Skënderbeu pret Erzenin, Gvozdenoviç sheh vetëm “finale”: Ky kampionat s’ka siguri, të shkojmë të qetë në pushime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2023 | 12:20

Skënderbeu pret Erzenin, Gvozdenoviç sheh vetëm “finale”: Ky kampionat s’ka siguri, të shkojmë të qetë në pushime

Ivan Gvozdenoviç mendon se Skënderbeut i bën punë vetëm fitorja në ndeshjen e sotme ndaj Erzenit, që do të luhet në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Trajneri serb i korçarëve, në konferencën e djeshme për mediat, u ndal edhe te barazimi i fundit ndaj Kukësit. “Meritojmë kritika, por duhet të harojmë gjithçka. Na duhet e fituar ndeshja me Erzenin”, ka bërë me dije i pari i stolit, i cili është i lumtur që lojtarët e ardhur nga stoli po i përgjigjen mësë miri. Nisur nga kjo, Gvozdenoviç ndihet mirë që deri më tani grupi ka funksionuar, ndërsa nuk ngurron të bëjë elozhe për Gresild Likën, Frenklin Ahanonun dhe Ergi Zenullarin, që kanë luajtur titullarë në javët e fundit.

GVOZDENOVIC

Ivan, është lënë pas ajo ndeshje dramatike me Kukësin?

Ka qenë një ndeshje që ne jemi ndalur gjatë dhe kemi reflektuar, por mund të them se jemi munduar që ditën e parë ta linim pas krahëve. Nuk ka qenë një takim i mirë për ne dhe kjo është e vërteta. Një ndeshje me dy fytyra, që duhet harruar dhe të reagojmë ndaj Erzenit.

Çfarë nuk shkoi në pjesën e dytë në atë takim?

Nëse flasim për pjesën e dytë, kemi qenë shumë dobët. Kemi folur gjatë në lidhje me atë që ndodhi në pjesën e dytë. Normalisht që kemi pasur momente të mira në pjesën e parë, por më pas prishi gjithçka. U mor lehtë loja dhe kemi të gjithë përgjegjësi, pasi ndryshuam shumë fytyrën dhe kjo nuk është e mirë për ne. Meritojmë kritika, por tashmë do të duhet ta lemë pas, që të mos humbasim kohë për atë që kaloi.

Ndaj Erzenit prisni një ndeshje të vështirë?

Patjetër që po. Duhet të bëjmë më të mirën tonë për ta kaluar me sukses këtë takim. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por ne jemi të bindur që vetëm fitorja na duhet dhe na bën punë.

Vendi i katërt në klasifikim i jep qetësi ekipit?

Jemi në vendin e katërt dhe jemi pak më të qetë, por diferenca e pikëve nga vendi i shtatë është vetëm tre. Kjo nuk është siguri. Duhet të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje dhe të marrim pikët e nevojshme për të mbajtur këtë pozicion. Sigurisht unë jam i mendimit se deri në fund të fazës së tretë do të jetë kjo situatë, me ekipet që do të jenë shumë pranë njëra-tjetrës në renditje. Çdo javë për ne tani është si një finale, ndaj edhe në ndeshjen e radhës kundër Erzenit, mendojmë vetëm për pikët. Kemi edhe katër ndeshje nga fundi i fazës së dytë dhe duhet të bëjmë mirë dhe më pas të shkojmë më të qetë në pushime.

Paraqitja e Gresild Likës në ndeshjen e fundit ka shtuar rivalitetin për një vend në krahët e sulmit. I bën mirë ekipit kjo?

Po, është e vërtetë. Jo vetëm Lika, por të gjithë lojtarët që po hyjnë nga stoli, po bëjnë shumë mirë. Ndodhi me Frenklin, më pas me Likën dhe Zenullarin. Janë plus më shumë për ne, pasi motivojnë të gjithë grupin dhe kemi në dispozicion shumë lojtarë të gatshëm. Kjo është me shumë rëndësi për një skuadër. Është diçka pozitive për ne dhe të shpresojmë që të ndodhë kështu gjithmonë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"