S’ka më krizë qendërmbrojtësish, Berisha: Konkurrenca na rrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 23:49

S’ka më krizë qendërmbrojtësish, Berisha: Konkurrenca na rrit

Florent Berisha ishte qendërmbrojtësi i vetëm në lojë kundër Burrelit, pas mungesës së Myslim Ramillit të dënuar nga Komisioni i Disiplinës. E megjithatë, situata në vazhdim do të përmirësohet. Në urdhrat e stafit teknik, do të jetë edhe Nuredin Abdulai.

berisha

Jo vetëm prapavija, por edhe mesfusha është mbipopulluar. Për qendërmbrojtësin Florent Berisha, nuk ka vend për panik. Teksa flet për “Panorama Sport”, ai qartëson se afrimet vetëm sa rrisin konkurrencën dhe forcën e grupit.

“Jemi në pozitë të vështirë në klasifikim dhe na duhet të sakrifikojmë shumë. Më gëzon fakti që në janar ekipi është përforcuar me shumë talente, që natyrisht i sjellin grupit më shumë konkurrencë e vlera. Bie fjala, nëse mungoi Ramilli u detyruam të modifikonim mbrojtjen, ndërsa tashmë jemi 3 qendërmbrojtës. Kërkohet një angazhim i madh dhe sa më pak gabime nëse kërkon të ruash formacionin. Fundja do të luajë ai që bën më mirë.

Unë e shoh përtej efektit personal, por vetëm në shërbim të ekipit. Pra, kjo konkurrencë jo vetëm në qendër të mbrojtjes, por në të gjitha repartet do të detyrojë secilin të rrisë cilësitë e veta. Flamurtari? Përtej nevojës për kolaudimin e grupit me të ardhurit e fundit, në Vlorë do shkojmë për pikë. Nuk kemi çfarë të humbasim dhe do të hyjmë në fushë me besim. Nuk na ka munguar loja, por tani thjesht duhet të jemi më të kujdesshëm”, përfundoi kosovari.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"