Shpëtoi disa herë portën, Ajazi: Kujdes! Na pret “luftë” e gjatë dhe e vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 18:47

Shpëtoi disa herë portën, Ajazi: Kujdes! Na pret “luftë” e gjatë dhe e vështirë

Shkumbini arriti të mposhtë Vorën në javën e parë të kampionatit, por vuajti jo pak. Peqinasit pësuan vetëm një gol, megjithatë rastet që kundërshtari kishte ishin të shumta. Veç shtyllës që i erdhi në ndihmë, nuk mund të mohohet merita e portierit Selami Ajazi. Ai u kthye në shpëtimtarin e katërkëndorit.

Selami Ajazi Shkumbini

“Gardiani” i kënaqet suksesit, por kërkon më shumë kujdes në sfidat e tjera që, sipas tij, do të jenë mjaft të vështira. “Fitorja ndaj Vorës ka qenë ndër më të vuajturat e karrierës sime dhe këtë e them me bindje, jo vetëm për numrin e pritjeve, por edhe për faktin se kundërshtari goditi dy herë shtyllën.

Megjithatë, nuk mund të jemi gjithmonë me kaq fat. Vërtet ia dolëm, por përpara na pret një ‘luftë’ e gjatë dhe e vështirë. Çdo ekip futet në fushë për të marrë pikët. Duhet të jemi më të kujdesshëm në prapavijë, në mënyrë që të mos u lejojmë shumë hapësirë kundërshtarëve.

Në raste të rrezikshme, ndonjëherë është më mirë largimi i topit me çdo mënyrë, sesa kontrolli i tij në zonën e portës, ku mundësia për të gabuar është më e madhe. Këtë fundjavë do të përballemi me Apoloninë dhe duhet të hyjmë në fushë me besim se do të bëjmë gjithçka mirë. Nga kjo transfertë presim të dalim me një rezultat pozitiv”, përfundoi Ajazi.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"