Shijakasit të karikuar, Deliallisi flet për sfidën me Egnatian: Gjithçka për 3 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2023 | 9:50

Shijakasit të karikuar, Deliallisi flet për sfidën me Egnatian: Gjithçka për 3 pikë

Pas barazimit me Vllazninë, tek Erzeni janë më të karikuar se kurrë për të tentuar sot fitoren ndaj Egnatias në ndeshjen që do të luhet në orën 17:00 në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet. Në fazën e parë përballja mes dy skuadrave ka përfunduar me fitoren 4-3 të rrogozhinasve. Deri pak javë më parë shijakasit kishin si shtëpinë e tyre pikërisht fushën e Egnatias, por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe preferenca e Erzenit për të luajtur si vendës është stadiumi i Partizanit, “Arena e Demave”.

deliallisi

Kjo ka qenë një kërkesë e vetë trajnerit Alfred Deliallisi, që klubi e ka plotësuar. Mirëpo, për fat të keq sot do të mungojnë tifozët për shkak të dënimit të fushës nga Disiplina dhe kjo ia vështirëson jo pak Erzenit.

Megjithatë, në bisedën për “Panorama Sport” para kësaj sfide, trajneri Deliallisi u shpreh entuziast rreth përgatitjes që ekipi ka bërë, edhe pse koha në dispozicion ishte shumë e shkurtër.

“Kemi humbur në ndeshjen e parë kundër Egnatias, po kjo e sotmja do të jetë ndryshe, pasi kampionati tanimë është tjetër histori. Është një kundërshtar që e meriton kryesimin, duke parë çfarë ka dhënë deri më tani. E vlerësojmë maksimalisht, por dua t’i mëshoj përgatitjes që ekipi im ka bërë, bazuar në atë që kemi analizuar për Egnatian.

Të gjitha detyrat në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese pres që t’i bëjmë në maksimumin tonë. Nuk kemi tifozët dhe kjo na penalizon, por mendoj se na bën mirë luajtja në stadiumin e Partizanit, pasi ka kushte të mira në këtë kohë me shi. Pra, ka qenë preferencë e imja që të luanim këtu dhe jo në një fushë tjetër.

Në këtë ndeshje do të na mungojë Peposhi për shkak të kartonëve, por unë kam besim te lojtarët që janë dispozicion. Uroj që të gjitha përgatitjet që kemi bërë të shkojnë sipas parashikimeve në ndeshjen e sotme”, deklaroi trajneri i Erzenit për gazetën.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"