Çka më kujton fitorja madhështore 3-0 me Çekinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2023 | 21:41

Çka më kujton fitorja madhështore 3-0 me Çekinë…

NGA BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Fitorja madhështore 3-0 e 12 tetorit 2023 me Çekinë për Kupën e Europës, më kujton Shqipërinë 1946 – Kampione e Ballkanit mbas fitores 1-0 me Rumaninë.

Mandej më kujton tri ndeshje të vitit 1948, që bënë bujë në gjithë Europën, ato Rumani-Shqipëri 0-1, Shqipëri – Hungari 0-0 dhe Jugosllavi- Shqipëri 0-0. Të gjitha për kampionatin ballkanik dhe të Europës Qendrore, që për çastin e vunë Shqipërinë në krye të grupit të këtij kampionati, të cilin politika e Stalinit e ndaloi të vazhdonte.

Fitorja madhështore me Çekosllovakinë më kujton fitoret e pashlyeshme të vitit 1950 Shqipëri – Çekosllovaki 3-2 e 2-1. Ajo më kujton barazimin 1-1 me Irlandën e Veriut britanike të George Best më 1965, që shkaktoi eliminim e saj prej kampionatit botëror.

Më tej, fitorja madhështore me Çekinë më kujton barazimin e përmasave botërore Shqipëri – RF Gjermane 0-0 të vitit 1967, që gjithashtu shkaktoi eliminimin prej kampionatit të Europës, të nënkampiones së botës në të mirë të Jugosllavisë. Fitorja madhështore me Çekinë më kujton fitoren 3-0 kundër Turqisë më 1971-shin në Tiranë po për kampionatin europian.

Shqiperia

Ajo më kujton fitoren po madhështore 2-0 me Belgjikën në Tiranë më 1984-ën për Kupën e Botës. Fitorja e sotme madhështore me Çekinë më kujton paksa edhe fitoren 2-0 të Shqipërisë në miqësoren në Athinë më 1991-shin, e para e këtij rangu mbas 43 vjetëve.

Ajo më kujton dy fitoret brenda e jashtë fushës 3-0 e 3- 2 me Moldavinë në vitin 1995, po për kampionatin europian – i vetmi rast ky kur Shqipëria mposht dy herë një kombëtare të një shteti tjetër për kampionatin europian. Pa harruar fitoren e bujshme 4-1 në miqësoren në Turqi në vitin 1998. Fitorja madhështore me Çekinë më kujton fitoren po madhështore me Rusinë, gjigante në vitin 2003, atë 3-1 në Shkodër po për kampionatin europian.

Po aq më kujton atë 2-1 me Greqinë në Tiranë më 2004- ën vetëm 8 javë mbasi kjo ishte shpallur kampione e Europës. Fitorja madhështore me Çekinë më kujton fitoren po madhështore të Oslos me Norvegjinë, në tokën e saj pra, më 2013-ën për Kupën e Botës.

Por kujtesa më çon edhe te përjetimi i fitores tjetër madhështore, ajo 1-0 në Portugali më 2014-ën e kampionatit europian. Fitorja madhështore me Çekinë më kujton fitoren e paharrueshme të Elbasanit 1- 0 më 2015-ën me Francën, e cila nuk ka lënë gjë pa fituar në futbollin europian e botëror.

Ajo më kujton fitoren 3-0 me Armeninë në fushën e kësaj, çka e çoi për herë të parë Shqipërinë në finalet e kampionatit europian, në këtë rast ai i vitit 2016. E bashkangjitur me këtë, fitorja madhështore 3-0 me Çekinë më kujton fitoren historike 1-0 të Shqipërisë kundër Rumanisë në finalet e atij kampionati, i njohur si “FRANCË 2016”, e para dhe e vetmja fitore shqiptare në finalet e një kampionati europian. Fitorja e sotme madhështore me Çekinë më kujton edhe turneun e Ligës së Europës 2020, ku për herë të parë në histori Shqipëria zuri vendin e parë në një grup kualifikimesh të Europës.

Festa

E më kujton gjithashtu fitoren unike 1-0 me Hungarinë, dikur e Ferenc Pushkashit, ndeshje e vitit 2021 për Kupën e Botës. Kaq? Dhe ja ku papritmas, më mbërrin kundërshtimi ndaj gjithë kësaj “elegjie futbollistike”, që më thotë se: Fitorja madhështore me Çekinë, nuk duhej të m’i kujtonte të gjitha këto ndeshje të pashlyeshme të mësipërme, sepse ajo nuk mund të krahasohet me asnjërën prej tyre.

Nuk mund të krahasohet, sepse fitorja 3-0 e 12 tetorit 2023 me Çekinë, me sensacionalitetin e saj të shifrave 3-0, fikson të katërtën ndeshje radhazi pa humbur Shqipëria në një turne eliminator eurobotëror. Madje po për herë të parë në histori ajo fikson katër ndeshje, brenda së cilave është bilanci i paparë i 4 fitoreve në pesë ndeshje radhazi: 2-0 Moldavisë, 3-1 Ishujve Faroe, 1-1 në Pragë me këtë Çeki, 2-0 me oloninë dhe 3-0 në Tiranë po me këtë Çeki.

“Nuk duhej” pse të guxoja t’i krahasoja ndeshjet e mësipërme me fitoren madhështore të Tiranës të së enjtes që shkoi, këtë 3-0 me Çekinë, sepse kjo fitore për herë të parë në histori dy ndeshje para mbarimit, e vendos Shqipërinë në krye të grupit të saj. Çka po ngjet duke lënë mbrapa dy fuqi të mëdha të futbollit të Europës, të cilat janë Çekia dhe Polonia të mposhtura prej Shqipërisë për herë të parë në histori. Kështu pra.

Nuk duhej të më “gabonte” gjykimi im deri aty saqë të guxoja t’i krahasoja ato ndeshje, me 3-0 e Çekisë së sotme. Çka pothuajse e çon Shqipërinë për herë të dytë brenda tri edicioneve të fundit në finalet e një kampionati të Europës. Kësisoj, “nuk duhej” t’i krahasoja ato ndeshje më këtë “bohemiane” të Shqipërisë së sotme, e cila luan futbollin më modern në gjithë historinë e saj. Të cilën mund ta përmbledh kështu:

Kolektivitet mbi të gjitha, gola spektakolarë, qëndrueshmëri morale e fizike e pashembullt, gjakftohtësi, prakticitet i një mendimi racional si asnjëherë tjetër, mosdorëzim edhe në çastet më të vështira, modesti e futboll i pafjalë, një futboll modern që e bind topin e rrumbullakët që “pa bërë zë” të dëgjojë “urdhrat” e lojtarëve. Në fund të fundit, nuk duhej t’i krahasoja ato ndeshje, edhe pse të mrekullueshme, me këtë të Çekisë së sotme 3-0.

Kështu edhe ngaqë Federata Shqiptare e Futbollit, me në krye presidentin e saj Armand Duka, vendosi t’ia dorëzonte Kombëtaren e Shqipërisë për herë të parë një trajneri të përtej Oqeanit, por i vendit më legjendar të futbollit botëror. Dihet, është Brazili i Peles e i Garinchas. Emri i këtij trajneri është tejet i gjatë, si për të dashur të na kujtojë se suksesi i tij mund të zgjasë deri aty ku nuk të shkon mendja. E quajnë: Sylvio Mendes de Campos Junior – Silvinjo!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"