Sinemati: Me Panuçin po bëhet një lojë e pistë, te Kosova më pëlqeu tallja e 19-vjeçarit me ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 23:27

Sinemati: Me Panuçin po bëhet një lojë e pistë, te Kosova më pëlqeu tallja e 19-vjeçarit me ekipin

Gëzim Sinemati ka bërë ironi me humbjen e Kombëtares shqiptare. Gazetari i njohur ka lëshuar “pickimin” e radhës dje për Kombëtaren. I ftuar në Procesin Sportiv, Gëzim Sinemati thotë se për Panuçin, po bëhet një lojë e keqe, dhe nuk e kupton se pse Kombëtarja jonë eksperimenton me një trajner të ri.

sinemati

“Kombëtarja pësoi shtatë gola në dy ndeshje, por mund të kishte shkuar akoma më keq. Mund të kishim pësuar 7 gola në një ndeshje. Megjithatë Kombëtarja po i bën një shërbim të madh Skënderbeut. Pse? Ja, mua më pyeti një miku im edhe më tha, kot po i bini më qafë Skënderbeut. Pse nuk merreni me Kombëtaren?”, tha Sinemati, i cili është gjithashtu opinionist i “Panorama Sport”.

“Është një lojë shumë e keqe që po bëhet, ku të gjithë shkarkohen te Panuçi. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi trajneri. Këto ndeshje edhe po të luheshin pa trajner fare, do luheshin më mirë. Ndeshje pa karakter, pa zemër. Nuk është ndeshje ku të thuhet se gaboi një lojtar apo një tjetër. Pse u la të eksperimentohej me një trajner të tillë? Tani të gjithë e shajnë, por e mbron presidenti. I njëjti skenar kur rrezikonte edhe De Biazi apo Ari Han. Tek Kosova, më pëlqeu një detaj, kur një 19-vjeçar, kuptoi se kë kundërshtar kishte përballë, dhe filloi të xhunglonte topin. Ajo ishte tallja më e bukur, sepse në përfundim e detyruan të kërkojë falje. Asnjë shqiptar nuk doli të kërkojë falje për atë që bënë. Ai djalosh që bëri gjëra të bukura doli dhe kërkoi falje. Pse duhet të kërkojë falje ai? Dëgjova edhe portierin Berisha në deklaratë, tha se na mungojnë krahët. Kur tha kështu, mendova se i mungojnë krahët e tij, se pashë golat që hëngri. Ai e kishte fjalën për krahët anësor të skuadrës.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"