntori, që ishin dominuese në dekadat pas lufte.

9ef9b7a4-4e05-47bc-8b9f-ee1fb9f8a099

Labinoti kampion 1984. Nga e majta në këmbë: Z.Arapi, L.Deliu, Sh.Asllani, B.Gogunja, E.Mustafaraj, F.Lleshi. Ulur nga e majta: R.Agalliu, V.Tafani, Dh.Luniku, A.Popa, K.Rama;

Nga nisja e sezonit, eliminimi në kupë, kampionë dimri dhe pastaj faza e dytë. Me shifra, rezultate, rekorde dhe në krye pa u ndalur për 14 javë. Sigurimi i titullit në Tiranë, pastaj disfata në mbyllje me Luftëtarin dhe përfaqësimi në Kupën e Kampioneve. Kush ishin futbollistët e atij grupi legjendar, trajnerët, si dhe Bujar Gogunja, portieri që vendosi një rekord të rrallë në futbollin shqiptar. “Panorama Sport” ju sjell sot historinë e vitit 1984, që e bëri Elbasanin kampion.

KUPA E REPUBLIKËS, TROFEU I PARË PËR LABINOTIN

Në fillim të viteve 70-të, Labinoti krijon një skuadër të fortë dhe konkurruese. Pas një turneu miqësor në Kinë, FSHF-ja i jep të drejtën të marrë pjesë në Kupën Ballkanike, në një grup me rumunët e AS Tërgu Muresh dhe malazezët e Sutjeskës së Nikshiqit. Të tria e mbyllën me nga 4 pikë, ndërsa e para me golavarazh më të mirë ishte AS Tërgu Muresh dhe Labinoti i dyti.

84f334b5-65d6-4799-9937-62b1ad9b5a78

Labinoti fitues i Kupës së Republikës në vitin 1975

Ndeshjet ishin këto: Labinoti-Sutjeska 1-0 (Jorgaqi), As Tergu-Labinoti 5-1 (N.Hysi), Sutjeska-Labinoti 1-0 dhe Labinoti-Tërgu 2-0 (Duçka, Zilja). Është periudha e një Labinoti protagonist me futbollistë si G.Tafaj, S.Gugu, A.Sejdini, P.Kallajxhi, A.Stringa, N.Allaj, P.Gjika, Dh.Gjika, M.Gjika, R.Çala, F.Jorgaqi, K.Dalipi, P.Sulovari, P.Lamçja, B.Tirana, S.Lamçja, D.Stringa, N.Duçka, B Rudi, K.Bakalli, A.Jolldashi.

Për të ardhur në 1975-ën, vitin e trofeut të parë të fituar nga Labinoti pas dy takimeve me Lokomotivën. Në Durrës fituan 1-0 me gol të Namik Hysit, që fatkeqësisht nuk jeton më, ndërsa në Elbasan sërish 1-0 me gol të Mitrollarit. Labinoti merr Kupën, e para në historinë e klubit.

SEZONI 1983-1984, KAMPIONATI I TITULLIT

Me Vllazninë kampione në fuqi, Labinoti i renditur në vendin e 9-të në kampionatin që lamë pas, edicioni i ri ishte i 38-ti dhe nis në fund të gushtit me 14 skuadra. 17 Nëntori, Partizani, Dinamo dhe Vllaznia ishin pretendetet e zakonshme. Në 6 javët e para kemi këto rezultate: Labinoti-Traktori 3-0 (Muzaka autogol, Luniku, Popa), Flamurtari-Labinoti 3-0, Labinoti-Naftëtari 1-0 (Mitrollari), Labinoti-Lokomotiva 1-0 (Mitrollari), 17 Nëntori-Labinoti 2-0; LabinotiSkënderbeu 2-0 (Agalliu, Mitrollari). Java e 7-të do të shënojë startin historik:

5c49a02b-3954-4371-a1c5-d90c9568aa64

Çast para ndeshjes Labinoti-17 Nëntori, arbitri Dhori Prifti, asistentët e tij dhe dy kapitenët Lleshi e Mema

Në Tiranë, Dinamo-Labinoti 1-2 (Ndreu autogol, Luniku, Demollari 11-m). Labinoti shkon në krye për herë të parë me 10 pikë, Flamurtari, Lokomotiva, Partizani nga 9-të. Java 8: Labinoti-31 korriku 1-0 (Tafani), pastaj Vllania-Labinoti 1-1 (Agalliu), LabinotiTomori 2-0 (Luniku, Agalliu), Besa-Labinoti 1-0, Labinoti-Partizani 1-1 (Arapi, G.Tomori).

Java e fundit, e 13-ta, Luftëtari-Labinoti 1-1 (Staceni, Boni 11-m). Renditja: Labinoti 17 pikë, (7 fitore, 3 barazime, 3 humbje), 17 Nëntori 16, Lokomotiva, Skënderbeu dhe Partizani 15 pikë.

Një kryesim elbasanas pa ndërprerje që nga java e 7-të dhe kampione e dimrit. Një befasi për të gjithë, një skuadër e re, e drejtuar nga një legjendë si Frederik Jorgaqi, që luan mirë dhe ka stabilitet në lojë e rezultate. Grupi përbëhet nga lojtarë cilësorë, afërsisht të një moshe, teksa ka harmonizim në mbrojtje, mesfushë e sulm. Viti 1984 do të nisë me Kupën e Republikës, edicioni i 31 i saj. 16 skuadra, raundi i dytë, Labinoti luan me Besëlidhjen.

E para e zhvilluar në Lezhë u dominua në të gjitha drejtimet nga vendësit, por ishte portieri Gogunja që shpëtoi disa situata të vështira në portën e tij dhe 0-0. Për të regjistruar befasinë në kthim, kur askush nuk do ta priste, e papritura e ka emrin Besëlidhja, që do ta eliminojë, duke i dhënë një mësim të mirë kampionëve të vjeshtës, por që do t’i shërbejë. Me Haskun në portë, Dedën, Gegën, Sokolin, Danajn, Osmanin, Zhejanin, Agon, Lubanin dhe Ramën në sulm, ata do të fitojnë 2-1 në Elbasan, me gola që kanë për autorë: Ramën, Mitrollarin, Sokolin. Një 1984 e nisur jo mirë, por që nuk do të përfundojë e tillë për elbasanasit.

E diel, 12 shkurt, rifillon kampionati, faza e dytë dhe menjëherë me Labinotin protagonist në vijën e parë deri në fund, javën e 26-të. Por, që në nisje, duken shenja të mira. Eliminimi nga Kupa ka reflektim të menjëhershëm. Rikthimi me fitore vjen në udhëtim, në një fushë të vështirë në Lushnje kundër Traktorit që ka trajner Fatbardh Deliallisin, ndërsa në përbërje ka futbollistë si Gjeçi, Lala, Gazheli, Tuallau dhe Haxhiu. 2-0 para 10 mijë tifozëve, me gola në pjesën e parë nga Mitrollari e Bega, në një takim që drejtohet nga arbitri Pavllo Bukoviku, duke ruajtur kreun me 19 pikë. Java vijuese: Labinoti-Flamurtari 1-0, gol i Begës në minutën e 80-të. Është Flamurtari i P.Rucit, Çipit, Tahos, Liçajt, Gjondedës, Bubeqit, V.Rucit, Zijait dhe trajnerit Agron Sulaj. Për të 10-ën herë Labinoti është kryesues, kur mbeten edhe 11 javë për t’u kurorëzuar kampion.

Deri tani asnjëherë 0-0. Labinoti 21 pikë, 17 Nëntori 19, Partizani 18 pikë. Java 16: Naftëtari-Labinoti 0-1 (Bega 67’). Drejton Hyqmet Kuka dhe ka 6000 shikues. Ndërkohë 17 Nëntori barazon në Vlorë dhe diferenca shkon në tre pikë me ndjekësit dhe tri javë pa pësuar gol. E 17-ta: Lokomotiva-Labinoti 0- 0, arbitron Lulzim Konçi. Një dypikësh me rëndësi, përballë një skuadre të fortë si ajo durrsake, që drejtohet nga Krisaq Toçi me lojtarë cilësorë si Maliqati, Sejdini, Koka, Çela, Jani, H.Ballgjini, Miha, Hado, Hima dhe Sh.Ballgjini. Java e 18-të sjell një ndeshje të madhe si 17 Nëntori-Labinoti. Luhet sfida e pretendentëve para 14.000 shikuesve. Te 17 Nëntori luanin Mersini, Baçi, Hodja, Bimo, Liti dhe Muça, Mema, Josa, Vila, Minga, Lekbello dhe Kola.

I konsideruar dueli i dy më të mirëve, nuk ka gola. Gogunja i gatshëm dhe i sigurtë është protagonist në atë dialog të gjatë mes sulmuesve kryeqytetas dhe mbrojtjes elbasanase. Nuk pësohet gjithashtu gol dhe i dyti 0-0 në këtë fazë, ishte i treti radhazi për verdheblutë. Java e 19-të sjell duelin Skënderbeu-Labinoti, që gjykon beratasi Virgjil Konomi. Një tjetër 0-0 ndaj korçarëve, ku luajnë Jani Kaçi, Burda, Kushe, V.Kërçiç, Prifti, Tërpo, Kallço, M.Kërçiç.

Ndërkohë, portieri Gogunja vazhdon ta ruajë të paprekur portën, 13 javë pa pësuar gol. Lokomotiva mund 17 Nëntorin 2-0 dhe barazim 1-1 Besa-Partizani. Ka ndryshim tek ndjekësit Labinoti 26, Partizani 24, 17 Nëntori 23 pikë. B.Hado i Lokomotivës kryeson me 9 gola, pas tij H.Lika me 7, S.Mema, A.Minga, Hima me 5 gola, etj. Java 20-të kemi Labinoti-Dinamo 2-0. Labinoti luan me Gogunjën, Arapin, Lleshin, Deliun, Ramën, Mustafarajn, Tafanin (Staceni 65’), Asllanin, Agalliun (Popa 60’), Begën dhe Mitrollarin. Ndërsa Dinamo e nis me këta lojtarë: Luarasi, Meçe, Targaj, Ndreu (Mërgjyshi 37’), Kuqi, Delia, Demollari, Duka (Abazi 78’), Topçiu, Ikonomi, Marko. Arbitër: V.Ikonomi – Shikues: 13.500. Shënojnë Mitrollari 47’ dhe Bega 75’.

Gogunja reziston sërish, teksa mban të paprekur portën. Fitojnë edhe Partizani 1-0 me Lokomotivën e 17 Nëntori 5-1 me Skënderbeun. Java 21 sjell këtë renditje: Labinoti 30 pikë, 17 Nëntori 27, Partizani 26. Në Burrel, në një ndeshje e vështirë, Labinoti fitoi 1-0, ku shquhen Pelinxhi, Sava, Koni, Nikolla, Shabani, Vladi, Faruku, Mançe dhe Demneri. Drejton sfidën Dhori Prifti, ndërsa në stadium ka 4.600 shikues. Vendimtar goli i Asllanit në minutë e 8-të.

Gogunja sërish protagonist, ruan portën, duke vijuar drejt një rekordi unik. Është java kur Partizani do të mundet thellë 2-5 në “Qemal Stafa” nga Luftëtari, një rezultat që i takon historisë. Java e 22-të, Labinoti-Vllaznia 1- 0. Një numër rekord spektatorësh, kundër një Vllaznie të emrave si Kushe, Zmijani, F.Rragami, Jera, Dedja, Vukatana, Hafizi, Briza, Luçi, Fakja e Bushati, që drejtohet nga Esat Rakiqi.

Do të jetë goli i të zakonshmit Bega pak minuta para përfundimit që do të dhurojë fitoren për Labinotin, teksa shpërthejë një stadium dhe qytet i tërë. Gogunja sërish i paprekur. Dramatike minuta e 77- të, kur Bushati i vetëm përballë portierit elbasanas, nuk shënon dot. Tri pikë përpara në renditje: Labinoti 32, 17 Nëntori 29, Partizani 27 pikë.

Kur kanë mbetur dhe 270 minuta për t’u luajtur, Labinoti do të barazojë 0-0 në Berat ndaj Tomorit të Guxim Muklit, ku luajnë Halili, dy Kokalarët, Zinxhiria, Mile, Matrapazi, A.Arbëri, Çilingiri, Firaj, Hoxha, Kovaçi. Nga ana tjetër, Lleshi, Deliu dhe Gogunja, tejet të vëmendshëm, do të përballojnë mirë presionin e vendësve, të mbështetur nga një tifozllik i jashtëzakonshëm. Pika kulminante, ajo e 30-të, kur Kovaçit, shënues i shquar, gjuan drejt këndit, por topi devijohet me mjeshtëri nga Gogunja. Në renditje ka një afrim, Labinoti 33 pikë, 17 Nëntori 31, Partizani 29.

Edhe 180 minuta, në Elbasan pritet me shumë interes, Labinoti-Besa. Para 15 mijë shikuesve, një formacion kavajas, që drejtohet nga Fisnik Kosova, ka në përbëre emra si Shkurti, Simaku, Karriqi, Çela, Xhihani, Idrizi, Kazazi, Pagria, Ramici, Shala, Mullaliu, Bajaziti e Duro. Arbitrojnë Hiqmet Kuka, Korab Cano e Bujar Pregja nga Tirana. Dramatike kur ka edhe 120 sekonda lojë, Lleshi me kokë pas një kërcimi të bukur, do të shënojë për 1-0 dhe elbasanasit janë me një dorë tek titulli. Kjo është fitorja e 14-të, një shifër rekord për skuadrën portierin Gogunja, që ka 995 minuta pa pësuar gol.

Gazetari i njohur, Ahmet Shqarri, lidhur me kronikën, momentin e shënimit të atij goli, ndërsa po drejtonte emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, kujton: “E bërtitura e Sefedin Allkjes për golin e shënuar edhe sot më tingëllon ashtu vrullshëm, me atë zë karakteristik entuziazmin që përcillte nga mikrofoni, kabina e stadiumit. E paharruar”. Tani, sfida vendimtare në Tiranë me Partizanin që humbet në Kuçovë 2-1 me Naftëtarin dhe 17 Nëntori që barazon në Tiranë 1-1 me Tomorin. Në renditje, Labinoti 35 pikë, 17 Nëntori 32 dhe Partizani 29.

Kur mbeteshin edhe 180 minuta për t’u luajtur në kuadër të kampionatit të sezonit 1983-1984, Elbasani shkon drejt një epilogu për një titull të ëndërruar nga breza futbollistësh, qytetarë, pasionantë dhe tifozë. I munguar në historinë e klubit me traditë në konkurrimet dhe pjesëmarrjet në kampionatet kombëtare. Në këtë atmosferë janë zhvilluar dy takimet e fundit, me ngjarje befasuese nga njëra tek tjetra.

Sidoqoftë, me një përfundim të rëndësishëm dhe Labinotin protagonist, që do të shpallet kampion kombëtar për herë të parë. Gjithçka në harkun e dy javëve, të 180 minutave mbyllëse të sezonit. Një 90- minutësh shoqëruar me fitoren e bujshme, titullin e siguruar në “Qemal Stafa”, te humbja e thellë pas një jave para publikut në Elbasan, ku zhvillohet edhe festa. E diel 13 maj, në kombëtarin kryeqytetas të mbushur plot.

(13 MAJ 1984)

PARTIZANI-LABINOTI 1-2

SHËNUES: Tomorri 42’ / Asllani 36’, Bega 72’

PARTIZANI: Musta, Eksarko, Ahmetaj, Hysi, Ocelli, Rrapo (Lika 46’), Duro, Lame, Skuro (Çuçi 63’), Tomorri, Gega. Trajner: Bejkush Birçe

LABINOTI: Gogunja, Arapi, Lleshi, Deliu, Rama, Popa, Mustafaraj, Asllani, Tafani, Agalliu, Luniku (Bega 46’). Trajner: Frederik Jorgaqi

GJYQTARË: A.Hoxha, S.Papa, A.Toska (Fier);

Shikues: 12.300

Interesim i jashtëzakonshëm. Ndeshja transmetohet direkt në “TVSH” në komentin e Vladimir Grillos dhe në radio nga Ismet Bellova. Një Shqipëri me sytë dhe veshin te radioja. Gogunja në kërkim të paprekshmërisë së portës. Ndeshja e fundit është me Luftëtarin në Elbasan. Bashkim Tufa në “Sporti Shqiptar”, shkruan: “Loja e skuadrës elbasanase i shëmbëlleu një provimi të suksesshëm, një tregues në rritje të kampiones së re, që pret edhe 90 minuta për t’u kurorëzuar.

7f165619-d8bd-4886-b85a-fe112eb6eaec

Triumfi 2-1 i Labinotit në “Qemal Stafa” kundër Partizani

Me Gogunjën e sigurtë, Arapin që vështron nga sulmi, Deliun e sakrificës, Ramën energjik, që udhëhiqen nga Lleshi i pjekur, më tej Tafan punë shumë, Mustafarajn teknik, Asllanin e fuqishëm, Popën e freskët, që i krijon mundësi Agalliut luftarak, Lunikut të shpejtë dhe Begës me aq intuitë në zonën finalizuese”. Një fitore që i garanton titullin matematik Labinotit, kur Besa-17 Nëntori do të mbyllej 1-1, dhe në renditje Labinoti me 37 pikë kampion, i ndjekur nga 17 nëntori me 33 pikë.

Me golin e pësuar, rekordi i Gogunjës, do të bjerë pas 1037 minutash. Të dielën tjetër në Elbasan, pritet fitore dhe një festë e madhe. Por, ato 90 minuta do të kujtohen jo vetëm për trofeun e marrë, por edhe për një humbje të thellë dhe të papritur. E dielë, 20 maj, një qytet i tëri në stadium për të festuar.

(20 MAJ 1984)

LABINOTI-LUFTËTARI 0-3

SHËNUES: Angoni 5’, Boni 7’, Ksera 60’

LABINOTI: Gogunja (Dosti 15’), Arapi (Mitrollari 65’), Lleshi, Deliu, Rama, Mustafaraj, Popa, Tafani, Asllani, Bega, Agalliu. Trajner: Frederik Jorgaqi.

LUFTËTARI: Çumaku, Shameti, Ciko, Halili, Ksera, Angoni, Boni, Liti, Millo (Hysi 86’), Kalluci, Seiti. Trajner: Hito Hitaj

GJYQTARË: Namik Jareci, Bujar Pregja, Thoma Pine (Tiranë);

999c4d50-b92f-4e03-bf44-bcfa7da1a875

Moment nga ndeshja e fundit, Labinoti-Luftëtari 0-3. Arbitrat Namik Jareci, Thoma Pine dhe Bujar Pregja para daljes në fushë

Në një tribunë të mbushur me zyrtarë, drejtues e sportistë veteranë, një stadium që është përgatitur të fitojë e festojë, do të shtangë, zhgënjehet nga ajo humbje, pas atij rezultati shokues. Shumë shpejt në dy minuta lojë, gjirokastritët shënojnë dy gola.

Vendësit e kanë mendjen te trofeu, ndërsa angazhimi nuk është maksimal dhe presin vërshëllimën e fundit të Namik Jareci për ceremoninë e titullit. Kupën fituesve, kapitenit Lleshi do ia dorëzojë kryetari i FSHF-së, Mehdi Bushati. Renditja përfundimtare e kampionatit të 38-të kombëtar është: Labinoti kampion 37 pikë (15 fitore, 7 barazime, 2 humbje dhe golavarazhi: 26-14), 17 Nëntori 34 dhe Partizani 30. Në atë sezon, Traktori i Lushnjës dhe 31 Korriku i Burrelit bien në Kategorinë e Dytë.

Në një anketë të gazetarëve, korrespondentëve të sportit në rrethe, Labinoti është njëkohësisht edhe kampionia e fazës së dytë me 20 pikë, si dhe skuadra më e mirë jashtë fushës së saj, me 17 pikë të grumbulluara. Labinoti është gjithashtu ekipi që ka pësuar më pak gola. Bujar Gogunja do të shpallet portieri më i mirë i kampionatit, ndërsa bashkë me të edhe kapitenit Ferdinand Lleshi. Por, cilët ishin lojtarët e atij triumfi kolosal?

Nga stafi teknik, me trajnerët Frederik Jorgaqi (1942-2007) e Dashamir Stringa, te portierët Bujar Gogunja (1957-2022) e Muharrem Dosti (1964), për të vazhduar me Shkëlqim Asllani (1963), Ardian Popa (1962), Zyber Bega (1961), Stravri Mitrollari (1961), Zamir Arapi (1962), Luan Deliu (1958), Sokol Branica (1962), Sokol Gjuraj (1963), Ferdinand Lleshi (1956), Kostandin Rama (1961-2020), Albert Kaloti (1962), Kastriot Vrapi (1966), Vladimir Tafani (1964), Jovan Shegani (1961), Dashamir Luniku (1962), Roland Agalliu (1961), Bashkim Staceni (1959), Edmond Mustafaraj (1959) dhe Edmond Kela (1967). Për të vijuar, me disa shifra që shoqërojnë triumfin e Labinotit, kampion:

Bega është autor i 6 golave, pas tij Mitrollari me 5, Agalliu, Luniku 3, Asllani 2. Popa, Tafani e Arapi, Staceni, Lleshi janë realizues të një goli. Një skuadër që në fushën e saj, së bashku me Flamurtarin morën 22 pikë, me një bilanc, Labinoti: 10 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje (golavarazhi 16-4), ndërsa në udhëtim statistikat tregojnë: 15 pikë, 5 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje; golavartazhi 10-10).

Luniku është autor i golit të 100-të dhe Bega i golit të 200-të kampionatit. Ai sezon do të mbyllet në muajin qershor, me Kupën e Republikës, që do të merret nga 17 Nëntori fitues 2-1 me Flamurtarin në finalen e zhvilluar në Shkodër.

* Vijon në numrin e nesërm me intervistën ekskluzive të Luan Deliut për të pathënat e titullit të parë;

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"