Skuadra e Kategorisë së Parë ndryshon trajnerin, i beson stolin… Sinan Bardhit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 20:26

Skuadra e Kategorisë së Parë ndryshon trajnerin, i beson stolin… Sinan Bardhit

Ka ndryshime te Turbina. Humbja e fundit me Besën ka “shkundur” pankinën. Rreziku që i kanoset ekipit për të rënë nga kategoria, ka detyruar presidentin që të largojë trajnerin. Alfred Allamani nuk do të jetë më në krye të cërrikasve për pjesën e mbetur të këtij kampionati.

sinan bardhi

E megjithatë, ai mbetet sërish pjesë e klubit. Këtë herë do të ketë një tjetër post, atë të drejtorit teknik. Është ky vendimi që ka marrë Gentjan Gjoka ditën e hënë, pasi kërkon që t’i japë një tjetër spunto grupit për 14 ndeshjet e ardhshme. Pasardhësin e ka gjetur menjëherë dhe nuk bëhet fjalë për një emër të panjohur. Do të jetë Sinan Bardhi “timonieri” i ri i të verdhëve.

Ai rikthehet në këtë rol që e kishte në sezonin 2018- 2019 (edhe asokohe e mori ekipin në mes të sezonit dhe u largua në qershor). Tekniku është prezantuar dje para ekipit nga vetë kreu i klubit dhe ka premtuar:

“Do jap më të mirën për Turbinë dhe do të fillojmë ngjitjen sa më shpejt”. Bashkë me të ka ardhur edhe trajner i ri portierësh. Bëhet fjalë për Llazi Gjikën, që do të jetë në krah të Sinan Bardhit.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"