Shënoi golin e fitores ndaj Korabit, Ndubuisi: Apolonia agresive, ju tregoj jetesën në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2023 | 20:18

Shënoi golin e fitores ndaj Korabit, Ndubuisi: Apolonia agresive, ju tregoj jetesën në Fier

Apolonia ka siguruar fitoren e dytë radhazi në transfertë, pasi ka mundur minimalisht Korabin. Fierakët nuk kanë kohë për të festuar dhe aq më pak për të pushuar. Kjo, pasi ndeshja e radhës në kampionat është të dielën. Në këtë 72-orësh, Apolonia do të mendojë e punojë vetëm për ndeshjen ndaj Besës, takim që do ta luajë në stadiumin “Loni Papuçiu”.

2045876825334980216

I këtij mendimi është edhe mbrojtësi Francis Eneh Ndubuisi, që me golin e shënuar me kokë ndaj dibranëve u siguroi pikët e plota fierakëve. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, shtatlarti 19-vjeçar i prapavijës fierake ka shprehur gjithë ambicien e tij dhe të ekipit për sezonin në vazhdim.

Dy ndeshje, dy fitore dhe Apolonia është në vendin e parë. E prisnit këtë start?

E prisnim dhe njëkohësisht e dëshironim këtë start, sepse puna jonë disamujore po shpërblehet me rezultate konkrete pozitive në fushën e lojës. Dy fitore në dy ndeshjet e para janë tejet të rëndësishme për ne dhe për të na dhënë motivim për javët e ardhshme. Është një rrugëtim i mirë deri tani, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Në vazhdim na mbetet që të bëjmë maksimumin dhe të luftojmë gjithmonë për rezultatin maksimal.

Sa e rëndësishme ishte fitorja e dytë radhazi në transfertë, këtë herë ndaj Korabit?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme, por do ta cilësoja më shumë si një fitore të madhe karakteri. Ishim të qartë për objektivin tonë, luftuam deri në sekondën e fundit dhe morëm me meritë të plotë fitoren. Nuk ishte e lehtë në tërësi, sepse ne udhëtuam me orë të tëra drejt Peshkopisë dhe u lodhëm, por këto pikë të plota të marra ndaj Korabit vlejnë jashtëzakonisht shumë për ne.

Gjetët rrugën e rrjetës në minutën e 11-të dhe goli juaj rezultoi vendimtar për triumfin e radhës. Si ndiheni për golin e parë sezonal?

Pikësëpari ndihem shumë mirë dhe tej mase i lumtur, që me shokët e tjerë të skuadrës arritëm të sigurojmë një tjetër trepikësh të artë. Në plan të parë, për mua ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë suksesi i padiskutueshëm i Apolonisë. Goli im ka rëndësi, madje ishte i pari për këtë sezon dhe më vjen shumë mirë që e nisa në këtë mënyrë.

Të dielën në stadiumin “Loni Papuçiu” është ndeshja me Besën. Si e shihni këtë përballje?

Për ne është ndeshja e radhës, por me një ndryshim të madh sepse ndaj kavajasve luajmë për herë të parë në Fier. Kështu që kemi një motiv më tepër për të marrë maksimumin e pikëve. Objektivi ynë është të jemi superiorë, pra të bëjmë më së miri lojën tonë dhe në fund të dalim fitimtarë. Me çdo ekip jemi po e njëjta Apoloni, agresive në sulm dhe solide në mbrojtje.

I besoni marrjes së një rezultati tjetër pozitiv?

Patjetër që besojmë, për sa kohë hyjmë në fushë vetëm e vetëm për të fituar. Të gjitha ndeshjeve duam t’u marrim maksimumin, ndaj do të punojmë fort për këtë objektiv. Jemi më të bashkuar e më të motivuar se kurrë. Por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Keni presion për faktin se jeni në vend të parë?

Aspak, por kemi një arsye madhore për të marrë rezultatin e radhës pozitiv. Duam me patjetër të festojmë fitoren e parë në Fier së bashku me tifozët fierakë. U bëj thirrje të vijnë sa më të shumtë në numër dhe të na mbështesin. Me ta gjithçka do të jetë më e lehtë.

Sezoni i 2-të në Fier. A jeni përshtatur me skuadrën dhe qytetin?

Jam përshtatur mjaftueshëm sepse këtu tek Apolonia ndihem komplet si në shtëpinë time. Ambienti, kushtet e gjithçka tjetër është në rregull. Fieri është një qytet i bukur dhe unë dal zakonisht pasditeve me shokët e mi të skuadrës.

Si është raporti me shokët e tjerë të skuadrës?

Shkoj shumë mirë me të gjithë, plus ata më kanë qëndruar pranë që në momentin e parë kur kam ardhur tek Apolonia. Këtu mbizotëron një frymë tejet pozitive dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.

Po shqip keni mësuar ndopak?

Kam mësuar pak ose më saktë disa fjalë. Di të them mirë, keq, mirupafshim, natën, faleminderit, bravo, forca, përpara, etj.

Cili është ushqimi juaj i preferuar në Shqipëri?

Preferoj më së shumti mishin e viçit dhe të pulës, të shoqëruar me pilaf. Gjithashtu i pëlqej shumë edhe sallatat.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"