“Shvajnshtaiger më këshilloi si të ndal Mesin”, Van Gal: Sot fillon Botërori ynë, jam 71 por ndihem si Zot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2022 | 12:41

“Shvajnshtaiger më këshilloi si të ndal Mesin”, Van Gal: Sot fillon Botërori ynë, jam 71 por ndihem si Zot

Luis van Gal ishte në formën më të mirë përpara ndeshjes çerekfinale kundër Argjentinës. I ktheu një përgjigje Angel di Marias, i cili për atë që ndodhi te Mançester Junajtid e quajti trajnerin më të dobët të karrierës së tij dhe mbajti sekret planin e “Tulipanëve” për të ndalur sonte Mesin.

VAN GAL 1

“Di Maria është një lojtar shumë i mirë. Në atë kohë në Mançester kishte shumë probleme personale, i vodhën shtëpinë dhe kishte probleme fizike. Është e trishtueshme sepse ka pak lojtarë që mendojnë se unë jam më i keqi në karrierën e tyre”.

Dhe ndërsa fliste në konferencën për shtyp dhe përkrah kishte Memfis Depajin, Van Gal, i cili e transferoi sulmuesin holandez te Junajtid në 2015, e shfrytëzoi këtë moment për të lëshuar batutën e radhës duke qeshur: “Edhe Memfis luajti në Mançester dhe e lashë jashtë një finaleje dhe tani ne puthim njëri-tjetrin në buzë, por nuk do ta bëjmë këtë tani”.

71-vjeçari konfirmoi se ka folur me një ish-lojtar të tij si Bastian Shvajnshtaiger, i cili e ka këshilluar se si mund ta eliminojë Argjentinën, pasi ishte pjesë e skuadrës së Gjermanisë që e mundi Mesin në finalen e Brazilit në 2014.

“Por nuk do t’i tregojmë planet tona për të ndalur Mesin, sepse do të ishte një idiotësi. Por është qesharake pyetja që unë do t’i instruktoj lojtarët nga t’i godasin penalltitë. Argjentina është një kombëtare shumë e fortë dhe Botërori i vërtetë nis me këtë ndeshje për ne”.

Van Gal refuzoi të pranonte se kjo do të ishte puna e tij e fundit dhe ai do të tërhiqej pas Botërorit. Ai tha se është frymëzuar nga Dik Advokat, i cili ishte tërhequr më parë nga futbolli, por sot në moshën 75-vjeçare është në stolin e Ten Hagut: “Unë do të largohem nga stoli i Holandës pas Botërorit, por po e bëj këtë vetëm për një situatë emergjence. Ne kemi një shembull si Dik Advokat. Nëse do të ketë një vend me një sfidë të mrekullueshme, mund të vazhdoj të bëj edhe për pak kohë trajnerin. Jam 71 vjeç, dukem shkëlqyeshëm dhe shumë i ri. Jam si një Zot”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"