Skënderbeu rinovon me ish-mesfushorin e Partizanit, dy titullarë jashtë planeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2023 | 11:04

Skënderbeu rinovon me ish-mesfushorin e Partizanit, dy titullarë jashtë planeve

Skënderbeu dhe Dean Liço do të jenë së bashku edhe për 2 sezone të tjera. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime të sigurta në klubin korçar. Një marrëveshje e cila shton cilësinë e mesfushës së ekipit bardhekuq për sezonin e ardhshëm.

skenderbeu

Në fakt, ka qenë një prej kërkesave kryesore të trajnerit Ivan Gvozdenoviç, i cili donte me çdo kusht të kishte pjesë të ekipit fantazistin korçar. Nga ana tjetër, edhe vetë Liço, pas një sezoni të mirë me Skënderbeun, ka shprehur pëlqimin për të qenë pjesë e ekipit edhe për dy vite të tjera. Një rinovim ky që i jep mundësinë palëve të vijojnë bashkëpunimin me synimet e qarta për gjithsecilin. Klubi sheh tek Liço mundësinë për të dalë sërish në merkato me një element cilësor, për të arkëtuar të ardhura të rëndësishme nga një shitje e mundshme. Ndërsa nga ana tjetër, mesfushori e sheh Skënderbeun si ekipin e duhur për të dalë sërish në tregun europian. Pas këtij akordi, Skënderbeu konfirmon një element të rëndësishëm që do të mbajë peshë jo të vogël në mesfushë.

SITUATA Në ditët e para të pushimeve, Skënderbeu ka mjaft punë për të ndërtuar ekipin për sezonin e ri. Kjo, edhe për vetë faktin se një pjesë e mirë e lojtarëve janë në skadim kontrate dhe po punohet për rinovimin e atyre që trajneri Gvozdenoviç i cilëson si pjesë të planit të tij. Mes tyre ka edhe shumë lojtarë që nuk do të jenë më pjesë e korçarëve, edhe pse kanë luajtur mjaftueshëm këtë sezon që u mbyll. Në kushte të tilla, mësohet se Oltion Rapa dhe Ramin Ali, kanë dalë jashtë planeve të klubit bardhekuq dhe me shumë mundësi nuk do të jenë më pjesë e Skënderbeut në vijim.

Nga ana tjetër, klubi po mundohet të mbajë me çdo kusht afrimet e merkatos së janarit, duke filluar nga braziliani Agnaldo Moraesh, e për të vijuar me elementë si Gresild Lika, Elvis Prençi apo sulmuesin Temitope, që trajneri i sheh si pjesë të rëndësishme të skuadrës, që mund të japin shumë edhe në Superiore.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"