“Skaneri” i Priftit: Nuk janë gati për elitën, ju tregoj problemet e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 2, 2023 | 19:50

“Skaneri” i Priftit: Nuk janë gati për elitën, ju tregoj problemet e Apolonisë

Ka kaluar gjysma e kampionatit dhe Apolonia nuk ka grumbulluar më shumë se 13 pikë. Për momentin gjendet në vendin e 9-të në tabelë, duke rrezikuar edhe mbijetesën. Andi Prifti e sheh shqetësuese ecurinë e deritanishme. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi e sheh shpëtimin e këtij sezoni vetëm te merkatoja e janarit.

Andi Prifti, Apolonia

“Të tregohem i sinqertë, ecuria e Apolonisë lë shumë për të dëshiruar. Nuk është aspak nisje e denjë për një ekip me traditë dhe histori si Apolonia. Prisja shumë më shumë pikë me kontingjentin e lojtarëve që kanë në dispozicion. Janë pësuar 16 gola në vetëm 12 javë dhe janë vërtetë shumë. Është tregues i qartë se kjo e fundit ende nuk është gati për elitën. Prapavija është problemi i parë, por jo i vetmi. Mbrojtja më e mirë fillon që nga sulmi prandaj të gjithë lojtarët janë fajtorë dhe duhet të sakrifikojnë më shumë për fanellën bardhejeshile.

E them me keqardhjen më të madhe, por fierakët e rrezikojnë seriozisht mbijetesën. Pse shkuan në këtë pikë? Së pari për vetë pozitën e vështirë në renditje, së dyti mungesën e merkatos cilësore dhe së treti largimeve në masë të lojtarëve. Për fat të keq asnjë lojtar i rëndësishëm i larguar, nuk është zëvendësuar. Nëse ndërhyjnë të paktën në janar, mund të kenë shpëtim. Duhet të marrin cilësi ama, ndonëse në organikë kanë talente me bollëk. Këta të fundit nuk mjaftojnë, ndaj duhen ‘goditjet e duhura’ dhe më shumë eksperiencë. Nëse veprojnë kështu, mund të synojnë minimalisht zonën ‘play off’. Doja të prekja edhe një gjë tjetër, atë të stolit.

Është një çmenduri që Apolonia ka pasur tre trajnerë të ndryshëm në vetëm 12 javë kampionat. Secili ka modulin e vet të lojës dhe kjo krijon lëmshin. Një tekniku i duhet dhënë kohë e besuar më shumë edhe nëse humbet qoftë një ndeshje të vetme. Kurrsesi nuk mund ta bëjë ekipin për vetëm 2 ose 3 muaj. I duhet dhënë më shumë kohë që lojtarët të kuptojnë më mirë filozofinë e tij të lojës”, përfundoi 34-vjeçari, i tërhequr tashmë nga futbolli.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"