Sot rinis stërvitja / Sezoni i 15-të në inferiore, Besëlidhja thellon rekordin “e zi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2022 | 9:46

Sot rinis stërvitja / Sezoni i 15-të në inferiore, Besëlidhja thellon rekordin “e zi”

Besëlidhja realizoi misionin, shmangu “play out”-in. E megjithatë, vend për t’u krenuar nuk ka. Një sezon i nisur me pretendime të mëdha dhe i trumbetuar me të madhe, por në fund maksimumi që arritën ishte qëndrimi në Kategorinë e Parë.

beselidhja

 

Edhe pse në momente të ndryshme të kampionatit menduan se mund të synonin edhe ngjitjen me anë të ndeshjeve shtesë, luhatjet e mëdha i futën sërish në ujëra të turbullta.

Kampionati për lezhjanët u mbyll në Shijak, atje ku pësuan një humbje minimale. Ajo nuk influencoi negativisht dhe kjo falë ndalesës së Pogradecit apo Turbinës, që shkuan në “play out”.

Besëlidhja fitoi vërtet diçka nga ky vit, pasi ndërtoi një ekip “bio” dhe shumica e lojtarëve do të jenë bazë edhe për vazhdimësinë. Megjithatë, konkluzioni është më shumë se i dhimbshëm.

Vazhdojnë të thellojnë rekordin “e zi” dhe sezonin 2022-2023 do të nisin të 15-in sezon radhazi në nivelin inferior. Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë 92-vjeçare të këtij klubi një gjë e tillë, por avashavash po bëjnë dy dekada larg Superiores.

Ndonëse ka pasur vite që i janë afruar aq shumë rikthimit në elitë, në fund nuk ia kanë dalë.

SITUATA – Skuadra e Besëlidhjes është lënë pushim edhe këtë të hënë për t’u grumbulluar vetëm sot. Nuk dihet nëse do të nisin direkt pushimet verore apo do të stërviten edhe për pak kohë.

Gjithsesi, largimet e para kanë nisur që të dielën. Mbrojtësi Milutin Cimesha, Darko Radenkoviç dhe mesfushori Zharko Iliç janë kthyer në Serbi.

Tre futbollistët iu bashkëngjiten Besëlidhjes për llogari të merkatos së janarit, duke zëvendësuar tre bashkëkombësit e tyre (mbrojtësin Nikolla Zerjal, mesfushori Sreçko Milivojeviç dhe sulmuesin Marko Jeremiç, që u larguan në fund të dhjetorit). Nuk dihet nëse do të kthehen më apo jo, pasi fillimisht do të negociojnë me drejtuesit.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"