Shorti zjarr, CR7 rrezikon “Zonjën”/ Ja çfarë thotë rregullorja e plotë e Ligës së Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2022 | 22:53

Shorti zjarr, CR7 rrezikon “Zonjën”/ Ja çfarë thotë rregullorja e plotë e Ligës së Europës

Liga e Europës ka mbyllur dje fazën e grupeve, ashtu sikurse Liga e Konferencës dhe Champions-i në dy ditët e mëparshme. Në turneun e dytë për nga rëndësia mes favoriteve nuk gabon vetëm Arsenali, i cili e nisi dhe e ruajti vendin e parë deri në fund. “Topçinjtë” nuk gabuan në shtëpi ndaj Zyrihut duke dituar 1-0 dhe shkojnë direkt në fazën e 1/8- ave.

ronaldo

Ndërkohë, fitore me peshë arriti edhe Roma, e cila përmbysi 3-1 Ferencvaroshin në “Olimpiko”, ndonëse skuadra e Zhoze Murinjos e mbyll grupin në vend të dytë dhe do i duhet që të luajë “play off”-et për mbijetesë me skuadrat që vijnë nga Liga e Kampioneve. Të njëjtin fat do të ketë edhe Mançester Junajtid, i cili edhe pse fitoi në Spanjë kundër Sociedadit 0-1 dhe ndanë grupin me nga 15 pikë secila, 1 gol më shumë i shënuar nga iberikasit bëri diferencën në golavarazhin e përgjithshëm dhe i dha vendin e parë në grup baskëve.

EUROPA LIGE

Por duke u rikthyer te skuadrat italiane, gjysma tjetër e Romës, Lacio, do të ketë gjithashtu një “play off”, por atë për zbritjen nga “kategoria”, sepse pas humbjes së djeshme 1-0 në Fejnord, skuadra e Sarrit e mbylli e treta në grup dhe rregullorja nënvizon se edhe në këtë rast ka një shans të dytë për të mbetur në Europë, por në një stad më të ulët, duke konkurruar me vendet e dyta të Ligës së Europës.

RREGULLORJA E PLOTË

Liga e Europës ashtu si Champions-i i ka përzgjedhur 16 ekipet e saj më të mira, por fakti që bashkë me tetë të Ligës së Kampioneve klubet bëhen 24, formati i ndryshuar sezonin e kaluar sipas rregullores nënvizon se 8 vendet e treta të Champions-it do të sfidojnë 8 vendet e dyta të Ligës së Europës, me sistem vajtjeardhje, në fund të së cilave 8 të kualifikuarat do të shortohen me 8 ekipet e vendit të parë të turneut. Shkurt, ndryshe nga Champions-i, skuadrat e Ligës së Europës luajnë dy ndeshje më shumë.

Në shortin e “play off”-eve kriteri i vetëm që merret për bazë është moslejimi i përplasjes së skuadrave nga i njëjti shtet. Kjo do të thotë se Juventusi që zbret nga Champions-i nuk mund të shortohet dot me Romën, e cila e mbylli grupin në vendin e dytë.

Por kjo nuk do të thotë që Juventusi të mos kapë anglezët e Mançester Junajtid, me “Zonjën e Vjetër” që do të ritakonte kështu Kristiano Ronaldon pas tri vitesh jetesë dhe ndoshta të kërkonte hakmarrjen, për mënyrëns esi portugezi u largua në verën e vitit 2021, vetëm tri ditë përpara mbylljes së merkatos, duke i shkaktuar shumë probleme Juventusit. Në Torino të gjithë kanë nisur të luten për këtë fakt, ndonëse për të parë nëse diçka e tillë do të jetë e mundur ose jo, duhet pritur shorti i ditës së hënë, në mesditë (ora 12:00).

PËRGATITI: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"