Skënderbeu do fitoren e tretë radhazi, Gvozdenoviç: Dinamon e thyejmë me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2024 | 11:25

Skënderbeu do fitoren e tretë radhazi, Gvozdenoviç: Dinamon e thyejmë me tifozët

Skënderbeu luan sot kundër Dinamos në orën 17:00 në stadiumin e Korçës ndeshjen e prapambetur të javës së 20-të të Superiores, e cila nuk u zhvillua sipas kalendarit, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe mbi të gjitha fushës së mbuluar nga dëbora.

gvozdenovic

Gjithsesi, sot korçarët do të kërkojnë tri pikët, teksa vijnë pas dy fitoreve radhazi në kampionat me Kukësin dhe Erzenin. Trajneri Ivan Gvozdenoviç e konsideron si një takim delikat për shkak të renditjes, por edhe për paraqitjet pozitive të skuadrës dinamovite. Rikthimi i kapitenit Liço dhe mesfushori shkatërrues, Randi Dumfur, ka qetësuar disi trajnerin, i cili në konferencën për shtyp para takimit, nuk ngurroj të bënte një thirrje për tifozët korçarë, që të mbështesin skuadrën.

Dy fitore radhazi, mendoni se Skënderbeu e ka gjetur tashmë ritmin?

Mund të them se po, sepse gjashtë janë shumë mirë. Kemi fituar ndaj dy ekipeve që i kemi poshtë nesh në klasifikim dhe që ishim afër me pikë. Ndeshja me Kukësin mund të quhej treni i fundit, po ashtu edhe me Erzenin. Besoj se jemi në rrugën e duhur, por të shohim sfidën e radhës dhe të bëjmë mirë, pasi është përballje shumë e rëndësishme.

Çfarë e bën të vështirë për ju këtë ndeshje kundër Dinamos?

Delikate e bën fakti sepse edhe Dinamo është në një formë të mirë. Kundërshtari ka marrë rezultate të rëndësishme. Është një ekip që ka një formë të mirë dhe mbi të gjitha një kundërshtar i fortë. Por, nga ana tjetër, edhe ne jemi duke kaluar një moment pozitiv. Duhet të tregojmë forcën tonë në këtë ndeshje, duke luajtur bukur dhe fituar.

Fakti që luani në shtëpi, është një avantazh për Skënderbeun?

Në këtë kampionat dukshëm tregohet se nuk ka ndeshje shtëpie dhe transferte, por për ne është gjithsesi një avantazh, pasi kemi mbështetjen e tifozëve tanë, që nuk na kanë braktisur asnjë moment. Jam i sigurt që do të krijohet një atmosferë e bukur në stadium.

A mund të na konfirmoni mungesat dhe rikthimet?

Kemi rikuperuar dy nga katër lojtarët që na mungonin në ndeshjen e fundit. Rikthehet Liço dhe Randi, që janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për lojën e skuadrës. Është një plus për të gjithë. Do të shohim deri në momentin e fundit se si do të rreshtohemi.

Vetëm fitorja iu bën punë apo edhe barazimi është i pranueshëm?

Patjetër që fitorja. Jemi Skënderbeu dhe normalisht në çdo ndeshje mendojmë vetëm për fitoren dhe objektivat e klubit. Kështu kemi bërë me Erzenin, kështu do të bëjmë edhe me Dinamon. Jam i bindur që do ia dalim nëse japim maksimumin dhe jemi të përqendruar tek loja.

Skënderbeun e shihni më afër luftës për mbijetesë apo “Final 4”?

Nuk e mendojmë këtë gjë tani, por vetëm ndeshjen e radhës. Nuk duam të shpërndahemi kaq shumë. Për momentin jemi të qetë. Le të shohim vetëm ndeshjen me Dinamon dhe të mendojmë për këtë takim. Pas kësaj, e ka vendin ndeshja e radhës. Ky është objektivi dhe motoja jonë në këtë sezon.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"