“Shkund” lojtarët e Pogradecit, trajneri Abazaj ngre tonet: Humbim raste fatale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2022 | 10:34

“Shkund” lojtarët e Pogradecit, trajneri Abazaj ngre tonet: Humbim raste fatale

Humbja me kryesuesit nuk është pritur aspak mirë nga Ardjan Abazaj. Edhe pse luanin me një kundërshtar të fortë, Abazaj është i shqetësuar për rastet e humbura.

Abazaj222

Pogradeci i kishte të gjitha mundësitë të shkonte përtej barazimit dhe kësaj i ka mëshuar edhe në analizë numri një i pankinës. Ai ka ngritur tonet për gabimet e skuadrës që drejton, ndërsa hapur ka dashur që t’u japë një mesazh për 12 ndeshjet që u kanë mbetur për këtë kampionat.

Tekniku foli edhe për “Panorama Sport”, ku evidentoi atë që nuk shkoi si duhet në “Adush Muça” dhe foli për ndeshjen e kësaj jave me Turbinën.

“Kemi bërë një analizë pas transfertës në Ballsh, rezultat që nuk e meritonim aspak. Nuk më ka lënë shije të mirë paraqitja e skuadrës kundër Bylisit, por më shumë akoma më shqetëson mënyra se si pësuam. Edhe sot nuk mund t’i harroj dot. Kam ngritur tonet në analizë për faktin se duhet me patjetër të kishim marrë një pikë në ‘Adush Muça’, duke parë edhe lojën që bëmë, por edhe rastet që gabuam para portës. Ishin shumë të pastra, që nuk mund të falen. Shkurt, ne nuk morëm atë që meritonim kundër Bylisit dhe kjo, për neglizhencën e disa lojtarëve, që nuk dhanë më të mirën nga vetja e tyre dhe nga ato që ne kishim përgatitur gjatë gjithë javës” u shpreh tekniku.

“Goli erdhi në të vetmin rast të pastër të kundërshtarit, kur ne neglizhuam aksionin. Atë goditje të pogradecarëve drejt portës e devijoi sulmuesi Topllari që e ktheu keq topin në zonë. E përsëris, ishte i vetmi rast i tyre i pastër dhe ne nuk mundëm dot të largonim topin dhe kthenim drejt zonës. Kjo rezultoi fatale për ne. Për mua, të zhvillosh atë lojë të mirë dhe të humbasësh atë rast, nuk është diçka e mirë për ecurinë. Ky episod është diskutuar gjatë në analizën e së hënës. Kërkoj nga ekipi që, duke filluar nga ndeshja e radhës, të mos përsëriten më këto gabime dhe të dalim menjëherë te marrja e 3 pikëve. E theksoj, që të shoqërohen edhe me një lojë të mirë”, përfundoi Abazaj.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"