Shkëmbi: Futemi në histori, Elbasani do na sjelli fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 16:47

Shkëmbi: Futemi në histori, Elbasani do na sjelli fat

shkembiNë konferencën për shtyp nga stadiumi “Elbasan Arena”, dje në pasdite, krahas trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, ishte i pranishëm edhe kapiteni i skuadrën korçare, Bledi Shkëmbi.

Ky i fundit deklaroi se nëse skuadra kalon këtë tur, atëherë ajo do të jetë më e mira e historisë së futbollit shqiptar, sepse do të jenë rezultatet që do ta tregojnë këtë gjë. “Tani janë rezultatet ato që do ta tregojnë nëse ne jemi apo jo skuadra më e mirë e historisë së futbollit shqiptar. Nëse ne do të kalojmë këtë tur, atëherë do të hyjmë edhe në histori, kështu që rezultatet janë ato që flasin më shumë”, tha fillimisht kapiteni korçar. Më tej, ai preku pak edhe fatin që i ka sjellë “Elbasan Arena” Kombëtares, ku shpreson t’ia ndjellë edhe Skënderbeut, edhe pse sipas tij nuk mund të hysh në lojë vetëm duke menduar për këtë aspekt.

“Ky stadium vërtet i ka dhënë fat Kombëtares dhe unë shpresoj që e njëjta gjë të jetë edhe me Skënderbeun, por më shumë sesa fati, duhet të luajmë vetë për të treguar vlerat tona. Këtë herë unë mendoj që do ta kemi të vështirë, pavarësisht se ne fituam 0-2 në takimin e parë. Mendoj që Milsami është një ekip që pati shanset e tij për të shënuar gol. Por, ne nuk duhet të na errësohen sytë nga rezultati i ndeshjes së parë. Milsami mbetet një kundërshtar i fortë dhe ne duhet të impenjohemi maksimalisht. Kjo është pjesa më e vështirë, sepse ndoshta do kemi më shumë tension dhe presion, sepse ata nuk kanë se çfarë të humbasin dhe kur nuk ke çfarë humb, të del ndonjëherë edhe më mirë”, përfundon prononcimin e tij përpara ndeshjes kapiteni Shkëmbi.

Përgatiti” V.Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"