Skënderbeu i Superiores vijon me rinovimet, titullari i sulmit qëndron edhe një vit në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2023 | 19:04

Skënderbeu i Superiores vijon me rinovimet, titullari i sulmit qëndron edhe një vit në Korçë

Skënderbeu kompleton një tjetër pjesë të rëndësishme të skuadrës në repartin ofensiv. Gresild Lika ka gjetur akordin me presidentin Ardjan Takaj për të vijuar edhe një sezon me klubin korçar. Dje palët janë takuar, duke mbyllur marrëveshjen.

skenderbeu

Kështu, pas mesfushorit Dean Liço, që ka konfirmuar rinovimin me Skënderbeun edhe për dy vite, i radhës nga titullarët që bie dakord për të qëndruar është tiranasi Lika. Ky i fundit ka qenë një ndër prioritetet e trajnerit Ivan Gvozdenoviç, i cili ka kërkuar nga klubi mbylljen e rinovimeve me lojtarët që ai i konsideron kyç për sezonin e ri. Pjesë e boshtit të ekipit bënte pjesë edhe Lika, ndaj edhe për këtë Takaj ka kërkuar që të nxitojë për ta mbajtur në ekip edhe për një tjetër sezon sulmuesin anësor.

KONFIRMIMI – I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, 25-vjeçari ka pranuar akordin, duke u shprehur i lumtur. Ai ka premtuar maksimumin për Skënderbeun e Superiores. “Po, dua të konfirmoj që kemi arritur akordin me presidentin Takaj. Edhe për një sezon tjetër do të vijoj të jem pjesë e Skënderbeut. Në fakt, ka qenë një bisedë që ka mbyllur gjithçka, pasi dëshira e mirë ekzistonte, si nga ana e klubit ashtu edhe nga ana ime. Për mua ishte një eksperiencë e veçantë në sezonin e kaluar dhe mbi të gjitha do të jetë e tillë edhe tashmë që ekipi është në Superiore.

Mezi pres që të filloj sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Gvozdenoviç, që ka besuar tek unë në momentin që erdhi në klub. Duhet të çojmë Skënderbeun atje ku i takon. Natyrisht, na pret një sezon i gjatë dhe i vështirë, ndaj edhe për këtë duhet që të jemi të fokusuar maksimalisht, për të dhënë më të mirën”, ka thënë Lika për gazetën. Nga ekipi që mbylli sezonin, klubi do të vijojë me rinovime të tjera, por pjesa dërrmuese e grupit është nën kontratë edhe përnjë vit, duke filluar nga kapiteni Erlis Frashëri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"