Shpërthen Laporta: Po na vënë shkopinj, por marrim titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2023 | 18:20

Shpërthen Laporta: Po na vënë shkopinj, por marrim titullin

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dalë në një konferencë për mediat spanjolle, ku ka folur për realitetin në klub dhe atë çfarë po ndodh rreth klubit katalanas. Laporta ka sulmuar Ligën spanjolle për pengesat që sipas tij i ka krijuar artificialisht Barcelonës, objektivin kryesor, titullin, por dhe Super Ligën.

960x0

VËLLAI I MESIT – “Është e qartë se Mesi është trashëgimia e Barcelonës dhe ne jemi krenarë që e kemi pasur në skuadër. Ai është më i miri në botë dhe me siguri në histori. Por ai është një futbollist i PSGsë, ndaj nga respekti për lojtarin dhe PSG-në nuk do të flas. Nuk i kushtoj rëndësi asaj çfarë ka thënë vëllai i tij. Në fund ka kërkuar ndjesë”.

DJALI I RONALDINJOS – “Ne jemi shumë të lumtur që Ronaldinjo dhe vëllai i tij kanë menduar për Barçën dhe që djali i tij të jetë në klubin tonë. Ai po stërvitet dhe ne do t’i lidhim një kontratë. Na pëlqen të kemi këtë marrëdhënie, por presioni që ka ky djalë është i madh. Babai i tij është një nga më të mirët në histori”.

FINANCAT – “E kemi shpëtuar Barçën nga rrënimi ekonomik. Borxhi është nën kontroll. Kemi marrë vendime për të stabilizuar thesarin. Kemi pasur një suficit, gjë që nuk ka ndodhur për katër vjet”.

KSAVI – “Është i vetëdijshëm për sforcot që kemi bërë, ndaj nuk na ka kërkuar shpenzime marramendëse, kjo është për t’u vlerësuar. Të gjithë jemi të kënaqur me lojën që po zhvillon Barcelona. Ksavi është një trajner që nuk u shmanget përgjegjësive, nuk kërkon të shfajësohet, por gjithnjë kërkon zgjidhje. E ka kuptuar problemin që kemi me limitet e pagave dhe na e ka bërë të qartë se nëse nuk do të ketë përforcime do të hedhë sytë nga akademia”.

LA LIGA – “Na ka vënë kushte shumë shtrënguese. Ajo vazhdon të ndryshojë rregullat duke na penguar të manovrojmë në treg, po na e ndërlikon jetën, por ne do të vijojmë të luftojmë. Për çdo lëvizje që kemi bërë ne, La Liga është kundërpërgjigjur me masa më shtrënguese, nuk e kuptoj se çfarë kanë me Barcelonën”.

OBJEKTIVAT – “Në nivel sportiv, ne kemi fituar Superkupën. Jemi në garë në Kupën e Mbretit, në Ligën e Europës… ne duam t’i fitojmë. Por objektivi prioritar është La Liga, të cilën e kryesojmë. Kemi një mbrojtje solide. Jemi kandidatë për të fituar La Ligën, por duhet të luftojmë deri në fund”.

SUPER LIGA – “Po bën hapa të vegjël përpara. Ne ndajmë të njëjtin mendim e ide dhe jemi dakord me 10 pikat e Super Ligës dhe mbi të gjitha me atë se do të jetë e hapur për të gjithë. Ajo do të jetë një kompeticion tërheqës, argëtues, i qëndrueshëm, që respekton meritokracinë dhe shëndetin e lojtarëve. Ne nuk duam të prishim dialogun me UEFA-n dhe harmonizimin me kampionatet kombëtare. Duhet të ndërtojmë një debat konstruktiv të gjerë për të parë se si mund të bashkëjetojë Super Liga me kampionatet kombëtare siç po ndodh mes kampionateve kombëtare dhe Ligës së Kampioneve. Jemi përfshirë në këtë projekt me objektiv një futboll europian të qëndrueshëm. Nuk mund të garojmë kundër klubeve-shtete, as ndaj Premier Ligës që hedh 7 miliardë euro. Po flasim për tri klube të mëdha (Barcelona, Reali i Madridit dhe Juventusi) që duan të jenë në krah të UEFA-s. Gjithçka do të dakordësohet edhe me UEFAn. Ne nuk duam të ndjekim rrugën e separatizmit, përplasjes, por rrugën e dialogut”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"