“Sot vlen edhe barazimi”, Osmani: Të ndalim Dinamon, ja çfarë pres nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 12:01

“Sot vlen edhe barazimi”, Osmani: Të ndalim Dinamon, ja çfarë pres nga ekipi

Vllaznia do të kërkojë të vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa sot udhëton drejt Durrësit, aty ku Dinamo është pritëse.

qatip osmani

Në prag të këtij dueli, trajneri i shkodranëve, Qatip Osmani, është shprehur se edhe një barazim do të ishte i kënaqshëm, pavarësisht se objektivi në këtë takim janë vetëm tre pikët. Sipas tij, rikthimi i lojtarëve si Lorik Boshnjaku dhe Esin Hakaj, do të ndikojë pozitivisht tek skuadra. Osmani ka një apel edhe për tifozët që do të jenë në stadiumin “Niko Dovana” për të mbështetur Vllazninë.

Do të keni përballë Dinamon, që ka një rritje të ndjeshme këto javët e fundit. Çfarë ndeshjeje prisni?

Dinamo ka krijuar stabilitet në ndeshjet e fundit, shoqëruar me rezultate të mira dhe lojëra të bukura. Kanë individë të aftë që t’i zgjidhin situatat, kështu që puna jonë është ta ndalim këtë seri rezultatesh pozitive që kanë dhe jemi të gatshëm për këtë sfidë.

Ecuria pozitive u prish kundër Erzenit në Kupë. Sa mund të ndikojë në skuadër ajo ndeshje?

Ne e kemi analizuar ndeshjen me Erzenin dhe ndoshta nuk kemi luajtur aq keq sa për të humbur, por na ka munguar finalizimi, sepse kemi krijuar disa raste të pastra. Kemi qarkulluar topin mirë, por gjithsesi shfaqëm disa dobësi, të cilat jemi munduar t’i riparojmë gjatë kësaj jave. Unë mendoj se humbja kundër Erzenit nuk do të ndikojë negativisht, sepse kemi edhe një ndeshje të dytë ndaj tyre dhe kualifikimi është i mundshëm.

Jeni shfaqur i pakënaqur me skuadrën, sidomos në pjesën e dytë…

Ishte momenti që reagova ashtu, pasi ne përgjithësisht luajtëm mirë. Vlen aq dëshpërimi, pasi u humb loja dhe çdo humbje përjetohet negativisht. Megjithatë, na pret takimi i dytë, ku një gol diferencë është i rikuperueshëm.

Një barazim me Dinamon mund të quhet rezultat pozitiv?

Për situatën ku ndodhemi, edhe barazimi na vlen kundër Dinamos, por e përsëris se synimi jonë është të futemi në fushë për të fituar çdo ndeshje. Duhet të jemi të gatshëm në insistimin e lojës dhe objektivi i Vllaznisë padyshim që është fitimi i kësaj ndeshjeje.

Gara po bëhet më e fortë për katër vendet e para. Po e ndieni presionin e tre skuadrave të tjera?

Ne e kemi ditur se me kalimin e javëve, disa ekipe do të pretendojnë një vend në katërshe. Një nga ato është Dinamo, një rival direkt për katërshe. Ne po shikojmë vetëm lojën me Dinamon dhe jemi përgatitur për këtë. Duhet të mësohemi me presionin, pasi ai rritet nga java në javë.

Rikthehet edhe Boshnjaku, një “dhimbje koke” për formacionin?

Është diçka pozitive për ne. Na rikthehet Boshnjaku, por edhe Hakaj do të jetë i gatshëm, kështu do të kemi më shumë alternativa. Nuk mendoj se do të ndryshojmë shumë gjëra sa i takon formacionit.

Luhet të hënën, një ditë jo e përshtatshme për tifozërinë. Si e komentoni këtë pjesë?

Dita nuk është e përshtatshme, por shpresoj që ata tifozë që do të vijnë, të na mbështesin fuqishëm. Pres të jenë të flaktë, pasi edhe pse të paktë në numër, kanë qenë një mbështetje e madhe për ne.

Thatë që rikthehet Hakaj, në një kohë që debutoi në krahun e majtë edhe braziliani Jago Almeida…

Hakaj është një pikë e fortë për ekipin tonë. Pse gjërat në takimin me Erzenin për Kupë nuk shkuan siç duhet, ishte edhe mungesa e Hakajt.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"