Shkëmbi karikon ekipin: Fitojmë për tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2015 | 19:43

Shkëmbi karikon ekipin: Fitojmë për tifozët

shkembiBledi Shkëmbi nuk dëshiron ta cilësojë si të kualifikuar skuadrën e tij. Kapiteni i ka bërë thirrje skuadrës që të përqendrohet maksimalisht kundër Milsamit, i cili do të vijë në “Elbasan Arena” për presion dhe për të dhënë maksimumin.

Gjithsesi, mesfushori korçar nuk e fsheh edhe besimin që ka te forca e Skënderbeut dhe interesimin e madh të tifozëve për këtë sfidë e shikon si një arsye të fortë për të fituar edhe në përballjen e dytë kundër moldavëve.

35- vjeçari nuk bën plane për raundin tjetër dhe refuzon që të shfaqë preferenca mbi rivalët e mundshëm, gjithsesi e ka të vendosur që, nëse fitojnë sërish penallti, do ia lërë Salihit që ta ekzekutojë, duke qenë se ka arritur të shënojë plot 4 gola deri tani…

Kur po afron ndeshja e kthimit kundër Milsamit, si e prisni këtë përballje për Skënderbeun?

Ndoshta nga rezultati nuk është më e vështirë se sfida e parë. Nuk dua të tregohem hipokrit. Është një rezultat shumë i mirë me avantazh të dy golave, por që Milsami mbetet një kundërshtar i fortë dhe ne duhet të impenjohemi maksimalisht. Kjo është pjesa më e vështirë.

Çfarë ju bën të druheni për kundërshtarin?

Ne duhet të jemi të impenjuar maksimalisht dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk mund të lejojmë që të ketë asnjë surprizë në ndeshjen e kthimit, në Shqipëri.

Si mendoni se do të luajë kundërshtari në takimin e kthimit, kur i duhet të rikuperojë dy gola?

Së pari, duhet të kujtoj që rivalët luajtën mirë në fillimin e ndeshjes së parë. Janë një ekip me kualitet dhe në Elbasan nuk do të kenë asgjë për të humbur. Do japin më të mirën e tyre dhe nuk mund të mendojmë se kualifikimi është siguruar për ne.

Lojtarët e Milsamit kanë thënë që do të shkojmë për fitore në Shqipëri, pra ta mundin Skënderbeun…

Është normale që të pretendojnë ashtu, pasi edhe ne, në qoftë se do të ishim në vend të tyre, do të kërkonim të njëjtën gjë. Ndoshta do kemi më tension dhe më presion se kundërshtari, pasi na takon neve që ta përballojmë me sukses trysninë e krijuar.

Skënderbeu do të luajë për të mbrojtur rezultatin, apo do të hidhet në sulm?

Ne do të luajmë si në çdo ndeshje tjetër që kemi luajtur, pra në sulm. Nuk kemi pse të ndryshojmë filozofinë e lojës, ndonëse na intereson të ruajmë avantazhin e dy golave.

Ka pasur një interesin të madh të tifozëve për këtë ndeshje, edhe pse luhet në “Elbasan Arena”…

Po, jam në dijeni të këtij fakti dhe më gëzon. Është një arsye më shumë për të na motivuar. Ne kemi pasur një ecuri të shkëlqyer deri tani dhe tifozët na rrisin besimin se do të vazhdojmë të luajmë në një nivel të lartë. Ata janë frymëzimi ynë.

Vihet re gjithashtu fakti se skuadra i druhet edhe mundësisë që Milsami të fitojë në këtë transfertë. Mendoni se kanë shanse?

Në futboll çdo skuadër ka shanse për të marrë rezultat pozitiv. Aq më tepër që po flasim për ekipet që luajnë në Ligën e Kampioneve. Ne kemi siguri te forca jonë që nuk do të ketë asnjë befasi, por sigurisht që Milsami është i aftë të fitojë. Asnjëherë nuk mund të jesh 100% i sigurt në këtë sport, ndaj edhe ne jemi të përqendruar në maksimum.

Keni filluar të mendoni që tani për grupet e Ligës së Europës, apo shpresoni edhe te grupet e Champions-it?

Ne nuk jemi kualifikuar ende për raundin tjetër. Kemi një ndeshje për të zhvilluar dhe, më pas, të bëjmë plane të tjera.

Duke parë përballjet e mundshme në raundin tjetër, keni ndonjë preferencë sa i përket rivalit?

Ua them me sinqeritet që nuk kam dëshirë të shohim aq larg, pasi jemi të përqendruar për këtë ndeshje që duhet ta kalojmë. Ndiej që ka një atmosferë elektrizuese nga ana e tifozëve dhe këtë ndeshje duhet ta fitojmë edhe për ta.

 Skënderbeu-Milsami do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Fiton Skënderbeu?

Patjetër që ne çdo ndeshje e luajmë për fitore dhe për fitore do të luajmë edhe këtë të mërkurë në Elbasan.

Në qoftë se do të merrnit edhe këtë herë 11- metërsh, do t’ia linit Hamdi Salihit, apo do ta gjuanit vetë?

Ajo e penalltisë ishte një vendim momental, pasi Salihi ma la që ta gjuaja dhe ia lashë me kënaqësinë më të madhe. Mund të gjuajë sërish Salihi dhe unë nuk e kam aspak problem. Madje, mendoj që, nëse marrim sërish një penallti, duhet ta gjuajë Salihi, pasi të shënosh katër gola në Champions është gjë e madhe dhe i uroj të shënojë sa më shumë.

Është ky ekipi më i mirë që ka luajtur Shkëmbi gjatë gjithë karrierës së tij?

Personalisht them se është ekipi më i mirë ku unë kam luajtur ndonjëherë në karrierën time.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"