Skemë sulmuese ndaj Skënderbeut, flet trajneri i Burrelit: Po shkojmë për pikë në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2022 | 12:45

Skemë sulmuese ndaj Skënderbeut, flet trajneri i Burrelit: Po shkojmë për pikë në Korçë

Burreli u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve me një seancë gjatë paradites dhe më pas është nisur drejt Korçës, atje ku i pret Skënderbeu.

Nikaj dhe Renato Hoti

Lojtarët para se të marrin rrugën drejt qytetit juglindor, kanë marrë porositë e fundit për këtë transfertë delikate. Grupi nuk ka probleme dëmtimesh apo pezullimesh, ndaj synon që të mos dalë thatë nga kjo javë.

Skema që pritet të aplikohet është ajo 4-3-3, duke i dhënë përparësi sulmit. Kërkohet që të zhbllokojnë rezultatin sa më shpejt të jetë e mundur, ashtu siç bënë një javë më parë me Orikun. Renato Hoti mendon se do t’ia arrijmë qëllimin dhe këtë e deklaron edhe për gazetën “Panorama Sport”:

“Me Skënderbeun do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Duke parë impenjimin e lojtarëve gjatë javës, mendoj se do t’ia dalim. Ne shkojmë për rezultat pozitiv dhe do t’ia arrijmë qëllimin. Them kështu, duke marrë shkas edhe nga ndeshjet që kemi zhvilluar, pavarësisht rezultateve të arritura.

Nga ndeshja në ndeshje, sidomos në ato dy të fundit, shoh një rritje të performancës në fushë. Kjo më bën optimist dhe besimin te këta djem. Në Korçë udhëtojmë të plotë, pasi më në fund nuk kemi as mungesa.

Janë rikuperuar të dëmtimit dhe nuk vuajmë pezullimet. Ne do të zhvillojmë lojën tonë. Nëse zbatojmë me përpikëri të gjitha detyrat kolektive dhe ato individuale, do të shpërblehemi. Mjafton që të bëjmë atë që bëjmë në stërvitje.

Asnjë më tepër se kaq. Nëse angazhimi dhe përqendrimi do të jenë maksimal deri në frymën e fundit, nuk do të zhgënjehemi”.

MARTIN DEDAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"