Shqetësimi i Ahmatajt për Kukësin, mbrojtësi titullar i bardhebluve nuk stërvitet dhe humbet takimin e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 11:00

Shqetësimi i Ahmatajt për Kukësin, mbrojtësi titullar i bardhebluve nuk stërvitet dhe humbet takimin e radhës

Bruno Lulaj është shqetësimi i Tiranës. Lojtari edhe dje nuk u stërvit me skuadrën dhe me shumë mundësi ai ka humbur sfidën me Kukësin. Futbollisti ka një tërheqje, që e mundon prej një muaji dhe duket se lojtari nuk do të jetë si në sfidën me Kukësin dhe atë me Erzenin. Për bardheblutë ky nuk është lajm i ri, pasi lojtari po e vuan prej kohësh këtë problem në kofshë. Në fakt, futbollisti vazhdon të riaftësohet dhe ndoshta në derbi do të jetë gati plotësisht për të qenë në fushën e lojës.

Lulaj

FORMACIONI

Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, duket se ka vendosur për 11-shen që luan në sfidën me Kukësin. Duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutës së fundit, numri një i bardhebluve ka ndryshuar edhe rreshtimin e skuadrës si dhe emrat për sfidën e 23 nëntorit që nis në orën 13:30 në “Selman Stërmasi”.

Gjithsesi, sërish Tirana do të ketë mungesa nga dëmtimet, ndërsa nuk ka të pezulluar. Me kthimin e Abdullahut, çështja e portës është intriguar. Ahmataj duhet të vendosë mes Kozit dhe gardianit kosovar.

Në mbrojtje nga e djathta luan Doka, në qendër Hoxhallari dhe Najdovski, ndërsa në të majtën aktivizohet Përgjoni. Mesfusha do të kthehet me shumë mundësi si më parë me treshen Jonuzi, Deliu dhe Hila ose Lushkja.

Surprizat janë në sulm ku do të luajë Haxhiu në krahun e majtë, ndonëse deri në fund do të ketë balotazh me Abazajn. Repartin e avancuar e plotësojnë Hasani dhe Kaina. Mbetet për t’u parë nëse do të aktivizohet edhe Liridon Latifi nga minuta e parë.

STATISTIKAT

Tirana në sezonin e shkuar dhe në fund të javës së 12-të ka qenë në krye të renditjes me 22 pikë. Kishte fituar një derbi, kishte golavarazh 19-8. Në llogaritje, krahasuar me këtë sezon, bardheblutë kanë një gol më pak, por kanë pësuar nëntë gola më shumë.

Nënkampionët janë keq në pjesën e poshtme të skuadrës. Madje, janë mbrojtja e gjashtë më e keqe në Superiore me 17 gola të pësuar. Në sulm kanë shënuar 18 gola, por kanë humbur magjinë e të qenit skuadra që tund më shumë rrjetën.

Golavarazhi këtë sezon është +1, ndërsa vjet +11. Bardheblutë këtë sezon kanë afruar 7 lojtarë me peshë, por ende nuk ka dalë skuadra që pritej nga të gjithë. Kujtojmë që bardheblutë këtë vit ndryshuan skuadrën rrënjësisht, duke ndërtuar nga e para çdo repart në fushë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"