SPECIALE/ Nga masivizimi te risitë, Taulant Stërmasi: Jo më gara pa matës ere dhe rregullore, ju tregoj strategjinë për atletikën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2023 | 15:21

SPECIALE/ Nga masivizimi te risitë, Taulant Stërmasi: Jo më gara pa matës ere dhe rregullore, ju tregoj strategjinë për atletikën!

Pas një karrierë të jashtëzakon shme si trajner, me rezultatet më të larta që ka shënuar ndonjëherë në historinë e saj atletika shqiptare, Taulant Stërmasi ka marrë tashmë drejtimin e FSHA-së si president, duke fituar zgjedhjet në asamblenë e jashtëzakonshme të 19 majit.

WhatsApp Image 2023-05-30 at 14.49.27 (1)

Trajneri i mirënjohur kryeqytetas ka rrëfyer planin dhe objektivat që ka për Federatën Shqiptare të Atletikës në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”. Duke nisur nga masivizimi i atletikës, te risitë, marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe Komitetit Olimpik, si dhe deri te çështja e shumëpërfolur e buxhetit, Stërmasi tregon strategjinë e tij për federatën.

Ai gjithashtu tregon se si e kanë pritur Luiza Gega dhe sportistet e tjera të Tiranës kalimin e tij në krye të FSHAsë, ndërsa zbulon për gazetën se Gega do të ketë një trajner të huaj. Stërmasi, si njeri i terrenit, tashmë kaloni në rolin e presidentit.

Si kanë qenë për ju këto ditë të para në krye të federatës?

Nuk është se pozicioni i presidentit do të thotë që të ngulem në zyrë. Tani do të më duhet që të jem edhe më aktiv sesa kam qenë më përpara, sepse më duhet të lëviz nëpër qytete, të ta takoj klubet për problematikat që ka secili dhe ku federata mund t’u vijë në ndihmë, qoftë me bazë materiale apo me infrastrukturë sportive. Takime me kryetarët e bashkive për t’i mbështetur këto klube, qoftë duke u shtuar pak pagesat edhe trajnerëve. Ditët e para kanë qenë të mira, kam pritur urime nga federata botërore dhe nga federata europiane. Sigurisht që u kemi kthyer përgjigje, ata më kanë uruar për detyrën e re dhe sigurisht e shohin si mundësi bashkëpunimi dhe ne të gjithë luftojmë për ta çuar atletikën përpara. Në fakt nuk është një punë që unë nuk e kam prekur ndonjëherë më përpara, pasi kam qenë menaxher në kompani të mëdha, kështu që e di çfarë do të thotë të punosh “under stres” dhe të kesh ca afate, duke qenë se jemi në kulmin e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Cila është gjëja e parë që keni bërë me marrjen e drejtimit të FSHA-së?

Në nivel organizativ, gjëja e parë sigurisht që është mbledhja e kryesisë dhe diskutimi me këshillin drejtues, për diskutuar ku jemi, çfarë kemi bërë deri më tani dhe cilat janë projektet e mia për mandatin. Sigurisht që kam pasur mbështetjen e tyre, pasi është një luftë e përbashkët, ku secili nga ne do të shpërndajë përgjegjësitë dhe do të mundohet fort që ta çojë atletikën përpara. Mund të them që kam gjetur mbështetje të madhe nga KD-ja, sepse e dinë që jemi të gjithë në një varkë dhe nëse nuk punojmë të gjithë fort do të jetë e pamundur për ta përmbushur këtë sfidë në një kohë kaq të shkurtër.

Çfarë mendoni se duhet ndryshuar më së pari në organizimin apo funksionim e FSHA-së?

Shumë gjëra janë për t’u riparë, që nga mënyra e funksionimit, qoftë edhe nga mënyra e përqasjes që kemi ne si federatë. Nuk është se shoh gjëra që kanë qenë të gabuara, por shikoj gjëra që duhet të përshpejtohen, të ecin pak më shpejt sesa ka ndodhur më përpara. Duhet të kemi përqasje më të mirë me klubet, trajnerët dhe sportistët, pasi ata duhet ta ndiejnë gjithmonë federatën pranë tyre. Na duhet që të punojmë fort për të ndihmuar bazat poshtë që të kemi një rritje të masivitetit dhe sigurisht shtim të performancës sportive të sportistëve elitarë, si dhe kualitetit e kualifikimit të trajnerëve. Kështu që duke parë të gjithë strukturën e federatës nga poshtë lart, kuptoj që ne të gjithë punojmë për të njëjtën gjë dhe sigurisht që kjo mund të sjellë ndryshimin. Sportistët do ta kenë federatën mbështetje për çdo gjë që kanë nevojë, qoftë në momente dëmtimesh, në momente të vështira, por edhe kur kanë rezultate të larta, ne do të jemi afër tyre.

Cilat janë risitë që mendoni të sillni?

Risitë do të fillojnë që nga aktivitetet. Do të ketë pa diskutim fotofinish në çdo aktivitet. Do të jemi 100% të saktë me rregulloren e federatës europiane dhe botërore. Çdo aktivitet do të jetë i licencuar në formën që do të kemi matës ere, vijëzim, orare të përcaktuara, gjyqtarë të trajnuar. Do të jemi pak më të hapur me mediat, gjë që nuk ka ndodhur më përpara. Pra çdo media do të njoftohet të paktën një javë përpara për aktivitetet, në mënyrë që edhe ato të kenë mundësi të transmetojnë lajmet për ta prezantuar atletikën ashtu siç duhet. Do të kemi konferencë për shtyp para çdo aktiviteti, ku drejtuesit e federatës bashkë me sportistët dhe trajnerët më të mirë, do të jenë aty për të shprehur objektivat që kanë për atë garë dhe për aktivitetet e radhës. Kjo është mënyra më e mirë që ne të komunikojmë me mediat, por qoftë edhe me publikun, për të treguar se ku është atletika sot dhe çfarë presim ne. Një nga pikat që përmendët është edhe masivizimi i këtij sporti.

Si mendoi ta arrini këtë?

Do të fillojmë urgjentisht me masivitetin. Po identifikojnë të gjithë infrastrukturën sportive që ka atletika sot në të gjithë Shqipërinë në ato qytete ku ne kemi mundësi të bëjmë atletikë. Pas kësaj, kjo nuk do të thotë patjetër të kemi vetëm pistë atletike, por qoftë edhe terrene ku mund të kryhen disiplinat e hedhjeve dhe të kërcimeve. Paralelisht po identifikojmë edhe mësuesit e edukimit fizik që kanë profil atletikën, në mënyrë që të kemi mundësi trajnimi sa më shpejtë të tyre dhe t’i bëjmë funksional ata nëpër qytete.

Si janë marrëdhëniet me Komitetin Olimpik?

Kam pasur takim që ditën e parë të punës, pasi jam zgjedhur president me kryetarin e Komitetit Olimpik, z.Fidel Ylli, për të gjetur rrugët e bashkëpunimit që kanë lidhje me trajnimet e trajnerëve. Një mbledhje pune për të parë se ku jemi me Lojërat Olimpike Europiane, që është një aktivitet i përbashkët. Kemi një projekt si ai i ekipeve sportive në basketboll dhe volejboll.

Mendoni që ka ardhur momenti që të përfshihet edhe atletika si mbretëreshë e sporteve?

Në takimin me presidentin e Komitetit Olimpik, z.Fidel Ylli, si dhe me sekretarin e përgjithshëm, z.Gerti Shima, një nga temat e diskutimit ishte edhe sporti në shkolla, ku pas evidentimit të infrastrukturës sportive që ne kemi në të gjithë Shqipërinë dhe burimeve njerëzore, do të shkojmë brenda verës me një projekt të detajuar në KOKSH. Me shumë gjasa në vitin 2024 do të jemi pjesë e projektit. Është një nga projektet më jetësore për federatën e atletikës, si dhe për të gjithë sportin shqiptar.

Të ndalemi pak te garat e rrugës, çfarë strategjie ka federata për to?

Do të mundohemi që t’i fusim në kalendarin e federatës në të gjitha qytetet, garat e rrugëve, të cilat sot zhvillohen shumë sporadikisht dhe jashtë kontrollit të federatës. Nuk është e thënë të jenë patjetër maratona, mund të jenë edhe distanca më të shkurtra dhe të përfshijnë të gjithë fëmijët e shkollave dhe të gjithë qytetit. Në një farë forme kjo është edhe çështje sociale. Për këtë do të filloj turin, ku do të takoj të gjithë kryetarët e bashkive dhe pres suportin e tyre, ndërsa ata do të kenë mbështetjen e federatës për çështjen teknike të bërjes së garave të rrugës. Pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për qytete të mëdha apo të vegjël. Qëllimi është që qytetet të lëvizin dhe federata e atletikës të bëjë aktivitete kudo duke i mbështetur me pjesën teknike. Kjo është një mundësi që ne me një grup skautësh apo seleksionuesish nga federata të evidentojmë dhe të zgjedhim talentet e reja të atletikës, të cilët nesër mund të jenë kandidatë për ekipin kombëtarë.

WhatsApp Image 2023-05-30 at 14.49.27 (2)

Si e kanë pritur Luiza Gega dhe sportistet e tjera të Tiranës zgjedhjen tuaj për t’u bërë presidenti i federatës?

Në fillim fare të them të drejtën të gjithë sportistët e mi më kanë suportuar në fakt, sepse sipas tyre mendonin që do të isha njeriu i duhur për federatën për ta çuar në një nivel tjetër. Por pas zgjedhjes ka pasur një çorientim, sepse kjo pjesa ime tani që jam president dhe nuk duhet të jem më trajner, e kanë pak të vështirë këtë fakt. Sigurisht që unë kam dy asistentë që po i mbështesin, të cilët janë trajnerë.

Pas shumë vitesh Luiza do të ketë një tjetër trajner, kush do të jetë ai?

Për Luizën po luftojmë fort që të gjejmë një trajner të huaj dhe jemi në negociata. Një njeri që ta suportojë Luizën qoftë në grumbullimet jashtë, gjithashtu edhe për stërvitjen në Shqipëri. Kemi dy kandidatë dhe po shikojmë mundësitë. Akoma nuk mund të them se cili do të jetë, pasi është në bashkëpunim mes meje dhe Luizës, në mënyrë që të gjejmë njeriun e duhur. Sigurisht që bëhet fjalë për trajnerë të nivelit të lartë ndërkombëtarë, të cilët kanë nxjerrë sportistë shumë të mirë në garën e 3000 metrave me pengesa deri në nivel kampion bote.

Duke kaluar tek aktivitetet, cilat janë ato të radhës?

Jemi “full” këtë sezon dhe unë kam një kohë shumë të shkurtër për të menduar për aktivitetet e radhës, qoftë për t’i ndryshuar gjërat nga “a”- ja në “zh”. Më 3 qershor kemi kampionatin e të rinjve në Elbasan dhe sigurisht që duhet të organizojmë një aktivitete që duhet të jetë më i mirë se të gjithë të tjerët. Më 20, 21 dhe 22 qershor është Liga Europiane, kur për herë të parë delegacioni shqiptar do të jetë më i madhi i mundshëm, pasi do të jemi mbi 40 veta. Më pas kemi Kampionatin Europian për U-20, Botërorin për të rritur në gusht, kemi Lojërat Olimpike Rinore për moshat nën 18 vjeç. Kemi gjithashtu Kampionatin Ballkanik për U-18 dhe U-20, ku do të shkojmë me delegacion të mirë dhe kemi disa sportistë pretendentë për medalje. Kemi Kampionatin Ballkanik për të rriturit, ku do të jetë si zakonisht Luiza kandidate, por sigurisht edhe Franko Burraj është në nivele shumë të mira.

Me çfarë objektivash do të futeni në këto kompeticione?

Do të luftojmë fort për pjesën e medaljeve. Sigurisht që është kohë e shkurtër për t’i kërkuar rezultatet një presidenti që ka një javë në detyrë. Ky nuk është një projekt që mund të zgjasë as për 6 muaj apo për 1 vit, pasi është një projekt që investimin i sotëm i jep rezultatet pas 4 apo 5 vitesh. Sigurisht që secili nga ne duhet të vendosë nga një tullë dhe nuk ka rëndësi kush do të jetë presidenti nesër. Duhet të punojmë fort që brezat e parë të fillojnë dhe të mbajnë atletikën me rezultate të larta.

Do të ketë grumbullime për Kombëtaren?

Do të kemi një grumbullim para Lojërave Europiane, që do të mbahen në Krakovë, një grumbullim që ekipi kombëtar të ketë mundësinë të njihen me njëri-tjetrin sigurisht që të shtojnë edhe performancën sportive. Do të kemi gjithashtu edhe konferenca për shtyp, ku secili nga sportistët, qoftë edhe federata do të marri ca objektiva dhe kanë lidhje me pozicionimin tonë sa më të mirë krahasuar me të gjitha shtetet e tjera. Janë porositur me shpenzimet e mia uniformat më të mira që ka pasur ndonjëherë federata për të gjithë ekipin dhe delegacionin, që ta përfaqësojmë flamurin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme.

FSHA-ja nuk vjen me imazhin më të mirë pas atij skandali që tronditi federatën disa muaj më parë. Keni kontaktuar me ndërkombëtarët…?

Këto ditë do të nisem për në Lozanë, do të pritem nga presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i federatës europiane për të parë rrugët e bashkëpunimit dhe se çfarë mundësish do të kenë ata dhe ne që atletika shqiptare të jetë në kulmet e veta. Është një sfidë e re dhe e madhe. Një takim për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit afatgjatë me ta. Në letrën e urimit prej tyre sigurisht që kërkohet bashkëpunim i përhershëm për ta çuar atletikën tonë në nivele të larta dhe kjo është lufta e madhe e imja si dhe e tyre. Me federatën botërore do të kem një takim të radhës besoj për një muaj me sekretarin e përgjithshëm, ndërsa me presidenti kam takim në gusht, kur do të mbahet kongresi. Marrëdhëniet janë shumë të mira me ndërkombëtarët, si dhe me të gjithë presidentët e federatave të rajonit.

Ndërkohë, një nga problemet më të mëdha mbetet edhe çështja e buxhetit. Si keni menduar që ta zgjidhni?

Shtimi i të ardhurave sigurisht që është një luftë më vete. Te shtimi i të ardhurave gjithmonë kemi kërkuar që të jenë lekët e buxhetit të shtetit. Buxheti ka një limit të caktuar dhe ne do të luftojmë fort që të marrim maksimumin, por nuk mund të kufizohemi me vetëm lekët që vijnë nga qeveria shqiptare, pasi duhet të punojmë edhe me sponsorët dhe me partnerët ndërkombëtarë, kështu që sigurisht kjo do të jetë pjesë e diskutimit. Gjithashtu edhe garat e rrugëve, që të flasim realisht kanë qenë një nga pikat e zeza të federatës sonë të atletikës, pasi nuk kemi pasur asnjë të ardhur që vinte nga evente të tilla, kur të gjithë federatat homologe 30% të buxhetit e nxjerrin pikërisht nga garat e rrugës. Kështu që një nga hapat e parë do të jetë kjo çështje. Nuk besoj që do të kem probleme me bashkitë, pasi e gjitha bëhet për të zhvilluar sa më shumë aktivitete. Sa më shumë aktivitete të ketë një qytet, aq me i gjallë dhe aq më rinor do të jetë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"