Situata e dëmtimeve tek Apolonia/ Eneh dhe Rajab, në luftë me kohën për rikuperimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2023 | 17:11

Situata e dëmtimeve tek Apolonia/ Eneh dhe Rajab, në luftë me kohën për rikuperimin

Apolonia është fokusuar maksimalisht te starti i fazës së dytë. Jeraj Rodriges ka shtuar ngarkesa në seancat e kësaj jave, duke i “shtrydhur” lojtarët. Pushimi u ka ardhur në ndihmë edhe për rikuperimet, pasi kanë pasur lojtarë të dëmtuar.

apolonia

Fierakët nuk kanë gjetur shumë qetësi në këtë drejtim, aq sa në çdo ndeshje i kanë bërë llogaritë me një organikë të paplotë dhe kjo i ka detyruar që të bëjnë edhe “arnime” në 11-she. Momentalisht me probleme janë Ndubuisi Francis Eneh dhe Yasin Umar Rajab. Qendërmbrojtësi ka pësuar një dëmtim në këmbën e djathtë, që po e pengon të stërvitet me grupin. Edhe pse shkalla e dëmtimit nuk ka qenë e lehtë, besimi në një rikuperim të shpejtë të nigerianit ekziston.

Ndërsa mesfushori i qendrës ka një dëmtim edhe më të rëndë. Problemi i tij konsiston në kyçin e këmbës së djathtë dhe është në pritje të diagnozës. Keniani ka kryer ekzaminimet e nevojshme për të parë gjendjen dhe shkallën e vërtetë të dëmtimit. Pa harruar edhe sulmuesin Stefano Omeri që ende nuk ka ardhur në kontingjentin e tij maksimal, ndonëse është përdorur herë pas here nga trajneri me minuta të caktuara në fushë.

Kjo periudhë ndoshta do t’i hyjë më së shumti në punë stafit mjekësor që t’i rikthejë lojtarët në formën e tyre më të mirë edhe t’i ketë të gatshëm pas pushimeve, pasi kampionati sa vjen edhe bëhet më i fortë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"