“Shfryn” Xhebrahimi: Nuk na falet kjo renditje, 5 pikë janë pak për Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 21:02

“Shfryn” Xhebrahimi: Nuk na falet kjo renditje, 5 pikë janë pak për Besën

Besa është ngujuar në kuotën e 5 pikëve pas 8 javësh kampionat. Një ecuri që kurrë nuk e kanë parë dhe që i rrezikon edhe rënien. Të turpëruar për këtë start janë edhe futbollistët, ndonëse saktësojnë se loja nuk u ka munguar dhe aq më pak rastet.

besa

I këtij mendimi është edhe Albi Xhebrahimi, që problemin e sheh te golat e pësuar. Teksa flet për “Panorama Sport”, sulmuesi sqaron se çfarë nuk po shkon te verdhezinjtë. “Kushdo që na ka ndjekur, e ka parë që kemi prodhuar futboll dhe lojë bukur. Kemi ndërtuar aksione model, kemi shënuar, por e pranoj se nga unë i pari kemi shpërdoruar jo pak raste. Kemi ‘falur’ raste të pafalshme në Berat nga ku të dilnim patjetër me 3 pikë.

Për më keq, mënyra se si pësuam golat në qendër pas krosimeve nga këndorja apo goditje standarde nuk na falet. Me të drejtë trajneri ynë, na tha në analizë se duhet të na dhimbset mundi ynë. Nuk kemi asgjë më pak se ekipet kryesuese si Bylisi, Flamurtari apo Elbasani. Jemi i vetmi ekip që ‘fituam’ në Fier, pavarësisht se në fund ia falëm barazimin kundërshtarit.

Kemi bërë gjithçka. Kemi shënuar, shpërdoruar, pësuar më shumë se çdo ekip. Çdo gjë ka një fund dhe besoj se tashmë u ka ardhur koha këtyre vetëndëshkimeve. Loja e mirë harrohet, rastet po ashtu, ato që mbeten janë pikët. Duke nisur nga derbi me Luzin, duhet të kthehemi. Besa nuk e meriton atë vend në renditje, ndaj duhet të reagojmë patjetër”, përfundoi 27-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"