Sot mbahet Maratona e Tiranës, kryeqyteti pret eventin më madhor sportiv të vitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2023 | 8:50

Sot mbahet Maratona e Tiranës, kryeqyteti pret eventin më madhor sportiv të vitit

Tashmë gjithçka është gati për Maratonën e Tiranës, që sot do të mbajë edicionin e saj të shtatë. Këtë vit Maratona e Tiranës mirëpret më shumë se 5000 pjesëmarrës, jo vetëm nga Shqipëria, por gjithashtu edhe nga vende të huaja, gati për të sfiduar veten dhe për të arritur momente të rëndësishme në jetët e tyre.

MARATONA 6

Vrapuesit e huaj në Maratonën e Tiranës 2023 janë 756, të cilët vijnë nga më shumë se 45 vende të botës. Ashtu sikurse në edicionin e kaluar, edhe këtë vit do të garohet në katër kategori: “We too” 5 km, 10 km, 21 km dhe 42 km, ndërsa starti do të bëhet sot në orën 09:00 nga sheshi “Skënderbej”.

Ky është manifestimi më i madh sportiv i vitit në vendin tonë, ndërsa Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e aktivitetit, duke nisur që nga bllokimi i qarkullimit në akset që përshkruan maratona.

Për sa u përket çmimeve financiare, në kategorinë Maratonë (42.195 km) fituesit do të shpërblehen me 5000 euro për femra dhe meshkuj. Vendet e dyta do të përfitojnë nga 3000 euro dhe vendet e treta nga 2000 euro.

Në kategorinë gjysmëmaratonë (21.0975 km) fituesit do të përfitojnë 2000 euro, vendet e dyta 1500 euro dhe vendet e treta nga 1000 euro. Për kategorinë 10k, çmimet janë 800 euro për fituesit, 600 euro për vendet e dyta dhe 500 euro për vendet e treta.

Për kategorinë “We too”, 500 euro për vendet e para, 400 euro për vendet e dyta dhe 300 euro për vendet e treta. Kështu, e diela në Tiranë do të jetë një ditë sportive dhe feste, me mijëra vrapues që do të pushtojnë rrugët e qytetit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"