Sot miqësore me Trepça ‘89, Sulovari: Po korrigjohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2023 | 10:45

Sot miqësore me Trepça ‘89, Sulovari: Po korrigjohemi

Besa projekton miqësoren e tretë. Pas fitores në Vorë dhe barazimit me Pogradecin, sot verdhezinjtë do të luajnë me Trepça ‘89 në aneksin stërvitor. Përballja me ekipin nga Mitrovica starton në orën 13:00.

sulovari

Pritej që afrimet “big” të vinin në mesjavë, por nuk do të ndodhë kështu. Të paktën këtë thotë për “Panorama Sport” Henri Sulovari, një nga shtyllat e verdhezinjve.

“Me sa dimë ne lojtarët, prurjet e merkatos i presim deri në fundjavë. Është punë e presidentit dhe trajnerit ajo pjesë. Detyra jonë mbetet të sakrifikojmë pa parë se kush do të vijë. E përsëris, grupi aktual, sikur askush të mos vijë, është aq solid dhe cilësor sa të luftojë deri në fund për Superioren. Është logjike që kur kërkon përforcime Tirana, Partizani apo Vllaznia, të mos kërkojë Besa. Por më shumë sesa merkato, ne duhet e mund të dëshmojmë vlerat reale që kemi. Nëse sot kemi vetëm 19 pikë, gjykoj se i gjithë faji mbetet vetëm yni dhe jo meritë e kundërshtarëve. Do të mjaftonin vetëm 6 pikë që sot Besa të ishte kryesuese. Sidoqoftë, ajo që iku, iku. Tani duhet vetëm që të mos përsërisim të njëjta gabime. Siç e shihni po zhvillojmë shumë miqësore dhe jo pa shkak. Jo për të ruajtur formën optimale, korrigjohemi, por edhe dhënë mundësi të rinjve që të fitojnë përvojë. Më kënaq fakti se shoh këto ditë një dëshirë të madhe të secilit për të dhënë maksimumin, edhe pse janë vetëm miqësore”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"