Kur Dinamo 2008 u bë DINAMOIADA…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2023 | 20:26

Kur Dinamo 2008 u bë DINAMOIADA…

NGA BESNIK DIZDARI

“…Gjithçka është një dinamoiadë e vërtetë, që vjen mbas 58 vjetëve të themelimit të saj të pandalshëm. Sepse Dinamot e shumta janë në shuarje e sipër në gjithë ish-Lindjen Komuniste… E, në kampionatet e Shqipërisë kanë arritur të marrin pjesë deri katër Dinamo: Dinamoja e Tiranës, Dinamoja e Shkodrës, Dinamoja e Durrësit, Dinamoja e Vlorës. Madje një herë, tri prej tyre kanë qenë së bashku në një kampionat të vetëm kombëtar, atë të vitit 1955…

dinamo 2008

Kjo është historia, ose kujtesa kombëtare edhe në sport, pa njohjen e së cilës nuk mund të bëhet as gazetaria e Shqipërisë Demokratike. …Nuk ka fyerje më të madhe për Dinamon e Tiranës, që në ditët e titullit të saj të 17-të, ta quash “nëndetëse”, siç pamë të dielën disa tituj a nëntituj gazetash. Kur dihet mirë se mbiemërimin “nëndetëse” ia pati vënë i paharrueshmi Myslym Alla përmes ironisë së tij të hollë, për të treguar forcën e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, i cili me mënyrat e tij kërcënonte majtas e djathtas “armiqtë” e Dinamos… …

Të shtunën, Dinamoja e Tiranës ka siguruar jetëgjatësinë e historisë: dy herë kampione në gjashtë vjet të shekullit XXI, 17 herë kampione e Shqipërisë midis dy shekujve, e dyta pas Sport Klub Tiranës së paarritshme në tituj: 23 herë. Doemos pa i përfshirë kësaj të fundit dy titujt e Kampionateve të Luftës. U pa kështu, se kjo Dinamo e re e vitit 2008, e kishte fushën e “Selman Stërmasit” si të vetën. Nuk pyeti për publikun, nuk i bëri përshtypje assesi se jashtë tribunave mbetën disa qindra tifozë më tepër të Partizanit.

Për çudi, të sajtë kësaj radhe erdhën më të shumtë se asnjëherë në histori. E la Partizanin t’i vinte në fushën e vet, mbasi fati i blatoi një 11-metërsh “italian” të minutës së katërt, të cilin gjyqtari 35-vjeçar, Paolo Tagliavento, nga Terni, e dha në stilin e hershëm të legjendarit Concetto lo Bello, por të një shkolle edhe të re të tipit Collina. Mandej pas këtij kryesimi 1-0 qysh në 360 sekondat e para të lojës, ajo u bë sunduese e madhe taktike e gjithë ecurisë së 90 minutave. Madje edhe kur mbeti me 9 vetë përballë 11 të kundërshtarit…

Ajo ishte një Dinamoiadë, për të nënkuptuar, kësisoj, shndërrimin në një epope shqiptare natyrisht, një histori sa 90-minutëshe po aq 17-titujshe të kampiones dinamase shqiptare. Po ta vëresh edhe përimtosh me vëmendje, sheh se ajo ka paraqitur një futboll tipik tradicional të Dinamos: sulm i menjëhershëm, që nuk vjen prej një vrulli, bie fjala partizanas, por prej një pak pasimëshi të mbështetur mu në teknikë, që ngjitet lart te 18 golat e Pero Pejicit dhe mandej të disa gjuajtësve të tjerë periodikë…

Dinamo5

…Ajo ishte një Dinamo që la 5 pikë mbrapa Partizanin, por pa pikë mëshire la mbrapa 14 pikë skuadrën e tretë, Besën e Kavajës, 18 pikë KS Elbasanin, 20 pikë Shkumbinin, 26 pikë Flamurtarin. Ishte një Dinamo, e cila la mbrapa 21 pikë stërkampionen SK Tirana dhe 25 pikë klasiken Vllaznia e Shkodrës… Suksesi i Dinamos 2008 bën kështu pjesë në atë që ne po e quajmë Dinamoiadë. Natyrisht i nënshkruar prej firmës së butë të trajnerit të plot 21 javëve, Agim Canaj, dhe e vulosur plot forcë prej trajnerit të 12 javëve vendimtare, Ilir Daja, një kampion i Dinamos në të largëtën 1990…

Për herë të parë në histori Shqipëria ka një kampione, në të cilën 8 kampionë nuk janë shtetas shqiptarë. Dhe në krye të vendit katërshja kroate: Granic, Bodrusic, Vincetic, Pejic. Pa harruar se këta titullarë, shtetas të huaj, nuk mund të bënin asgjë, sidomos pa shqiptarë të tillë si Kotorri e Pisha, Poçi e Ishka, Allmuça e Kuli, Ferraj e Pema, por as pa Plakun e ri, aq vendimtar në 16 ndeshjet e para të kampionatit. Prej të cilëve vetëm njëri është kampion i 2002-shit:

Dinamo

Arian Pisha – regjisori, i cili prej larg pati ndër duar gjithë drejtimin dinamas në fushë e blertë.  Kjo është Dinamoja e Dinamoiadës sonë (pa dëshirë për kakofoni), e cila gjithë jetën ka “vjedhur” me zgjuarsi heronjtë e të tjerëve për t’i bërë të sajit. Emrat janë të pafund:

Bakalli, S.Begeja, Teliti, B.Boriçi, Q.Cungu, L.Dashi, Z.Gjinali, Duma, Dh.Gjyli, Halluni, S.Jareci, B.Kavaja, Lubonja, M.Metani, Mirashi, S.Peqini, Rreli, Xh.Shaqiri, Tallushi, Vathi, Verrija, M.Vila, Vogli, Qoshja, Duro, Halili, S.Gjoci, Bushati, J.Saraçi, Hushi, Çeço, Zhega, Dauti, R.Ibërshimi, E.Hafizi, Çiraku, Targaj, Sh.Ballgjini, Strakosha, R.Vata, Canaj, Ahmataj, Driza, Gallo, F.Xhafa, Romanishin, Qorri, Dhëmbi, D.Xhafa, Qose, K.Asllani, Tiko, A.Duro, Pisha, Kotorri, Abraham, Pejic, Vincetic, Ishka, Granic, Poçi, Kuli, Bodrusic, Diop, Pema, Plaku, Pollozhani, Mile, Hanuch, Kotja, Çela.

Nuk i kemi harruar as Pernaskën, as Demollarin, as Zërin, as Markon e të tjerë, por këta ne i quajmë dinamas autoktonë. Thotë Fishta: “Historinë e shkruen koha, e koha âsht si deti, që me valë të veta dalkadalë të gjitha bazhgaret e kashtat i qetë m’breg”.

dinamo2

Edhe Dinamoiada e Dinamos është një histori pa të cilën nuk mund të gjykojmë asgjë. Por sot, për çudi, jashtë kampionatit kombëtar të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"