Shkëlqeu ndaj Tiranës, “gardiani” Hasanbelli: Erzeni e mposht edhe Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 16:10

Shkëlqeu ndaj Tiranës, “gardiani” Hasanbelli: Erzeni e mposht edhe Skënderbeun

Ekipi i Erzenit arriti një fitore fotokopje si ajo e javës së 5- të ndaj Tiranës, me rezultatin 1-0 në Rrogozhinë, duke lëvizur në renditje me tri pikët e marra.

Hasanbelli

Ky rezultat pozitiv tepër i vyer, i mundësoi shijakasve një qetësi momentale të nevojshme, duke mos bërë një tjetër hap fals në këtë pikë të sezonit. Portieri i shijakasve, Klevis Hasanbelli, padyshim zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj kryeqytetasve duke e shpëtuar portën shpeshherë prej kundërsulmeve të tyre. Pritjet e tij vendimtare në këtë ndeshje janë kurorëzuar me opinione vlerësuese nga të gjithë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet se suksesi erdhi si pasojë e grintës së grupit dhe se qetësia e marrë nga fitorja, ishte një domosdoshmëri në këtë periudhë të kampionatit. Gjithashtu, ai ndihet i gëzuar që ndër pikat e forta të shpalosura në përballjet që lanë pas, përmendet edhe emri i tij me saktësinë e ndalimit të golave të kundërshtarit. Fokusi tani duhet të jetë ndeshja në fundjavë, ajo kundër Skënderbeut në transfertë.

“Grupi që kemi është pika jonë me e fortë. Kemi luajtur me shpirt, me grintë dhe të fokusuar, sepse na duhej fitorja me patjetër. Kishim kohë që nuk e gjenim triumfin dhe kjo na bënte të vuanim. Mendoj se i gjithë angazhimi ynë u shpërblye dhe morëm një fitore të merituar e tri pikë të nevojshme.

Jam i gëzuar për çfarë bëra në këtë ndeshje. Vlerësimet më ndihmojnë, por le të përqendrohemi në javët e ardhshme, ku luajmë me Skënderbeun në transfertë dhe na pret një betejë vërtet e fortë”, u shpreh Hasanbelli.

E. DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"