Skandali, arrestohet ish-lojtari i U-21 të Shqipërisë, Rrudho, me 1.5 kg kokainë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2013 | 11:59

Skandali, arrestohet ish-lojtari i U-21 të Shqipërisë, Rrudho, me 1.5 kg kokainë

rrudhoXhulian Rrudho arrestohet në Ankona, Itali, me 1 kilogram e gjysmë kokainë e pastër. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane, të cilat i kanë dhënë një rëndësi të veçantë këtij rasti edhe për faktin se Rrudho ka qenë futbollist i Kievos dhe i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë. Tashmë 25 vjeç, pasi dështoi si futbollist, Rrudho i ishte futur rrugës së narkotikëve në shtetin fqinj. Mirëpo, pas disa javësh hetimesh, policia e ka vënë në pranga së bashku me një tjetër shqiptar, Mimet Zeqirin. Ndaj këtyre tashmë rëndon akuza e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe, duke qenë se janë kapur në flagrancë me kokainën e fshehur në mbathje, Rrudho dhe Zeqiri rrezikojnë burgun.
Ngjarja – Xhulian Rudho është arrestuar nga njësia speciale antidrogë para dy ditësh në Ankona, ku së bashku me Mimet Zeqirin ushtronin edhe aktivitetin e tyre si shpërndarës të drogës. Sipas informacioneve të publikuara nga policia në mediat italiane, droga, puro kokainë, ishte fshehur nga të dy personat në mbathje, ndërsa e ndarë në doza të vogla mund të vlente edhe më shumë në treg, ku shpërndahej 5-6 herë më shumë. Që të dy shqiptarët kishin kohë që merreshin me lëndët narkotike dhe ishin nën vëzhgim nga ana e policisë. Madje, kjo e fundit ka ndërtuar edhe mënyrën sesi punonte Rrudho dhe Zeqiri. Këta të fundit kishin gjetur një vend publik, në një park në Ankona, ku për më tepër është i frekuentueshëm edhe nga shumë fëmijë për të fshehur drogën. Ata kishin hapur një gropë në park dhe me mjetet e duhura e kishin izoluar hermetikisht. Herë pas here Rrudho dhe Zeqiri shkonin në këtë vend, duke marrë doza të ndryshme, të cilat më pas i shpërndanin në sheshin “Ugo Basi”, i populluar kryesisht nga të rinj, përdorues të rregullt të drogës. Pikërisht nga këtu kanë nisur edhe hetimet e para të policisë italiane, e cila përvijoi me gjetjen e vendit ku fshihej kokaina dhe më pas arrestimit e të dy shqiptarëve.
Arrestimi – Sipas policisë, për të mos rënë në sy, Rrudho dhe Zeqiri nuk përdornin thuajse asnjëherë makinat e tyre, por gjithnjë autobusët e linjave urbane. Pikërisht në një mjet të tillë, agjentët e policisë i kanë ndaluar menjëherë sapo dy shqiptarët kishin rikuperuar drogën nga vendi ku ata e fshihnin. Menjëherë sapo ata kanë zbritur nga autobusi janë bllokuar nga policët, të cilët pas kontrollit të bërë u kanë gjetur të fshehur në mbathje plot 1.5 kg kokainë. Më pas policia ka bërë edhe bastisjen e shtëpive të dy shqiptarëve, nga ku kanë rikuperuar si prova materiale kundër tyre dhe disa doza të tjera të bëra gati për shitje në treg, si dhe mjetet e duhura për prerje dhe hollim të drogës. Tani Rrudho dhe Zeqiri gjenden në burgun e Montakuto, teksa çështja i ka kaluar Prokurorisë (Xhiovana Leboroni) për hetimet më të detajuara. Që të dy pritet të dalin shumë shpejt në gjyq ku, me gjasa, do të marrin edhe dënimin sipas neneve të Kodit Penal italian, pa harruar faktin që janë kapur edhe në flagrancë, çka rëndon edhe më shumë pozitat e tyre.

Nga Seria A te ekipi Shpresa, ja karriera e Rrudhos
Fakt: më 5 dhjetor 2006, Xhulain Rrudho ishte një nga 27 futbollistët e rinj shqiptarë që u grumbulluan në një zbor treditor nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç, dhe ishtekniku i Shpresave, Artan Bushati. Rrudho asokohe luante tek Ankona dhe konsiderohej si një nga talentet me të ardhme të sigurt, ndaj edhe sektori i ekipeve kombëtare në FSHF me të drejtë i hodhi sytë nga djaloshi 18-vjeçar, i lindur në Divjakë të Lushnjës, por i rritur në akademitë e futbollit italian (tek Ankona). Në të njëjtin grumbullim kujtojmë se ka qenë edhe Labinot Haliti dhe Mërgim Mavraj, lojtar ky që tashmë mbron ngjyrat e ekipit tonë përfaqësues. Nga ky moment karriera e Rrudhos nisi të lartësohej, aq sa më 31 janar 2007, në ditën e fundit të federimeve, ai kaloi te Kievo në Serinë A. Ndonëse ishte ende në moshë të re, më 3 mars 2007, trajneri i Kievos, Luixhi del Neri, në mungesë edhe të disa sulmuesve të tjerë, e grumbulloi fillimisht në 18- she dhe më pas në minutën e 80-të të ndeshjes Milan-Kievo (3-1) e hodhi në fushë në vend të mesfushorit Samarko. Kaq mjaftoi që një ditë më vonë të gjitha mediat shqiptare t’ia behnin në Divjakë, në vendlindjen e tij. Për rrjedhojë trajneri i Shpresave, Artan Bushati, e thirri menjëherë në grumbullim, madje duke e aktivizuar edhe në tri ndeshje zyrtare. Por Rrudho nuk solli asgjë nga ajo çka pritej. Në mungesë të një performance në nivelet që kërkohej, drejtuesit e Kievos e dhanë një sezon më vonë në huazim te Sansovino në Serinë D, por edhe këtu më shumë qëndroi në pankinë. Gjatë verës 2008-2009 bëri disa testime në Poloni (LKS Lodz) dhe Ukrainë (Arsenal Kiev), por rezultoi sërish i dështuar. Për të mos mbetur pa skuadër, Rrudho pranoi që të luante edhe për pak kohë tek Skafateze, një klub inferior në kategorinë e pestë në Itali. Duke qenë se po i kalonte edhe koha për t’u aktivizuar me U-21 të Shqipërisë dhe grumbullimi me Kombëtaren A dukej tashmë një ëndërr, Rrudho pranoi të kthehej në Shqipëri për të qenë më afër ambientit shqiptar dhe atij të federatës. Kësisoj, në fund të 2008-ës, lojtari firmosi zyrtarisht për Partizanin e Bert Xhanit, por edhe këtu nuk gjeti rehat dhe pas as më shumë se tri ditësh i dha lamtumirën. Më pas kaloi te Tirana, ku nën vesturën e një lojtari që kishte luajtur në Serinë A u prit mjaft mirë nga ish-drejtuesit e kohës. Te bardheblutë ai erdhi në janar të vitit 2009, ku nënshkroi një kontratë 6-mujore. Mirëpo forma sportive që linte shumë për të dëshiruar, si dhe fakti se tek ajo Tiranë luanin emra si Migen Memelli, Daniel Xhafaj e Devi Muka, bënë që “talenti” nga Divjaka të aktivizohej në vetëm një ndeshje zyrtare. Largimi nga kjo skuadër solli në njëfarë mënyre edhe “divorcin” e Rrudhos nga futbolli, pasi rezulton që ai nuk ka firmosur më asnjë kontratë me ndonjë klub tjetër jashtë dhe brenda Shqipërisë.

Sulmuesi, prej 2 vitesh larg futbollit
Një karrierë e këputur në mes. Natyrisht jo për faj të të tretëve, por thjesht për shkak se nisur nga ajo çka ka dhënë në fushë, Xhulian Rrudho ka qenë një dështim. Pas largimit nga Tirana në 2010- ën, sulmuesi, aspirant dikur për të veshur edhe fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë, nuk arriti që të gjente një skuadër. Ai u provua edhe në Poloni dhe Ukrainë te disa skuadra, por nuk arriti që të firmoste një kontratë. Kjo, pasi nuk bindi drejtuesit për formën e tij sportive. Ndërkohë, lajmi i fundit për sa i përket pjesës futbollistike për Rrudhon i përket verës 2012, kur ai shkoi të provohej te Steaua e Bukureshtit në Rumani, por edhe këtu s’qëndroi më shumë se dy ditë.

Gjyqi me Tiranën, lojtari kërkoi 10 milionë lekë
Xhulian Rrudho, ish-futbollist i Tiranës në sezonin 2009-2010, gjatë muajit tetor të vitit 2011 (17.10.2011) pat hedhur në gjyq KF Tiranën. Referuar aktpadisë së bërë në Gjykatën e Tiranës, Rrudho pretendonte se klubi i detyrohej 3 milionë e gjashtëqind mijë lekë (të vjetër), plus shpenzimet gjyqësore (rreth 10 milionë lekë të vjetër në total), rrjedhur nga kontrata e shërbimit lidhur midis palëve. Sipas tij, Tirana nuk e kishte paguar për kohën kur ai ishte pjesë e kësaj skuadre. Por pas pak më shumë se një viti në sallën e gjyqit, gjykata hodhi poshtë akuzat dhe pretendimet e ngritura nga ana e lojtarit, duke i dhënë kështu fitoren palës së paditur, pra klubit kryeqytetas. E thënë ndryshe, bardheblutë minimizuan faturat financiare me 10 milionë lekë (të vjetër), duke qenë se sulmuesi pretendonte parà prej ish-ekipit të tij. Një fakt të tillë e ka konfirmuar për “Panorama Sport” edhe juristi i klubit, Lorin Burda, para pak ditësh. “Një tjetër dosje e mbyllur me sukses është ajo e Rrudhos. Ai pretendonte se në një sezon nuk kishte marrë 10 milionë lekë, mirëpo gjykata na dha të drejtë ne. Çështja nuk është apeluar nga ishlojtari, ndaj dhe quhet kapitull i arkivuar tashmë”, – pat sqaruar juristi.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"