Shtatë gola në “Roza Haxhiu”, mesfushori i Laçit tregon hajmalinë e suksesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2018 | 16:24

Shtatë gola në “Roza Haxhiu”, mesfushori i Laçit tregon hajmalinë e suksesit

Me dygolëshin e sfidës të së mërkurës, Myrto Uzuni regjistron shtatë gola të shënuar në stadiumin “Roza Haxhiu”. Golin e parë e ka shënuar kur luante me Tomorin në sezonin 2014-2015. Më pas shënon katër gola me fanellën e Apolonisë një sezon më vonë dhe tashmë vjen një dygolësh me fanellën e Laçit. Shtatë gola në tri sezone.

“Roza Haxhiu” është me fat për këtë lojtar të lindur vetëm 25 km në juglindje të Lushnjës. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Uzuni shprehet për këtë sezon fantastik të Laçit në Kategorinë Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë.

uzuni

Uzuni është me fat në stadiumin “Roza Haxhiu”…

Po. Jam ndier me të vërtetë me shumë fat, pasi sa herë kam luajtur në Lushnjë kam shënuar gjithmonë.

Një fitore e rëndësishme për Laçin…

Patjetër! Golat e mi janë në aspektin personal, por e rëndësishme është që fitoi ekipi.

Është fitorja e dytë radhazi, a jep shpresë për ecuri pozitive?

Është e vërtetë, pasi kemi lojtarë shumë të mirë në grupin tonë. Lojtarë që kanë cilësi shumë të mira. E rëndësishme është që ekipi të jetë nën ritmin e fitoreve dhe të shënojë sa më shumë. Kemi bërë shtatë gola në dy ndeshjet e fundit. Mendoj se është një tregues i mirë që skuadra të vazhdojë kështu.

Ndaj Lushnjës, fitorja erdhi në pjesën e dytë, nuk goditët në fillim…

Në pjesën e parë nuk po ambientoheshim dot me terrenin e lojës. Edhe kundërshtari na vuri në vështirësi. Fituam në sajë të një dominimi absolut në pjesën e dytë, por e rëndësishme është që ia dolëm.

Laçi, pranë Europës si nga kampionati edhe nga kupa…

Nuk kemi harruar që jemi në gjysmëfinale të kupës. Në kampionat po kalojmë një moment shumë të mirë. Jemi në vendin e tretë. Bëjmë llogaritë tona. Ndeshjet do t’i marrim një e nga një. I rëndësishëm është objektivi Europa.

Të dielën është një ndeshje e vështirë përballë Kamzës, që vjen pas barazimit në Vlorë, por që e ka mundur dy herë Laçin këtë sezon…

Na ka mundur dy herë ekipi i Kamzës, por nëse vazhdojmë me këtë grintë dhe me këtë dëshirë, siç e kemi shfaqur dy ndeshjet e fundit, besoj se këtë herë tri pikët do të jenë në anën tonë.

A.Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"