Skënderbeu hedh sytë nga Shkëndija e Tetovës, gati edhe 3 rinovime në kampin korçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 9:05

Skënderbeu hedh sytë nga Shkëndija e Tetovës, gati edhe 3 rinovime në kampin korçar

Skënderbeu po mendon për sezonin e ri në Superiore dhe puna është në fazën fillestare të ndërtimit të ekipit për kampionatin e ri. Gjithçka duket se ka nisur nga porta, atje ku bardhekuqtë kanë mbetur pa portier pas përfundimit të kontratës dhe largimit të Ruçit te Vora.

Skenderbeuuuu

Në kushte të tilla drejtuesit e klubit kanë menduar alternativat e mundshme për të blinduar portën për sezonin e ardhshëm. Burimet pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se në listën e zgjedhjeve të para të korçarëve, veç Edmir Salit, me të cilin është arritur një akord paraprak, është edhe emri i Kostadin Zahov. Portieri maqedonas i Shkëndijës së Tetovës është në bisedime me klubin bardhekuq dhe pritet që mes dy alternativave, korçarët të zgjedhin një prej tyre.

Sali, portieri i Kastriotit, ka në anën e vet njohjen e kampionatit dhe moshën e re që e favorizon për perspektivën, ndërsa nga ana tjetër 35 -vjeçari Zahov ka eksperiencën dhe cilësinë që po joshin klubin bardhekuq. Në kushte të tilla pritet që në ditët në vijim të ketë bisedime më të avancuara me maqedonasin Kostadin Zahov për të parë nëse mund të mbyllet gjithçka me sukses apo jo. Ajo që e bën Skënderbeun besimplotë është fakti se Shkëndija duket se e ka kaluar si zgjedhje të dytë portierin Maqedonas që ka eksperiencë edhe në rang kombëtar me përfaqësuesen e shtetit fqinj.

SITUATA: Veç rinovimit të Liços, i cili është një garanci më shumë për mesfushën e Skënderbeut, drejtuesit janë duke menduar edhe për lojtarët e tjerë që janë në fund të kontratës. Listën e zgjedhjeve të para trajneri Ivan Gvozdenoviç e ka dorëzuar në klub dhe janë drejtuesit që po merren me rinovimet. Deri në këto momente janë dy-tre lojtarë që duket se kanë më tepër prioritet për sa i përket rinovimit. Bëhet fjalë për Prençin në qendër të mbrojtjes dhe për dy mesfushorët, Agnaldo Moraesh dhe Gresild Lika, lojtarë, të cilët kanë pasur një kontribut jo të vogël te Skënderbeu i sezonit që shkoi. Por sigurisht që edhe emra të tjerë në skadencë do të merren në konsideratë nga drejtuesit e klubit derisa ekipi të marrë formën e plotë me nisjen e përgatitjeve.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"