Shënoi golin e tretë ndaj Luzit, Bejzade: Jemi të frikshëm në minutat e para, mundim edhe Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2023 | 21:12

Shënoi golin e tretë ndaj Luzit, Bejzade: Jemi të frikshëm në minutat e para, mundim edhe Bylisin

Apolonia ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në transfertë. Mundi 0-3 Luzin 2008, duke vërtetuar edhe njëherë momentin e mirë që po kalojnë. Fierakët pozicionohen tashmë të dytët dhe janë vetëm pesë pikë larg Bylisit kryesues, që do ta presin këtë fundjavë në stadiumin “Loni Papuçiu”.

Abjel Bejzade

Një ndër protagonistët e suksesit të fundit ishte edhe Abjel Bejzade, që gjeti edhe golin e parë me fanellën bardhejeshile. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori 21-vjeçar komenton ecurinë e skuadrës në kampionat, por ndalet edhe te finalja me ballshiotët.

As pushimi nuk e stepi Apoloninë, mundët Luzin dhe tani jeni të dytët…

Starti është perfekt do të thosha. Kemi pësuar rritje nga java në javë dhe rezultatet nuk na mungojnë. Dy fitoret e fundit brenda pak ditësh, njëra për Kupë dhe tjetra për kampionat janë dëshmi e qartë se Apolonia është ekip ambicioz që synon të arrijë shumëçka këtë sezon.

Sa e rëndësishme ishte fitorja e fundit?

Fitoret janë gjithmonë të rëndësishme. Pavarësisht fushës dhe kundërshtarit, ne një mision kemi. Për sa kohë kemi vazhdimësi, edhe morali është i lartë. Dominuam kundërshtarin në çdo aspekt dhe bëmë gjithçka mundëm brenda 20-25 minutave të para. Nuk është ndeshja e parë që e mbyllim që në pjesën e parë dhe kaq mjafton për të treguar karakterin tonë. Nuk mjaftohemi me një gol, por synojmë sa më shpejt edhe tjetrin, në mënyrë që të jemi edhe më të qetë.

Kontribuuat edhe ju, gjetët golin e parë me fanellën bardhejeshile. Si ndiheni?

Jam shumë i lumtur që shënova dhe natyrisht skuadra ime arriti të merrte pikët. Emocioni ishte i madh, pasi e bëra “sefte”. Por jam i sigurt që ky është vetëm fillimi.

Jeni -5 nga kreu, do të guxoni për më shumë?

Vendi i dytë është më se i pritshëm. Skuadra do të punojë ditë pas dite ta ruajë këtë pozicion të favorshëm, por pse të mos e tentojmë edhe kreun.

Shansit që t’i afroheni e keni të dielën, kur luani me Bylisin. I kalueshëm ky kundërshtar?

Të gjitha ndeshjet janë “malore” në këtë kategori dhe në fund të fundit të gjitha vlejnë tri pikë. Nuk mund ta mohoj që kjo ndeshje meriton vlerësim maksimal, edhe prej kundërshtarit, sidoqoftë klasifikimi. Ne do të kërkojmë fitoren, ashtu sikundër bëjmë çdo javë.

Kë shihni si rivalët tuaj për të arritur objektivin madhor?

Rivalë i kemi të gjithë, sado që secila prej skuadrave ka objektiva të ndryshme, njëra synon elitën, tjetra zonën “play off” dhe të tjera qëndrimin në këtë kategori. Prandaj kampionati është i bukur, sepse ka konkurrencë e rivalitet gjithkund.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"