Bashkëshortja e legjendës Paolo Rosi: Pse hapëm një ekspozitë në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 17:44

Bashkëshortja e legjendës Paolo Rosi: Pse hapëm një ekspozitë në Tiranë

Nga UVIL ZAJMI
Paolo Rosi është ndarë nga jeta më 9 dhjetor 2020. Bashkëshortja Federika Kapeleti është aktualisht presidente e Fondacionit “Paolo Rosi”. Bëhet fjalë për një gazetare, shkrimtare, botuese dhe bashkëpunëtore e disa të përditshmeve italiane. Zonja Kapeleti është diplomuar në fakultetin “Leteratura Moderne” dhe në Shkenca e Komunikimi. Ajo aktualisht është edhe presidente e Serisë A të femrave në Itali.

Federika Kapeleti, bashkëshortja e të ndjerit Paolo Rosi

Federika Kapeleti, bashkëshortja e të ndjerit Paolo Rosi

Pa asnjë hezitim, me dëshirën dhe kënaqësinë, duke dhënë detaje të veçanta për ekspozitën e hapur në Tiranë, bashkëshortja e Paolo Rosit, flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, për të qenë sa më afër admiruesve dhe pasionantëve të ishsulmuesit italian. “Admirimin dhe respektin për Paolon e ndjeva që kur erdha disa muaj më parë. Paolo ishte tejet i njohur dhe shumë popullor edhe në Shqipëri. Nisur nga interesimi, vizitorët e shumtë, vendosëm që ekspozitën ta mbajmë të hapur edhe një javë më shumë”, tregon Kapeleti.

Zonja Federika, si ju erdhi ideja për ta sjellë një ekspozitë të tillë në Tiranë?
Nisur nga informacioni që kishim se në Shqipëri futbolli italian ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i ndjekur dhe lojtarët italianë janë tejet të njohur në vendin tuaj, kontakti i parë ishte pak muaj më parë. Pikërisht kur bashkë me Marko Shembrin dhe Arrigo Sakin, erdhëm dhe u takuam me kryeministrin Edi Rama. Ishte ai që e mbështeti këtë projekt dhe që fondacioni “Paolo Rosi” të vinte edhe në Tiranë.

Çfarë do të thotë të hapësh një ekspozitë të një futbollisti me famë?
Kënaqësi dhe përgjegjësi. Meritë ka padyshim zoti Shembrin, drejtori i ekspozitës, një person shumë korrekt, profesionist i vërtetë për të tilla evente. Organizimi i një ekspozitë nuk është i lehtë. Kërkon një punë shumë impenjative, me përgjegjësi, duke nisur nga transporti, vendosja, kurimi, ruajtja e materialeve etj. Kemi organizuar edhe të tjera në Itali dhe jashtë saj, gjithmonë me një përkujdesje model.

Kjo është hera e dytë që “Rosi” vjen në Tiranë…?
Në mënyrë simbolike po. Ka qenë në vitin 2000, kur në Tiranë erdhi ekipi kombëtar i veteranëve të Italisë dhe u zhvillua një miqësore me Shqipërinë. Paolo e kujtonte gjithmonë, fliste me entuziazëm për ardhjen e tij për herë të parë në Shqipëri. Tirana i kishte lënë mbresa, me mikpritjen, stadiumin e mbushur dhe popullaritetin apo simpatinë që ai gjeti këtu, nga qytetarët, tifozët dhe njerëzit.

ekspo paolo rosi

Rikthehemi dhe flasim pak për hapjen dhe përurimin e kësaj ekspozite. Çfarë ju bën përshtypje?
Gjëja e parë që dua të bëj, është që t’i falënderoj të gjithë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, presidenti i Federatës, Armand Duka, si dhe personelin e ambasadës italiane në Tiranë, ambasadorin Fabricio Buci. Më pas, Federatën Italiane të Futbollit, presidentin Gravina dhe veçanërisht Arrigo Sakin, miqtë e Paolos si Marko Tardelin dhe Antonio Kabrinin që ishin të pranishëm në hapjen e saj. Pastaj të pranishmit dhe vizitorët e shumtë.

Me ju ishte dhe Arrigo Saki…
Është kënaqësi të kesh pranë Arrigon, një njeri i afërt i familjes, personalitet, figurë e madhe e futbollit italian dhe atij botëror. Simbole për brezat, të tillë janë edhe sot. Gjithmonë e them, se me Paolon futbollin e kam pasur në shtëpi, në familje. E kam përjetuar vazhdimisht nga afër.

paolo rosi

Për kureshtarët, si keni mundur të siguroni një arkiv kaq të madh?
Ka qenë dhe vazhdon të jetë një punë kolosale. E nisur në shumë vite, në mbledhjen, arkivimin, ruajtjen e sistemimin e atyre çfarë ju shihni, e që janë të vendosura në atë ekspozitë. Sigurisht një pjesë janë të familjes të ruajtura nga Paolo. Fanellat e lojtarëve kundërshtarë, miqve, janë ato që ai shkëmbyer, ia kanë dhuruar. I mbante me kujdes, dhe i shihte si diçka me shumë vlerë. Për ne, familjen, por edhe për vizitorët, të veçanta janë ato të Botërorit ’82, kur Italia u shpall kampione.

Janë ekspozuar edhe materiale të personaliteteve të ndryshme…
Sigurisht dhe për to një ndihmesë të madhe kanë dhënë koleksionistët, familjet, dashamirësit, institucionet, fededratat, miq dhe kolegë të Paolos. Deri edhe FIFA, UEFA, është shprehur pozitivisht në pasurimin e këtij arkivi me mundësinë për t’i demonstruar në ekspozitat që kemi hapur. Ka shumë interes, jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj.

Një alternim i brezave, emrave dhe legjendave, apo jo?
Është një ekspozitë komplekese dhe gjykoj që përcjell emocione. Kjo e reflektuar, pasqyruar jo vetëm me karrierën sportive të Poalo Rosit, por edhe të mjaft futbollistëve të tjetër të njohur, trajnerë dhe arbitra. Të tilla janë fanellat e disa legjendave, si ajo e Peles, Maradonës, e shumë të tjerë deri tek protokolli i ndeshjes së famshme Itali-Brazil, 3-2, e paharruar edhe për faktin se Rosi shënoi 3 gola.

paolo rosi

Ka edhe pak histori shqiptare, apo jo?
Ishte kënaqësi për ne, që edhe futbolli juaj të ishte pjesë e kësaj ekspozite. Në një kënd janë ekspozuar foto, sende të tjera me vlerë, që tregojnë raportet e futbollit shqiptar me atë italian. Ishte një bashkëpunim, marrëveshje reciproke, për të cilën dua të evidentoj ndihmën e dhënë edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti Duka. Ishte i gatshëm me stafin e tij për të bashkëpunuar. Pa harruar edhe Muzeun Kombëtar, që ofroi hapësirat, mjediset e tij, për ta pasur Paolon sa më të afërt me vizitorin. Ju falënderoj sinqerisht.

Si presidente e futbollit të vajzave të Serisë A, si e gjykoni një miqësore femrash Shqipëri-Itali?
Takime të tilla janë krejt normale. Pas ekipit të vajzave të Romës, që një vit më parë zhvilluan një miqësore me Partizanin në Tiranë, nuk e përjashtoj alternativën që të organizojmë edhe takime të tjera midis klubeve edhe ekipeve kombëtare të femrave. Mundësitë janë, mikpritja gjithashtu, raportet midis dy federatave, presidentëve, janë optimale. Le të jetë një projekt i afërt.

Zonja Federika, deri kur do të qëndrojë e hapur ekspozita?
Ekspozita ishte parashikuar të qëndronte e hapur deri më 21 shkurt. Por, nisur nga interesimi, numri i vizitorëve, vendosëm, që ajo të qëndrojë e hapur edhe një javë më shumë, pra deri më 28 shkurt. Besoj se diçka të mirë kemi bërë. Nga ana tjetër, një mesazh vërtetë i rëndësishëm për ne, familjen e Paolos e dhënë nga qytetarët, admiruesit e tij shqiptarë.

Nisma në nderim të italianit, një model edhe për Shqipërinë

Ekspozita mbi jetën dhe karrierën e ish-sulmuesit të madh italian, Paolo Rosi, do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Për opinionin sportiv shqiptar dhe atë kryeqytetas në veçanti, një ekspozite e tillë, e inauguruar më 1 shkurt me praninë e personaliteteve më të larta të vendit, ishte një befasi.

Kjo ekspozitë është e para e këtij formati që hapej në vendin tonë dhe për atë çfarë iu ofronte vizitorëve. Tejet me vlerë për nga përmbajtja, alternimi, për enciklopedistë, koleksionistë, historianë, hulumtues, admirues dhe kureshtarë. Është e kuruar me kujdes, elegancë, jo shumë e ngarkuar, por me detaje të përcaktuara mirë. Një ekspozitë me elementë, që e bëjnë të veçantë, tërheqës dhe që alternohen që në kontaktin e parë, deri kur largohesh prej saj. Një ekspozitë, ku vizitorit i jepet rasti, mundësia të ketë përballë, të shohë nga afër materiale sportive të rralla që lidhen me karrierën e një futbollisti të famshëm si i ndjeri Paolo Rosi. Kampion bote, fitues i “Topit të Artë”, “Këpucës së Artë”, i Kupës së Kampioneve të Europës, dy herë pjesëmarrës në fazën finale të botërorëve, titullar i Italisë së Bearzotit, kampion e Botës në Spanjë 1982.

5

I njohur jo vetëm në Itali, por në të gjithë Botën, edhe në vendin tonë, për disa breza, Rosi ka qenë dhe mbetet një përfaqësues karizmatik, goleador autentik në rivalitetin e kohës. Pra, një protagonist absolut i futbollit italian, atij nostalgjik të Serisë A në përballjet kur luante Juventusi, Milani dhe Interi, si protagonist në shumë sfida historike, të cilat vetëm në TV dhe nga radio kemi mundur t’i ndjekim. E ndërsa viziton atë ekspozitë, ke një kontakt virtual, gjithçka e shoqëruar, pasqyruar me foto, trofe, fanella etj. Pastaj, pjesa tjetër, ajo me kolegët, kundërshtarët, miq, legjenda të jashtëzakonshëm të futbollit europian e atij botëror, të ndarë midis dy shekujve.

Nga fanellat e Lev Jashinit, Di Stefanos, Eusebios, Riverës, Maradonës, Platinisë dhe deri tek Pele, Rumenige, Krujf, Myler, Best e shumë të tjerë. Pa dyshim të tërheq vëmendjen një sektor, në të cilin një nga pavijonet që paraqet interes për kureshtarët, është ai ku sheh një fanellë, një top dhe një palë këpucë të Ballkaniadës ‘46, bashkë me foto të atij turneu mitik, triumfues të futbollit shqiptar. Pranë saj, edhe një rikthim te ndeshja e veteranëve, kur në vitin 2000, Italia e Paolo Rosit do të zhvillonte në stadiumin “Qemal Stafa” kundër atyre shqiptarë. Gjithçka e pasqyruar mjaft mirë, shoqëruar me imazhe dhe informacione tejet interesante.

NJË EKSPERIENCË QË DUHET TË NA SHËRBEJË

Një mendim dhe ide që të vjen menjëherë pasi ke parë ekspozitën e Paolo Rosit. Një eksperiencë që duhet të na shërbejë, pasi edhe vendi ynë ka figura dhe sportistë të mëdhenj, që meritojnë edhe ata të kenë të tilla organizime. Kur je përballë një ekspozite të tillë, e kupton mirë çfarë vlerash kanë, përcjellin, përfaqësojnë dhe përtej emocioneve mbeten si një formë për të rrëfyer historinë e një të kaluare për ata që e kanë përjetuar, por edhe për breza, gazetarë, hulumtues, të rinjtë e sotëm, si një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe traditës së një populli. Dhe jo vetëm në sport.

3

Shqipëria ka personalitete pa fund që duhen kujtuar e respektuar në përvjetorë dhe ceremoni të ndryshme. Ndonëse FSHF-ja ka kohë që ka nisur një fushatë duke tentuar të mbledhë një fond për një muze dhe arkiv të pasur, një angazhim që duhet vlerësuar. Por, kërkohet pjesëmarrje dhe kontribut i të gjithëve, përfshirë familje, individë, të afërm, klube, koleksionistë, ish-sportistëve, duke dokumentuar me fakte dhe dëshmi, për të krijuar traditën e munguar. Një praktikë, që nuk ka funksionuar në të kaluarën. Një mendim dhe ide që të vjen menjëherë pasi ke parë dhe je ndarë nga ekspozita për legjendën Paolo Rosi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"