“Skadojnë” kontratat, trajneri Arbëri i ka idetë e qarta: Dua që të rikonfirmohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 23:44

“Skadojnë” kontratat, trajneri Arbëri i ka idetë e qarta: Dua që të rikonfirmohem

“Skadon” Tomori. Me përfundimin e kampionatit, kanë përfunduar edhe kontratat sezonale. Jo vetëm stafi teknik, por edhe krejt ekipi. Me ofertat që kanë ardhur në drejtim të disa lojtarëve, drejtuesit janë të detyruar që të nxitojnë.

Arberi

Nëse dëshirojnë që të blindojnë një pjesë të grupit, duhet të negociojnë një orë e më parë. I këtij mendimi është edhe Klodian Arbëri, që rrëfen se shumica e futbollistëve kanë shfaqur dëshirë për të qëndruar në Berat. Gjatë deklaratës së dhënë një ditë më parë për “Panorama Sport”, ai flet edhe për të ardhmen e tij. Nuk e mohon që dëshiron të vazhdojë, por fillimisht pret që të marrë “veton” e kryebashkiakut Ervin Demo.

“Me mbylljen e muajit maj, skadojnë edhe marrëveshjet tona. Kjo nuk do të thotë që nuk jam i interesuar që të vazhdoj në krye të Tomorit, ekip të cilin e drejtoj prej fazës së dytë të sezonit 2021–2022. Nga ai moment, mendoj se kam dhënë gjithçka nga vetja për t’i shërbyer skuadrës dhe futbollit beratas. Për të folur për të ardhmen, duhet që fillimisht të vendosin drejtuesit. Pasi të zhvillohet një takim midis donatorit Gramoz Toto dhe presidentit Ervin Demo.

Nëse do të ketë zyrtarizim, do të vlejë edhe projekti im për riorganizimin e skuadrës. Objektivi im primar do të jetë padyshim rikonfirmimi i skuadrës së sezonit të kaluar, me të cilët kam pasur kënaqësinë e bashkëpunimit profesional në fushë dhe shumë miqësor jashtë fushës. Do të përmirësojmë termat financiarë, për sa i përket paradhënies së kontratave, sepse me rrogat të gjithë janë OK. Disa klube po ‘peshkojnë’ në Berat?

E ritheksoj se të gjithëve na ka përfunduar kontrata. E megjithatë, të gjithë më kanë premtuar se kërkojnë të qëndrojnë te Tomori dhe arsye kanë shumë. Grupi solid dhe premtues na e bën më të lehtë punën të gjithëve së bashku.

Kam kontakte me shumë futbollistë që më kërkojnë një vend te ne, por të jem i çiltër dhe shumë profesionist, prioritet kam futbollistët e sezonit të kaluar, pastaj do të vijnë edhe afrimet e nevojshme. Futbollistëve që kërkojnë të luajnë në Superiore, unë nuk do t’u bëhem pengesë.

Por një gjë e deklaroj me shumë përgjegjësi, se po të jetë për Kategorinë e Parë, askujt nuk do t’i bëhet më mirë se në Berat. Me përmirësimin e termave financiarë të paradhënies së kontratave, çdokush do të ndihet i lumtur dhe i plotësuar te Tomori”, ka përfunduar Arbëri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"